Në Kujtim të 26 – vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Ekrem Gudaçi dhe Kemal Thaçi
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, ishte arritja më kulmore e historisë sonë e cila ia ndërroi rrjedhat e saj.
Rruga luftarake e Brigadës 162 “Agim Bajrami” ishte e gjatë dhe plot me sakrifica, por ishte e lavdishme. Ajo zhvilloi luftime të përgjakshme në tërë territorin e Kaçanikut me rrethinë. Në tërë territorin gjeografik të Kaçanikut, përveç luftërave të ashpra frontale kundër një ushtrie përpjesëtimisht më të madhe me një ushtri shumë më të vogël dhe të pabarabartë, kuptohet edhe me gjakun e shtrenjtë të kësaj popullate: dhe të fëmijëve, grave, dhe pleqve, posaçërisht të luftëtarëve trima, kjo hapësirë shërbeu edhe si urë kaluese jo vetëm e udhëheqësve të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, por edhe urë transportuese e pajisjeve të mjeteve luftarake për tërë ushtrinë çlirimtare të Kosovës. Ashtu, si në mars, prill edhe gjatë muajit maj kishte luftime të ashpra në gjithë territorin e Kaçanikut. Më 21 maj u rrethua Runjeva dhe Stagova, ku në këto luftime, më 21 maj 1999, në Runjevë, bie dëshmor Kemal Thaçi, si dhe në Stagovë bie Ekrem Gudaqi, ndërsa palgë të lirisë merr luftëtari, Rrahim Sadiku, kurse dy ditë më herët plagën e lirisë merr luftëtari Rufki Krraba. Forcat okupatore serbe dhe aparati shtetëror i tyre, nuk kurseu as qytetarët e paarmatosur, duke i vrarë dhe masakruar këta civilë: Hanife Gudaqi- 77 vjeçare, Fitim Gudaqi- 7 vjeçar, Brahim Dashi- 31 Vjeçar, Hamdi Dashi- 53 vjeçar, Ramadan Dashi- 58 vjeçar, Ramush Jaha- 75 vjeçar, Hanife Jaha- 94 vjeçare, Fahri Mani- 56 vjeçar, Selvije Krivanjeva- 89 vjeçare, Sevdije Guri- 54 vjeçare, Bahrie Elezi- 56 vjeçare, Baki Bela- 72 vjeçar, Ibush Rrushi- 59 vjeçar, kurse civil të plagosur: Beredin Dashi, Shukri Dashi, Lirije Krraba, Mevlide Sallahu, Nerimane Gudaqi, Fikrije Gudaqi dhe Shefije Brruti.
Ekrem Shukri Gudaqi u lind në Stagovë, më 13 prill 1960. Ishte fëmija i shtatë në familje. Rrjedh prej një familje me gjendje të mesme ekonomike, po me traditë kombëtare.
Shkollimin fillor e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm, të mesmen në Kaçanik, ku gjithashtu u dallua për sukses në mësime e për sjellje shumë të mira. Gjatë shkollimit të mesëm angazhohet në veprimtarinë rinore që kishte synim luftimin e pushtuesit serb dhe pavarësimin e Kosovës. Ky angazhim i tij bie në sy të pushtetit dhe has në pengesa të shumta, sidomos kur kërkon të punësohet, sepse nga strukturat pushtetarë mbajtëse ishte i shpallur i papërshtatshëm politikisht. Duke mos gjetur punësim, merret me bujqësi e me veprimtari të ndryshme, por pa e lënë pas asnjëherë edhe punën atdhetare. Më 1987 martohet, duke u bërë kështu familjar i respektuar, frymëzues për punë por edhe kurdoherë i gatshëm për kryerjen e detyrave që kërkonte rruga e nisur për liri. Për Ekremin fillojnë aksionet e policisë serbe që nga 3 janari 1996, duke i kërkuar atij pushkë dhe revole, por ky nuk gjendej në shtëpi, kurse vëllezërit Azemi dhe Rrustemi keqtrajtohen nga policia serbe. Ata ua bastisën shtëpinë dhe aty gjetën një revole 7.65 mm. Në bastisje ishin milicët e Serbisë Perunoviq Nebojsha dhe Fatmir Jakupi nga Kaçaniku, të cilët lanë një thirrje për Ekremin që të paraqitet në milici. Gjithashtu, gjatë bastisjes, ata keqtrajtuan familjen dhe demoluan të gjitha orenditë e shtëpisë. Mirëpo, Ekremi nuk u paraqit fare në milici, andaj milicët më 20 gusht 1996 për herë të dytë ia mësyen shtëpisë së tij. Ekremin e morën me vete dhe dy ditë e dy net e keqtrajtuan psiçikisht e fizikisht në stacionin e milicisë në Kaçanik. Për herë të tretë e arrestuan më 24 korrik 1997, ngase nuk i dorëzoi armët. U mbajt një ditë por u lirua pasi premtoi se armët do t’ua sillte vetë, por kurrë më nuk u paraqit në milici. Ai u inkuadrua në radhë të UÇK-së që nga 10 gushti 1998, së bashku me dy vëllezërit e vet, Rrustemin dhe Azemin.
Nga ky moment kishte ndihmuar në logjistikë, deri në vendosjen e togës në pikën e Stagovës. Ekremi ishte i vendosur në togën e vet, në pikën e luftës në Stagovë, i cili komandohej nga Rrustem Gudaçi, kurse vëllau tjetër i tij Azemi ishte kyçur në policinë ushtarake të UÇK-së. Ekremi u caktua përgjegjës për koordinimin e punëve në këtë pikë, sidomos kur ushtarët e togut shkuan për të luftuar në Gajre e Ivajë. Edhe pse kishte mundësi, Ekremi nuk e tërhoqi familjen e vet, të vëllezërve e të shumë ushtarëve nga fshati, pasi një veprim i tillë do të ndikonte në zbrasjen e tërësishme të fshatit dhe të fshatrave të tjera. Familja e tij ka qenë gjatë tërë kohës e angazhuar për të ndihmuar ushtarët, si për përgatitjen e ushqimit ashtu edhe për mbajtjen e pastërtisë e për ndihmën e atyre që kishin nevojë. Ekremi ishte i palodhshëm në çdo punë që kërkohej nga ai, edhe familja e tij ndau bukën me bashkëluftëtarët e tij të lirisë. Prandaj më 21 maj u rrethua fshati Stagovë dhe filloi një ofensivë e përgjakshme. Ai u angazhua për tërheqjen e familjeve nga fshati, për nxerrjen e tyre nga rrethimi i hekurt, që pastaj të kthehej në luftë më i lehtësuar. Mirëpo, familjet sulmohen nga forcat policore, ushtarake, paramilitare serbe të drejtuara nga aparati shtetëror okupes serb, që kishin ardhur nga ana e Vitisë, i cili territor mbulohej nga ushtarët e zonës së Karadakut. Në gjuajtjet e para të forcave serbe vritet fëmija 7 vjeçar Fitimi, djali i Rrustemit, vëllait të tij, e mandej edhe ëma Hanifja kurse plagoset rëndë në gjoks e bija, Nerimanja 7 vjeçare dhe kunata e tij 35 vjeçare, Fikrija, bashkëshortja e Rrustemit. Në këtë rast vriten e plagosen edhe shumë civilë të tjerë. Ekremi kishte mundësi të largohej, po nuk dëshironte ta shpëtojë veten, duke i lënë të tjerët në duart e forcave okupatore serbe. Ai hidhet të luftojë me bishat gjakatare dhe ashtu duke bërë të pamundurën që të shpëtonte të mbeturit gjallë, kapet nga forcat okupatore serbe dhe pas maltretimeve të shumta që i bëhen për të treguar se ku ishin shokët e tij, vritet mizorisht dhe dërgohet ashtu i vrarë në një shtëpi, të cilës ia vunë flakën dhe kështu e djegën trupin e tij.
Vrasja e Ekremit ka ndodhur aty pas orës 16, më 21 maj 1999, atëherë kur forcat serbe e kishin kuptuar se nuk mund ta thyenin dot ushtarin e lirisë, kur e patën të qartë se nuk kishin arritur të zhduknin ushtarët e UÇK-së në këtë pikë, që kishte qenë synim i tyre parësor në atë ofensivë. Ekremi ra dëshmor i lirisë më 21 maj 1999 në pikën e luftës në Stagovë.
Kemal Halim Thaqi u lind më 1.1.1955, në fshatin Runjevë të Komunës së Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në Kaçanik, në Shkollën “Emin Duraku”. Në pamundësi që të vazhdonte shkollimin e mëtutjeshëm, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, ai u detyrua të punojë në Kooperativën Bujqësore “Ramadan Agushi”, një herë si punëtor i thjeshtë, pastaj si vozitës. Më vonë punoi në Fabrikën e Gëlqeres “Lepenci”. I ati i tij, vdiq shumë herët, ku barra e familjes i mbeti Kemalit. Në vitin 1990 Kemalit ia kushtëzuan punën, ku nëse ai dëshironte të punonte, duhej të nënshkruante një dokument lojaliteti ndaj regjimit serb, të cilin ai nuk e pranoi.
Në vitin 1981 Kemali ishte betuar para flamurit se do të punojë me besnikëri për lirinë e Kosovës. Në vitet 1989/90, Kemali organizoi bashkëqytetarët në funksion të mbështetjes së protestave popullore kundër shtypjes serbe. Kontaktin e parë me UÇK-në, Kemali e mori në fshatin Trimor, nga e cila pikë bëhej furnizimi i ushtarëve të UÇK-së me armatim. Më 20 shtator 1998 u radhit në radhët e UÇK-së. Kurrë nuk ndjeu lodhje në kryerjen e detyrave të mëdha kombëtare. Ai duke mos kursyer veten punoi ditë e natë, organizoi edhe të rinjtë në radhët e UÇK-së për furnizimin e saj me armë. Kemali bëri mobilizimin dhe furnizimin me armatim të burrave të fshatit Runjevë. Bashkëluftëtarët e ngushtë të Kemal Thaqit ishin: Haki Troni, Misim Sopa, Izahir Troni, Ejup Runjeva, Xhemajl Burrniku, Hajrulla Shehu, Izair Kuka e shumë të tjerë. Për shkak të aftësive organizative dhe përgatitjes profesionale, komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” e emëron në detyrën e komandantit të togës, ku këtë detyrë e kreu me sukses, e cila u sprovua edhe në betejën e Gajres, Ivajes dhe në beteja të tjera të cilat zhvilloheshin në komunën e Kaçanikut. Detyrat e kësaj toge ishin që të vëzhgonte situatën në fshatrat Runjevë, Krivanjevë, Stagovë, e të tjera.
Dita e 21 majit 1999 ishte me luftime të ashpra, me granatime mbi pozicionet e UÇK-së në fshatrat Runjevë, Krivanjevë si dhe në drejtim të Dushkajës. Luftimet vazhduan deri në orët e vona të natës. Forcat serbe bënë masakrën ndaj popullatës civile në fshatin Stagovë, kurse në luftime bie heroikisht komandanti i togës, Kemal Thaqi.
Për luftën e UÇK-së si dhe heroizmin e këtyre luftëtarëve, të gjithë të interesuarit mund t’i gjejnë dëshmitë në arkivat e UÇK-së dhe komunës së Kaçanikut, ku mund t’i gjejnë shkrimet nga fjalimet e autoriteteve komunale, organizatave të luftës, bashkëluftëtarët dhe vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës. Të gjitha këto organizime janë mbajtur nën patronatin e institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës. Por dëshmi më e fortë është lufta e UÇK-së, sakrifica e kombit dhe gjaku i derdhur i dëshmorëve, martirëve, për Lirinë e Kombit dhe Atdheut!
Hajrush Kurtaj, luftëtar i Lirisë, zv.komandant i Brigadës, komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, shef i Shtabit në Komandën e Zonës së Gjashtë të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, drejtor i Departamentit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak në MFSK/MM dhe aktualisht drejtor i Departamentit për Planifikim dhe Vlerësim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës