Procesi gjyqësor për Masakrën e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, pritet të nisë së shpejti, ndërsa në listën e dëshmitarëve janë përfshirë edhe figura të rëndësishme ndërkombëtare. Burime të Klan Kosovës bëjnë të ditur se mes dëshmitarëve që do të ftohen për të dëshmuar janë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, si dhe ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark. William Walker ishte diplomati që, pas vizitës në Reçak më 16 janar 1999, e cilësoi publikisht ngjarjen si masakër ndaj civilëve shqiptarë, deklaratë që pati jehonë ndërkombëtare dhe ndikoi në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq, Wesley Clark udhëhoqi operacionin ajror të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë. Pritet që dëshmitë e tyre, së bashku me ato të dëshmitarëve të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë, të kenë rëndësi të veçantë në zbardhjen e plotë të rrethanave të Masakrës së Reçakut, e cila konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme që parapriu ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
