Hazir Xhafolli: Shpërthimet e bombave, në Prishtinë, kishin karakter paralajmërues kundër regjimit që ushtronte dhunë e represion në vitin 1981 e më pas

Hazir Xhafolli: Shpërthimet e bombave, në Prishtinë, kishin karakter paralajmërues kundër regjimit që ushtronte dhunë e represion në vitin 1981 e më pas

Në emisionin javor të TV-Diellit,  “Bisedë në Studio” ka qenë i ftuar dhe ka folur për aktivitetin e vet atdhetar  dhe të bashkëveprimtarëve të tij,   i burgosuri politik, Hazir Xhafolli, nga fshati Drenoc i Prishtinës,   i cili në vitin 1984 është dënuar me pjesëtarët e tjerë të organizatës militante  atdhetare: “Komiteti i Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve dhe Ribashkimin e trojeve”, në krye të së cilës ishte Rifat Faik Kafexholli me bashkëveprimtarët: Nuhi Bunjaku,  Sadik Jashari, Shaqir Ruhani, Hazir Xhafolli, Ajshe Gjonbalaj Beqir Gjonbalaj,  Kadri Labënishti, Trëndelinë Labenishti, Asllan Dibrani, Mentor Krasniqi dhe  Eqrem Telziu.

Pas shpërthimit të  demonstratave dhe protestave të marsit prillit dhe majit të vitit 1981 kanë zhvilluar aktivitet atdhetar dhjetëra organizata, të cilat sado që kishin emra të ndryshëm, qëllim të vetëm primar kanë pasur çlirimin e viseve shqiptare dhe bashkim me Shqipërinë. Asokohe, në Kosovë, për herë të parë ishte  paraqitur edhe një organizatë e fshehtë atdhetare, e quajtur “Komitetit i Kosovës për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve dhe Ribashkimin e trojeve”, që ishte përcaktuar për një veprimtari më militante, duke shënuar një fazë të re të rritës së  përshkallëzimit të situatës.

Veprimtaria  që kishte marrë përsipër ai grup militant, atdhetar i kohës, shumica syresh pjesëmarrës në demonstratat e protestat e vitit 1981 ishte krejtësisht i veçantë dhe pati një jehonë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Kosovë e në ish-RSFJ, por edhe më gjerë.

Ai grup atdhetarësh militantë kishte projektuar dhe kishte realizuar më sukses disa aksione  me aktivizimin e mjeteve shpërthyese, në vende të caktuara, që kishin jehuar   me  shpërthime shumë të fuqishme, në Prishtinë. Ato shpërthime, që kishin karakter paralajmërues për regjimin që po ushtronte dhunë e represion policor dhe ushtarak kundër rinisë dhe popullatës liridashëse të Kosovës  ishin  bërë tmerr për ta, sidomos lidhur me faktin paralajmërues të kërkesës për Republikën e Kosovës në mos me hatër,  atëherë me luftë, e cila më vonë edhe ndodhi.

Ish i burgosuri, veprimtari i njohur nga ky grup, Hazir Xhafolli, fillimisht ka folur për jetën në familjen e tij,  shkollimin fillor të  mesëm dhe studimet, shërbimin e detyrueshëm ushtarak në APJ,  duke sjellë në kujtesë veçmas dhunën dhe represionin serb kundër shqiptarëve, prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kur Kosova sërish kishte mbetur nën Serbi e Jugosllavi. Pastaj për rezistencën dhe programin kombëtar të Lëvizjes Nacional demokratike Shqiptare duke vazhduar me Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve në krye me simbolin e Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi (1936-2018) e tutje deri te grupet e vitit 1981

Qëllimi ynë ishte të mos e lëmë situatën të  dhe popullin të demoralizohej, pasi regjimi kishte burgosur mijëra të rinj e të reja dhe proklamonte se ishte shuar kryengritja e nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë. Duke biseduar me bashkëmendimtarët ishin pajtuar që të pajiseshim me mjete shpërthyese, për të cilat unë kisha mësuar gjatë shërbimit ushtarak në Armatën e Jugosllavisë. Po ashtu edhe disa nga shokët kishin njohur  në përdorimin dhe aktivizimin e lëndëve shpërthyese. Ideja ishte që shpërthimet të kryheshin në vendet e caktuara paraprakisht por në kohën  kur nuk kishte lëvizje të popullatës dhe ku nuk bëhej dëm  material, fizik. Së bashku me Rifat Kafexhollin e të tjerë  ishim pajtuar që shpërthimet të shkaktonin frikë dhe huti te regjimi por edhe  vetëpërmbajtje nga aktet, të cilat në rast se do të pësonte ndonjë kalimtar i rastit, qoftë edhe zyrtar apo polic,  do të mund të trajtoheshin si akte terroriste, ka shpjeguar Hazir Xhafolli.

Ky grup atdhetarësh përbëhej nga kuadro  të shkolluar, inxhinierë, arsimtarë, studentë, të cilët kishin projektuar dhe kishin realizuar një  pikëkalim  strategjik, duke iu përmbajtur kërkesës gjithë popullore, plebishitare të shqiptarëve liridashës të kohës: “Republikë Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”.  Më 2 dhe 3 prill rinia revolucionare e Prishtinës dhe e Llapit u kishte rrëmbyer kamionët me armë rezervistëve serbë, në fshatin Besi ku edhe kishin vendosur barrikada, pastaj kishte ndodhur rezistenca e fuqishme e Tahir Mehës dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981 në Prekaz të Ulët të Drenicës, policia serbe kishte arrestuar mijëra shqiptarë liridashës dhe i kishte dënuar me burg të rëndë dhe i kishte  shpërndarë të të gjitha burgjet e kazamatet e Jugosllavisë.

“Në kohën kur regjimi jugosllav  po përpiqej të bindte opinionin se ishte thyer e shpartalluar rezistenca e nacionalistëve shqiptarë, ne kishin aktivizuar shpërthimet enigmatike, në vende të ndryshme të Prishtinës, duke treguar kujdesin maksimal, që të mos lëndonin as një njeri të vetëm, por t’ i jepnin regjimit mesazhin e qartë, se po të donim, një shpërthim të tillë, me pasoja fatale,  mund ta vendosnim në objektet e policisë, të ushtrisë, në objektet me rëndësi të veçantë të regjimit. Ky ishte paralajmërimi, kjo ishte porosia që vendoste lidhjet e kërkesave, se  nëse regjimi shpërfillte të drejtat e shqiptarëve për të qenë të barabartë me popujt e tjerë në ish RSFJ dhe për të zgjidhur çështjen në mënyrë paqësore,  e priste sulmi masiv, sikur edhe ndodhi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka saktësuar, Hazir Xhafolli.

Të   gjithë pjesëtarët e këtij grupi  janë  dënuar me burg të rëndë madje edhe deri në 20 vjet, sikur ishte rasti i Rifat Kafexhollit, meqë vepra konsiderohej terroriste, edhe pse shpërthimet ishin të matura dhe larg frekuentimit të kalimtarëve, dhe kjo fliste vetvetiu dhe e dezorientonte regjimin. Sado që ata quanin shpërthim armiqësor terrorist, ajo nuk besohej, pasi nga detonimi nuk ishte shkaktuar dëm në njerëz as në objekte.

Veprimtari e atdhetari, Hazir Xhafolli ka rrëfyer aksionet konkrete sidomos atë të marsit të vitit 1984, kur ishte dridhur një pjesë e Prishtinës. Ai po ashtu ka rrëfyer për kohën e arrestimit, torturat fizike që kishin ushtruar inspektorët e UDB-së me qëllim për të zbuluar bashkëpunëtorët, pastaj dënimin e tij dhe të shokëve me dënime drakonike deri në 20 vjet burg, qëndresën e patundur nëpër burgje në Prishtinë, Prizren Pejë e më në fund në Burgun më famëkeq të kohës sikur ishte “Zabella” e Pozharevcit ku edhe e kishte kryer dënimin.

(Bisedën në studion e TV-Diellit me Hazir Xhafollin e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …