Gazeta italiane Huffingtonpost.it ka publikuar të premten një shkrim kritik lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet prej vitesh në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si një rast surreal dhe thellësisht problematik nga këndvështrimi historik dhe politik. Autori i shkrimit, gazetari italian Mauro Suttora, sjell një krahasim hipotetik për të ilustruar absurditetin e situatës: sikur ish-presidenti i Italisë, Alessandro (Sandro) Pertini, të ishte arrestuar dhe gjykuar në vitin 1970 për “krime” të kryera nga partizanët që ai udhëhoqi gjatë viteve 1943–1945, në kohën e rezistencës antifashiste. “Surreale? E megjithatë, kjo është ajo që po i ndodh Hashim Thaçit”, shkruan Suttora. Thaçi po mbahet tashmë për rreth pesë vjet në një burg në Holandë, pa një verdikt përfundimtar, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi parimin e drejtësisë dhe kohëzgjatjen e procesit gjyqësor. Krijimi i Gjykatës Speciale fillimisht ishte perceptuar si një ide politike për t’i hapur rrugë Kosovës në arenën ndërkombëtare, për të rritur njohjet shtetërore dhe për të lehtësuar integrimin evropian. Sipas Huffingtonpost.it, ish-presidenti Thaçi kishte pranuar t’i nënshtrohej këtij procesi, së bashku me tre ish-drejtues të tjerë të UÇK-së, me shpresën se kjo do të forconte pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Sipas gazetës italiane, procesi në Hagë ka evoluar në një shembull të drejtësisë selektive, ku lufta çlirimtare e një populli të shtypur po rishkruhet përmes një gjykimi që, sipas autorit, rrezikon të barazojë agresorin me viktimën dhe të dëmtojë rëndë narrativën historike të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
