Nga gjykata speciale, me seli në Hagë, Holandë, nuk pranuan të komentojnë deklaratën kritike të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për procesin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Në përgjigjen e tyre për MCN TV, Specialja u shpreh se “janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjyqe të drejta, të paanshme dhe të sigurta” dhe nuk komentojnë deklarata të figurave politike. Pak ditë më parë, në takimin e Bordit të Paqes më 19 shkurt, Rama kritikoi hapur Gjykatën e Hagës, duke e akuzuar për dështim në respektimin e standardeve të drejtësisë demokratike. Ai u ndal veçanërisht te arrestimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e lidhur këtë me veprimet e prokurorit Jack Smith dhe duke kërkuar ndërhyrje nga presidenti amerikan për të parandaluar “gjëra shumë të këqija” që mund të ndodhin sërish. Ky qëndrim i Speciales dhe heshtja për kritikat e hapura politike ngrenë pyetje mbi transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni ndërkombëtar, i cili po gjykon ish-udhëheqës të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
