Histori e përsëritur ose një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

Histori e përsëritur ose një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

(Në 78-vjetorin e rënies së pesë dëshmorëve  në “Vig të Mirditës” dhe 26-vjetorin e rënies së pesë dëshmorëve te “Bajraku i Luzhnicës”)

Më 21 gusht të vitit 1944, në Vig të Mirditës kanë rënë duke luftuar trimërisht kundër forcave kuislinge, profashiste, vullnetarët e lirisë: Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda.

Më 25 gusht të vitit 1998, në Bajrak të komandant Kumanovës, në fshatin Luzhnicë, në jug të Drenicës, në Kosovë, kanë rënë duke luftuar kundër forcave fashiste serbe: Ismet Jashari-Kumanova, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Habib Zogaj, dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lindjet dhe vdekjet, pësimet e fitoret, shënojnë datat më me rëndësi të cilat reflektojnë në memorien tonë, për të na treguar ku kemi qenë, sa rrugë keni bërë dhe ku jemi?.

Jemi ata që dëshirojmë të jemi, apo koha dalëngadalë dhe pa hutueshëm na vërtit edhe andej nga nuk duam, por nuk bëjmë dot ndryshe, sepse botën e kanë sundur dhe e sundojnë të fortit, mujsharët, shpirtkazmët, barbarët, andaj edhe historia njerëzore përsëritet, riciklohet. Në ditë të caktuara  si kjo na reflektojnë në kujtesë, Vashat e Kurbinit, ato të cilat në moshën e rinisë së virgjër, më me dëshirë ua dhanë gjakun skrepave të humnerave të tokës që i lindi,  sesa forcave pushtuese e mercenare.

Na kujtohet prerja e kokave të Halil Patronës dhe 24 trimave të tij, sepse në emër të lirisë, barazisë dhe drejtësisë ia kishin vënë gjoksin Perandorisë më të madhe të botës, kishin ndërruar nga froni një Sulltan dhe u kishin marrë kokat katër qeveritarëve më të lartë të Stambollit. Na kujtohen suljotet me Bubulinën në krye, pastaj Sefë Kosharja e Mic Sokoli,  Zenel Gjoleka e Çerçiz Topulli, Oso Kuka e Dedë Gjo Luli, Azem Bejta e Shotë Galica, Elez Isufi e Rrustem Dibra, Avi Rrustemi e Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e Hasan Prishtina, Bule Naipi e Persefoni, Emin Duraku e Gjon Serreqi, Adem Jashari e Zahir Pajaziti, Indrit Cara e Astrit SuliNjazi Azemi e Harun Aliu, si dhe qindra e mijëra të tjerë.

Çka kishin të përbashkët Heronjtë e Vigut me Heronjtë e Bajrakut?

Pesë idealistë, bij të popullit, në gusht të vitit 1944, nga Shkodra  nisën rrugës për në Mirditë, si një njësit vullnetarësh, që kishte marrë përsipër të  ndërlidheshin me partizanë të tjerë në ato anë, por në hyrje të Mirditës i pret prita vrastare. Vendi ishte nën pushtimin gjerman dhe kishte mjaftuar aq për rrethimin dhe vrasjen e tyre. ( Ndue Dedaj)

Ata nuk ishin dorëzuar,  sepse ideal kishin çlirimin e Shqipërisë nga forcat naziste gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mirëdita u ndie e prekur dhe e fyer. Iu kishin vrarë në Besë të Konakut e Bajrakut dhe në Besë të Rrugës së Madhe pesë djem të ri, mosha mesatare  24 vjet. Atë ditë, me gjakun e tyre rinor skuqen tokën e Mirditës: Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda.

 

Më 24 dhe 25 korrik të vitit 1998, në luftë të pabarabartë, nën rrethim të forcave serbe kishin rënë dëshmorë te Bajraku i Luzhnicës: Komandanti i pikës, Ismet Jashari, pastaj Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj dhe Habib Zogaj. Edhe mosha e tyre mesatare e jetës kishte qenë e njëjtë, ashtu sikur kishin qenë dhe do të jenë përgjithmonë, të njëjta dhe të patjetërsueshme,  idealet për drejtësi, barazi e  liri.

Në Vig të Mirditës u luftua për çlirimin e Shqipërisë nga forcat e huaja fashiste, në Bajrak të Kumanovës u luftua kundër regjimit fashist serb, që mbante nën okupim Kosovën qysh prej vitit 1912. Gjaku i derdhur në Vig dhe në qindra troje e toka të Atdheut solli çlirimin e Shqipërisë nga robëria gjashtë-vjeçare fashiste, ndërsa gjaku i derdhur në Luzhnicë, dhe kudo në Kosovë solli çlirimin e Kosovës pas robërisë  gati njëshekullore.

78 vjet pas rënies së dëshmorëve në Vig dhe 24 vjet pas rënies së pesë dëshmorëve në Luzhincë, janë vite për reflektim, për të kujtuar ku ishim dhe ku jemi, e  kemi realizuar amanetin e tyre, apo po na kthehet si shuplakë fytyrës mësimi i pa mbajtur mend i historisë?.

Monumenti i Heronjve të Vigut që kishte qëndruar më shumë se gjysmë shekulli në qendër të Shkodrës, në vitin 2010, nga një inkursion i forcave hakmarrëse politike ishte hequr nga Shkodra dhe ishte hedhur në depon e plehrave të qytetit. Katër vite më vonë, forca tjetër politike  e kishte  kthyer Monumentin në vendin e mëparshëm. Edhe dëshmorët po na i abuzon  dhe po na i përvetëson politika antikombëtare.

Në Bajrak të Kumanovës, qëndron guri gjigant disa tonësh i skalitur me emrat e pesë dëshmorëve. Monumenti guror është futur në përjetësinë fizike të tokës, është bërë bashkë me të dhe  duket sikur gur, që ka mbirë nga toka, por sa do të qëndrojë atje ku është?

Themelimi dhe procesi gjyqësor Gjykatës speciale kundër UÇK-së, në Hagë  shënon fillimin e riciklimeve të historisë sonë, fillimin e përzierjes së vlerave dhe antivlerave, të tradhtarëve e çlirimtarëve, të bashkëpunëtorëve e idealistëve.

Gjatë këtyre 25 viteve sa e sa baltë është hedhur dhe po hidhet  mbi dëshmorët nga shqipfolësit e shqipshkruesit, nga bashkëpunëtorët e mercenarët, nga mbetjet e regjimeve pushtuese serbe në Kosovë.

Ata i verbon shkëlqimi i gurit në Bajrak të Luzhnicës, që tani quhet Bajraku i Kumanovës, ata i verbon dhe i godet në zemër Kompleksi i Legjendarit dhe i Jasharëve, në Prekaz, në Gllogjan, në Koshare dhe gjithandej në trojet e Kosovës dhe në trevat shqiptare.

Dëshmorët, heronjtë, martirët janë bima kombëtare që kurrë nuk thahet, janë amaneti metafizik që kurrë nuk zbehet, pavarësisht rrebesheve, furtunave, stuhive që nuk na kanë kursyer, as po na kursejnë qoftë  ato që vinë nga Lindja,  qoftë këto që  vinë nga Perëndimi.

Kruja, Kurbini, Prekazi, Vigu, Bajraku, nuk shkulen dot nga toka arbërore, ku janë ngulur në thellësi rrënjët historike e parahistorike. Kjo është bota jonë ilire, arbëreshe, shqiptare, përjetësia e shkruar me gjak, amaneti i përcjellë nga brezi në brez.

 

Ahmet Qeriqi

Përditësuar, më 3 prill 2024

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Djalë petrit si Bardhok Biba nuk lind më Mirëdita

Ndue Preng Gjeta: Kur përmend Bardhok Bibën, laje mirë gojën o Sali gjakatari

Edhe nga ballkoni ku ndodhet në “arrest shtëpie”, “NON-GRATA” Sali Berisha e hodhi helmin, për …