Ish-gjenerali amerikan që kishte drejtuar Komandën amerikane në Evropë, Ben Hodges, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ka folur për Samitin e NATO-s që është mbajtur në Ankara dhe për atë se ku gjendet Kosova e rajoni i Ballkanit Perëndimor në agjendën e Aleancës Veri-Atlantike.
Hodges ka thënë se është i bindur që NATO do të vazhdojë të punojë edhe me shtete të vogla si Kosova për të gjetur mënyra për integrim më të mirë. Ai ka thënë se s’është e pëlqyeshme që gjithçka të mbështetet në kapacitetet e SHBA-së.
Sa i përket mospërmendjes së rajonit në deklaratën përmbyllëse të Samitit të mbajtur në Ankara, Hodges ka thënë se situata është sfiduese në shumë dimensione dhe se nuk e di ku saktësisht është Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve të Aleancës.
Ai nuk i ka dhënë ndonjë rëndësi mospërmendjes së rajonit në Samit, duke thënë se ai i radhës që do të mbahet në Tiranë është mundësi e mirë për rikthimin e rajonit në agjendë. “Megjithatë, nuk do t’i jepja ndonjë kuptim të veçantë faktit që Ballkani Perëndimor nuk u përmend në deklaratën e publikuar pas samitit. Në fund të fundit, samiti përbëhej nga një darkë, një takim i përbashkët dhe disa bisedime dypalëshe që u zhvilluan paralelisht.Samitin e ardhshëm pritet ta organizojë Shqipëria. Tani ekziston një ide që vitin e ardhshëm të mos mbahet, kështu që, nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ishte mikpritëse në vitin 2028.Kjo do të ishte një mundësi për ta kthyer vëmendjen te Ballkani, ashtu siç organizimi i samitit nga Turqia ndihmoi që fokusi të vihej te Deti i Zi dhe te roli i Turqisë”, ka thënë Hodges.
Duke folur për krizën politike në Kosovë dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në aspektin e sigurisë, Hodges ka thënë se si pasojë e zhvillimeve të tilla Kosova mbetet e cënueshme ndaj ndikimeve të jashtme.
Ish-gjenerali amerikan ka thënë se Rusia s’ka asnjë interes që Kosova të bëhet shtet i konsoliduar dhe për aq kohë sa Kosova mbetet në vendnumërim, do të jetë e ekspozuar ndaj shteteve që duan destabilizim. “Natyrisht, një situatë e tillë e mban Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme. Rusia nuk ka asnjë interes që Kosova të bëhet një shtet i fortë, liberal-demokratik, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO apo në struktura të ngjashme. Prandaj, për sa kohë që Kosova nuk arrin ta zgjidhë këtë situatë, ajo do të mbetet e pambrojtur ndaj atyre që synojnë ta ruajnë status quo-në dhe të vazhdojnë ta destabilizojnë vendin”, ka thënë Hodges.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
