III. Ahmet Qeriqi: Përse shqiptarët luftuan dhe ndihmuan turqit dhe vetën e tyre në Çanakala?

III. Ahmet Qeriqi: Përse shqiptarët luftuan dhe ndihmuan turqit dhe vetën e tyre në Çanakala?

Kjo luftë e përbashkët  ndodhi me faktin se qindra mijëra shqiptarë jetonin në Turqi dhe qindra mijëra të tjerë u shpërngulën nga trojet e Shqipërisë, qysh në fillim të vitit 1912, për shkak se llava sllave po derdhej si lubi shumëkrerëshe kundër shqiptarëve, turqve, boshnjakëve  dhe hebrenjve. Për të përkujtuar mizoritë që bënin sllavër kundër shqiptarëve dhe myslimanëve përgjithësisht  mjafton të përkujtojmë vetëm raportet e intelektualit marksist rus, Leon Trocki, i cili duke qenë reporter lufte në frontet serbe në Kosovë, Kumanovë e Shkup ka përshkruar shumë nga mizoritë, që ushtarët serbë, rusë e bullgarë ushtronin kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Në një katrahurë të tillë, kur qenia shqiptare ishte sulmuar nga të gjitha anët, qindra mijëra shqiptarë ikën për në Turqi. (RKL: Leon Trocki, një personalitet jo sa duhet i njohur për shqiptarët,  5. 1. 2016).

Ata, kishin humbur Vatanin, por luftonin për ta mbrojtur vendin, që i kishte mirëpritur dhe shtetin në të cilin kishin bashkëjetuar afër 500 vjet. Këtu qëndron esenca e rezistencës heroike të shqiptarëve në Çanakala, këtu qëndron edhe motivi i kësaj kënge,  e cila përshkruan detale të tmerrshme të një lufte shumë të pabarabartë, por një luftë për jetë a vdekje, sikur kanë luftuar shqiptarët gjithnjë gjatë historisë së tyre.

Kënga e Çanakalasë këndohet edhe sot në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Në esencë është një këngë turke, po ashtu me melodi turke, por që është përkthyer në disa gjuhë të popujve të Ballkanit. Këndohet edhe greqisht, madje është kënduar nga këngëtarja më e njohur greke e të gjitha kohëve, Roza Eshkenazi, pastaj është kënduar dhe këndohet edhe në Bullgari e Maqedoni. (ELBASAN (AA) –  MALIK HASA/FATJON CUKA)

Betejës së Çanakalasë iu janë kushtuar shumë këngë, ku jehona e tyre ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe këto këngë kanë depërtuar në vendet e Ballkanit. Shqiptarët, si pjesëmarrës në këtë  luftë, nuk kishin si të mos këndonin dhe të  trashëgonin edhe këngët për Çanakalanë.

Kënga, për nga kompozicioni është e thjeshtë, është rrëfimi i një ushtari që lufton,   brenda Çanakalasë dhe përshkruan tragjedinë e luftëtarit  në vijën e frontit përballë vdekjes, përjetimet  tragjike, jo vetëm të vetat por të gjithë luftëtarëve që sulmonin  e mbroheshin për jetë a vdekje përballë dushmanit, armikut që i kishte rrethuar  nga të gjitha anët.  Kënga është me strofa dyshe të cilat përsëriten, për efekte elegjiake. Po ashtu vargu i fundit i çdo strofe është njëlloj vajtimi, në disa variante është varg  heroizmi e përkushtimi.

Në variante janë të pranishme këto refrene:

Vaj për të rinjtë tanë medet!

Vaj për të rinjtë tanë aman! ose

Për ty kem me vdekë!

 

Po ashtu në disa variante shprehet edhe qëndrimi i këngëtarit,  nga këndi tragjik në atë heroik.

Mjera nana ku po të çon, karshi dushmanit.

Lumja nana ku po t çon, karshi dushmanit.

Kjo këngë në trojet shqiptare është kënduar para më shumë se 100 vitesh, kur edhe është krijuar. Varianti origjinal është në gjuhën turke, por ashtu edhe melodia, me gjithë elementet përcjellëse.

Kënga këndohet e dëgjohet me ëndje edhe sot sepse në radhë të parë flet për një tragjedi njerëzore të përmasave më të mëdha të humbjes së jetëve të njerëzve. Është me interes një varg i kësaj kënge të cilin nuk e këndojnë të gjithë këngëtarët, ose ndonjëri e deformon për qëllime të liga, individuale, mbase edhe në mungesë të njohjes së gjuhës turke. Në variantin e kënduar nga rapsodi i mirënjohur Salih Krasniqi, janë disa stofa më tepër në mesin e tyre dhe ky përshkrim:

N’Çanakkale mrena,

N’fusha t’mejdanit

Aty ishin kanë mbledhun vlla,

Trimat e xhihanit   (jo xhihadit)

Oh për t’rijt tonë aman!

Vargu aty ishin mbledhun  vëlla,  trimat e xhihanit,  rrëfen për përmasën e luftës, për trimat e tërë botës, të xhihanit (turq-bota) dhe jo trimat e Xhihadit sikur mund të gjendet, vargu i deformuar qoftë gabimisht nga mosnjohja e fjalës, qoftë me qëllim nga ndonjë këngëtar i papërgjegjshëm.  Këtyre vargjeve u kanë ikur këngëtarët pikërisht për ngatërrimin e këtyre dy fjalëve. Xhihan bota, Xhihad luftë e shenjtë.

Lufta në Çanakala nuk ka qenë luftë e xhihadit por një luftë në mbrojtje një luftë për ekzistencë, një luftë botërore. Ishte Lufta  e Aleancë së krishterë të mbarë botës për ta shpërbërë Turqinë, e cila nuk ishte më Perandori as Sulltanat.

Perandoria Osmane ishte shkatërruar nga brenda nga Revolucionin xhonturk, disa vjet më parë.  Pastaj, lufta për shpërbërjen e Turqisë  kishte filluar me një Aleancë botërore në mesin e të cilave ishin forcat më të mëdha ushtarake të Rusisë, Anglisë, Francës, Amerikës, Australisë,  pastaj forcat e Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, Rumanisë  dhe po thuajse të gjitha shteteve jo vetëm të  Evropës. Ishte vetëm Gjermania që kishte marrë pjesë në mbrojtje të Turqisë duke i dërguar armë dhe instruktorë të armatimit.

Si ka qenë e mundur që shqiptarët ta përkrahnin Aleancën e krishterë, kur ajo luftën për shfarosjen e Turqisë e kishte filluar  duke i shfarosur trojet shqiptare, kur gjatë luftërave ballkanike dhe luftës së Parë botërore,  ka vrarë  jë më pas se 400 mijë shqiptarë dhe rreth 300 mijë kishin arritur të iknin, ku tjetër për veç në Turqi. Ata nuk mund të shkonin në shtetet e Evropës e cila nuk i njihte as si komb, por vetëm si mbetje turke. Atë tragjedi shqiptare  më së miri e dëshmojnë  raportet e Leo Frojdlihut dhe Leon Trockit. 

 

Ndërsa disa vjet më vonë për atë tragjedi  e golgotë shqiptare kishte folur Gjergj Fishta në Konferencën e paqes në Paris.

 …Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegja kombëtare, ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se pikërisht në ditën,  në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që, prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turqisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turqisë, se sa me u gri prej kristjanëve. Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij.

E tash dëgjoni si u soll kristiani me Shqipni e me shqiptarë.

Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin, pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë myslimanë, sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sado  Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vitit 1915, italianët pushtojnë Vlorën, gjoja  për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmurë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.

E sot Konferenca e Paqes lypë që pikërisht ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!

Kjo ishte gjendja që mbretëronte në Evropë, në Ballkan, më trojet shqiptare, në kohën kur shqiptarët që kishin arritur të shpëtonin ishin dyndur për në Turqi, dhe nuk mund të rrinin duarkryq atje, as të luftonin në anën e forcave të krishtera, në vendin ku kishin gjetur strehë. Ka disa mendje-çartur  që mendojnë se shqiptarët, duhet t’ i kishin strehuar familjet në Turqi e vetë të kishin luftuar në Frontin e forca evropiane në Çanakala kundër Turqisë! Ata flasin me rradaken e tyre të sotme sikur lufta të kishte ndodhur dje.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë pushim në Grykën e Shpëtimit (E enjte 22 prill, 1999)

Sot kam vendosur të qëndroj në Grykë për të mësuar se si po gjallohet këtu …