Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me çështjen e Listës Serbe dhe vendimin e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përmes një postimi publik, Bajrami ka akuzuar qeverinë për, siç i quan ajo, një sërë skandalesh dhe dështimesh që, sipas saj, po tentohet të mbulohen me “patriotizëm të rremë”. “Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni, e as me Listën Serbe,” – ka shkruar Bajrami. Ajo ka kujtuar edhe rastin e ikjes së Milan Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar qeverinë se nuk e ka shpallur ende Listën Serbe si organizatë terroriste, edhe pse kjo e fundit kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës. “Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor për të ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave,” – ka theksuar deputetja e LDK-së, duke e përmbyllur reagimin me akuzën: “Sot po i luani patriotët – hipokrita!”
