Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas deklaratave të këtij të fundit se LDK po pengon miratimin e buxhetit të komunës së Prishtinës. Bajrami ka akuzuar Muratin se e ka mbajtur 46 ditë në sirtar buxhetin e kryeqytetit, ndonëse Kuvendi Komunal e kishte miratuar më 9 dhjetor 2024 dhe ia kishte përcjellë Ministrisë më 17 dhjetor. Sipas saj, Murati e ka dërguar buxhetin në Kuvendin e Kosovës vetëm në ditën e fundit të vitit, duke e bllokuar procesin. “Si mund të kalohet buxheti pa komisione parlamentare, kur ende s’është qartësuar kush është pozita e kush opozita? Pse e mbajte në sirtar 46 ditë, në vend që ta dërgoje kur Kuvendi ishte funksional?”, ka pyetur Bajrami. Ajo e ka akuzuar Muratin për manipulim publik dhe ka kërkuar që të lirojë edhe buxhetin e RTK-së, duke kujtuar rastin e ngjashëm të vitit 2021. “Derisa ti po mashtron në Facebook, disa familje po e marrin bukën me veresi”, ka përfunduar Bajrami në reagimin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
