Gjykata speciale në Hagë kanë vendosur, më 18 nëntor 2025, që të vazhdojnë masën e paraburgimit për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Trupi gjykues, i kryesuar nga Charles Smith III, ka pranuar vlerësimin e Prokurorisë se ekziston rreziku i pengimit të drejtësisë dhe i ndikimit të mundshëm në procedura, ndonëse nuk e ka konfirmuar pretendimin për rrezik arratisjeje. Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së nisi paraqitjen e provave më 15 shtator 2025, me një sërë dëshmitarësh të profilit të lartë amerikan. Brenda tre muajsh janë dëgjuar dëshmi të rëndësishme nga figura si James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan, James Peter Covey, Christopher Hill, Michael Durkee dhe, së fundmi, vetë gjenerali Wesley Clark, i cili përfundoi dëshminë e tij më 18 nëntor. Gjykata ka caktuar 14 nëntorin 2025 si datë zyrtare për përfundimin e paraqitjes së provave të mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat e viktimave do të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025. Prokuroria e ka mbyllur fazën e saj të provave më 15 prill të këtij viti. Më herët, më 16 korrik 2025, mbrojtja kishte kërkuar rrëzimin e disa akuzave sipas Rregullës 130, duke pretenduar se incidentet para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 nuk duhej të përfshiheshin. Trupi gjykues e refuzoi kërkesën, duke theksuar se ato ngjarje nuk përbëjnë “akuza të ndara” dhe rrjedhimisht nuk mund të rrëzohen në këtë fazë. Procesi ka qenë i shoqëruar me protesta të mëdha në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
