Historiani i mirënjohur Fatmir Arifi ka ngritur shqetësime serioze lidhur me rolin e mediave në Kosovë dhe ndikimin e tyre në trajtimin e Luftës Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se në një shoqëri që ka dalë nga lufta si viktimë e agresionit shtetëror të Serbisë, media nuk duhet të ketë vetëm rol informues, por edhe përgjegjësi morale.Lufta e përgjithshme nën drejtimin e UÇK-së është fakt i dokumentuar politikisht, juridikisht dhe ndërkombëtarisht, prandaj çdo përpjekje për relativizim, kriminalizim apo stigmatizim të saj nuk mund të konsiderohet debat i lirë, por akt me pasoja të rënda shoqërore dhe shtetërore. Ai ka vlerësuar se veprimtaria e disa portaleve dhe platformave mediatike, të cilat po emetojnë emisione dhe debate të ashtuquajtura “të balancuara”, përbën shqetësim serioz për diskursin publik dhe sigurinë kombëtare. “Në këto emisione, lufta çlirimtare nuk trajtohet më si akt rezistence ndaj okupimit dhe represionit shtetëror serb, por si temë për dyshim dhe barazim moral mes agresorit dhe viktimës”, thekson ai, duke e cilësuar këtë qasje si metodë klasike të dezinformimit dhe luftës hibride informative. Problematike janë debatet ku ftohen individë që, sipas tij, artikulojnë narrativa të përputhshme me diskursin zyrtar të Beogradit, duke mohuar karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe duke tentuar ta paraqesin atë si konflikt të brendshëm ideologjik mes shqiptarëve. Sipas Arifit, kjo veprimtari nuk është e rastësishme, por pjesë e një strategjie afatgjatë politike që synon dobësimin e themeleve morale mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës. “Sulmi ndaj Luftës së Përgjithshme Çlirimtare është sulm ndaj së drejtës historike për rezistencë, ndaj sakrificës së dëshmorëve dhe ndaj vetë legjitimitetit të shtetësisë”, ka vlerësuar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
