Hykmete Bajrami: Seanca e nesërme e Kuvendit përballë sfidës së zgjedhjes së kryetarit

Pas disa tentativave të pasuksesshme për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, nesër pritet të mbahet seanca e radhës, me fokus zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit – një hap kyç për tejkalimin e bllokadës institucionale që ka zgjatur për më shumë se tre javë. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka theksuar se çelësi për zhbllokimin e situatës është në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila duhet të propozojë një kandidat që mund të sigurojë shumicën parlamentare prej 61 votash. “Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit varet nga gatishmëria e Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar një kandidat që mund të sigurojë 61 vota,” deklaroi Bajrami.  Ajo rikujtoi edhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka shpallur të papranueshëm votimin e mëhershëm, duke theksuar se votimi për kryetarin duhet të jetë i hapur dhe mund të përsëritet deri në tri herë për të njëjtin kandidat. Sipas saj, tentativa për të votuar Albulena Haxhiun, e cila ka dështuar gjashtë herë në votim të hapur, është tregues se nuk ka vullnet të vërtetë për kompromis. “Nëse nesër propozohet prapë zonja Haxhiu, atëherë shihet qartë se LVV-ja nuk ka reflektuar, nuk ka interesim e as interes për të konstituuar kuvendin. Do të vazhdohet me bllokadë,” shtoi ajo. Mbetet për t’u parë nëse kjo seancë do të shënojë një kthesë drejt zgjidhjes së ngërçit politik, apo nëse vendi do të përballet me një tjetër raund të paqartësisë dhe bllokimit institucional.

Kontrolloni gjithashtu

Xhavit Haliti

Xhavit Haliti: Koalicioni është rruga për tejkalimin e krizës, përgjegjësia është te Vetëvendosje

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovë, Xhavit Haliti, ka komentuar mundësinë e krijimit të një …