Heqja e masave nga BE-ja: Shans i vonuar për Kosovën apo lehtësim i kushtëzuar politik?

Bashkimi Evropian ka nisur më në fund procesin e heqjes graduale të masave ndaj Kosovës, të vendosura në verën e vitit 2023, duke hapur një kapitull të ri, por ende të pasigurt, në marrëdhëniet Prishtinë–Bruksel. Ky zhvillim shihet si një sinjal politik pozitiv, por jo si rikthim i plotë i besimit mes palëve. Masat, të cilat BE-ja i quajti “teknike” dhe jo sanksione formale, u vendosën pas zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve të kontestuara në veri të Kosovës. Ato përfshinë ngrirjen e qindra milionë eurove fonde, pezullimin e kontakteve të nivelit të lartë dhe bllokimin e mekanizmave kyç politikë mes Kosovës dhe BE-së – një praktikë e paprecedent për një vend aspirant për anëtarësim. Vendimi për heqjen e tyre erdhi pas ndryshimit të përbërjes së Komisionit Evropian dhe zgjedhjeve lokale të tetorit 2025 në veri, të cilat Brukseli i vlerësoi si të qeta. Megjithatë, heqja e masave nuk po ndodh automatikisht. Ajo është shndërruar në një proces të ndërlikuar teknik dhe politik, me disa shtete anëtare që kanë insistuar në kushte shtesë dhe faza të ndërmjetme. Një pjesë e fondeve të ngrira pritet të lirohet gjatë janarit 2026, por transferimi real i parave ende nuk ka ndodhur. Në Bruksel pranohet se vendimet politike janë marrë, por procedurat burokratike dhe mungesa e qartësisë ligjore për heqjen e masave po krijojnë vonesa të reja. Dialogu Kosovë–Serbi, ndërkohë, mbetet i ngrirë. Edhe pse mandati i të dërguarit të BE-së është zgjatur dhe Brukseli shfaq interes për rifillimin e bisedimeve, pritjet janë të ulëta për një përparim të shpejtë.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane ka mirëpritur deklaratat e ShBA-së, për rifillimin e Dialogut Strategjik me Kosovën

Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane ka mirëpritur deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rifillimin …