Nuk do të ketë as anulim, as shtyrje dhe as pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për kalimin e detyrueshëm në “tregun e lirë” të energjisë të 1 mijë e 300 bizneseve prodhuese në vend. Edhe pse Shkalla e Parë e Gjykatës Komerciale kishte shpallur vendimin e ZRrE-së të paligjshëm, Shkalla e Dytë ka vendosur në favor të ankesës së rregullatorit, duke ndryshuar aktgjykimin e mëhershëm. Sipas aktgjykimit të ri, refuzohet kërkesa e paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së, i cili parashikon heqjen e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike dhe kalimin e tyre në çmime katër deri pesë herë më të larta, pavarësisht kritikave se nuk janë përmbushur kushtet për krijimin e një tregu të vërtetë të lirë.
