Gratë ideojnë Strategji për Fuqizimin e Pjesëmarrjes së Grave në Politikë dhe Vendimmarrje në Kosovë

Gratë ideojnë Strategji për Fuqizimin e Pjesëmarrjes së Grave në Politikë dhe Vendimmarrje në Kosovë

 Më 13 qershor 2018, në Hotel Emerald në Prishtinë, Ambasadorja Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi i Kosovës për Barazi Gjinore bashkë-organizuan takimin me gratë në politikë, deputetet, gratë e asambleve komunale dhe zyrtaret për barazi gjinore. Takimi u thirr me qëllim që të planifikohet dhe të ideohen strategji për avancimin dhe fuqizimin e ndikimit të grave politikane në proceset vendimmarrëse në Kosovë.

Gratë mbeten të nën-përfaqësuara në politikë në nivel komunal dhe qendror në Kosovë, dhe për ta adresuar këtë çështje janë ndërmarrë iniciativa të ndryshme. Megjithatë, gratë vazhdojnë të mbeten të nënpërfaqësuara edhe pas zgjedhjeve komunale dhe qendrore të vitit të kaluar.

Duke u uruar mirëseardhje pjesmarrëseve, Ambasadorja Nataliya Apostolova në fjalim e saj theksoi rëndësinë e rolit të gruas, në veçanti gruas në politike si dhe çfarë mund të bëjmë në avancimin e pozitës së gruas duke kontribuar kështu arritjen e barazisë gjinore. Ndër të tjera Ambasadorja Apostolova u shpreh se “Një aspekt kyç është solidariteti. Ndonjëherë shoqëritë na mësojnë, si gra, të konkurojmë me njëra-tjetrën, për të nënvleftësuar njëra-tjetrën, për të ulur njëra-tjetrën poshtë. Ne duhet ta ndalojmë këtë rreth vicioz. Është kur mblidhemi dhe bëhemi bashkë, atëherë ne jemi më të fuqishme dhe bëjmë ndryshimet më të mëdha”.

Në frymën e ndryshimeve që ndodhin kur bashkohen gratë në politikë me gratë e shoqërisë civile, edhe Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, foli për historikun e Lobit të Kosovës për Barazi Gjinore, dhe theksoi se sidomos në mbledhjen e tyre të fundit, nevoja për të bashkuar forcat mes grave politikane në nivel lokal dhe qendror që të dëgjohen zërat e grave për çështje të rëndësishme politike u ngrit si prioritet nga anëtaret e Lobit. Me shembuj nga e kaluara për solidaritetin e grave dhe fuqinë e zërit të bashkuar, znj. Rogova tha se “Rrjeti kur e pa nevojën që duhet të bashkohemi prap edhe në nivel lokal filluam që të mbledhim asambleistet nëpër komunat e ndryshme edhe të themi na mundemi bashkë me i shty gjërat përpara”. Ajo tutje shtoi se “Është koha që të bashkohemi, është koha që të shtyjmë procesët bashkë.”

Më konkretisht, pjesëmarrëset u ndanë në grupe punuese për të hartuar strategji dhe për të diskutuar se cilët janë faktorët kyç që minojnë pjesëmarrjen e grave në politikë dhe cilat hapat mund të ndërmarrim që nga tani e deri te zgjedhjet e ardhshme për të rritur përfshirjen e grave në politikë. Temat specifike të grupeve ishin Përmirësimi i kuadrit ligjor; puna me udhëheqësit e partive politike; krijimi i elektoratit dhe mobilizimi i votueseve; financimi i fushatave të kandidateve; rekrutimi dhe fuqizimi i një numri më të madh grash për të garuar në zgjedhje; adresimi i problematikave që i pengojnë gratë të marrin pjesë në politikë; përmirësimi i mbulimit mediatik të kandidateve dhe politikaneve.

Pjesëmarrëset u dakorduan për nevojën e krijimit të një aleancë të përbashkët të grave në politikë që do të ndihmonte në promovimin e sukseseve të tyre. Kjo, si rrjedhojë e diskutimit për krijimin e një Programi Mentorimi për gratë politikane në nivel lokal dhe qendror, duke dashur të kuptohet sa më mirë çfarë mund të jenë pritjet e grave në politikë për një program të tillë dhe se si gratë mund të mbështesin më së miri njëra-tjetrën. Takimi i ardhshëm do të mbahet me 22 qershor në Prishtinë.

Kjo ngjarje është mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner, në një intervistë …