Haliti: Janë ndihmuar mbi 2500 familje me mbi 4000 pako ushqimore e higjienike

Prej paraqitjes së virusit COVID-19, më 13 mars 2020, Komuna e Vitisë përmes Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH), ka trajtuar me kujdes aspektet më të rëndësishme funksionale. Përveç faktorit shëndetësor dhe atij të sigurisë, rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe komponentës sociale. Sipas kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili edhe kryeson KKMSH-në, gjendja financiare është rënduar për një kategori të caktuar të qytetarëve. Ai tha se lista e familjeve në nevojë, në kohën e pandemisë, është zgjeruar, për shkak se shumica dërmuese e bizneseve nuk kanë punuar, prandaj familjet kanë shumë pak, apo nuk kanë fare të hyra. Kryetari Haliti ka bërë të ditur se deri më tani, në tri faza, Komuna e Vitisë për mbi 2500 familjeve ka dhënë mbi 4000 pako ushqimore dhe higjienike me artikuj bazik, si dhe miell, patate e bukë, të siguruara nga donatorë të ndryshëm, shoqata, biznese dhe individë. Harmonizimi i listave dhe shpërndarja është bërë përmes këshillave të fshatrave, të mbështetura edhe nga Kryqi i Kuq dhe Shoqata “Nëna Terezë”. Për këtë Haliti ka falënderuar dhuruesit dhe të gjithë që kanë kontribuar. Ai ka njoftuar se në fazën e katërt do të shpërndahen edhe 1500 pako tjera ushqimore e higjienike si dhe miell, të siguruara nga buxheti komunal. Kryetari Haliti tha se Komuna e Vitisë, përmes Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrës Operative do të vazhdojë angazhimin dhe koordinimin për t`u mbrojtur nga pandemia e gripit, përfundimisht.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …