Brickos

Sabit Syla

III. Dr. Sabit Syla: Dokumente nga Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë

Drejtori i Institutit të Historisë,  Prof. assoc. dr. Sabit Syla ka nxjerrë në dritë dokumente, të ruajtura në Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë.

Këto dokumente publikohen në 35-vjetorin e demonstratave të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, të cilat patën jehonë sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë, e cila nga regjimi i RSFJ-së ishte akuzuar se qëndronte prapa demonstratave në Kosovë e më gjerë  dhe kërkesave të shqiptarëve që jetonin nën pushtimin e RSFJ-së.

Nga këto dokumente vërehen  segmentet e shumta të hulumtimeve e studimimev të rrethanave e zhvillimeve të përgjithshme të vitit 1981. Nga ky angazhim i jashtëzakonshëm i Shtetit dhe institucioneve të Mbrojtjes kuptojnë se Republika e Shqipërisë kishte përcjellë me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe kishte siguruar të dhëna sekrete nga të gjitha burimet e mundshme.

MINISTRIA  E PUNEVE TE BRENDSHME

DREJTORIA E KUFIRIT

Tiranë, më 25. 4. 1981

LENDA: Mbi disa konstatime në ruajtjen e kufirit nga ana e palës jugosllave mbas ngjarjeve në Kosovë.

MINISTRIT TË MBROJTJES POPULLORE

SHOKUT KADRI HAZBIU

Konstatojmë se deri më datën 24. 4. 1981 në postat kufitare jugosllave përballë vendit tonë, forcat e ardhura në përforcim pas ngjarjeve në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç ishin më datën 13. 4.1981. Çdo postë vazhdon të jetë e përforcuar me 10-15 ushtarë (posta përballë pikës sonë Stoberdë – Tropojë, edhe me dy topa). Të gjitha përforcimet arrijnë deri në një brigadë kufitare .

Ndryshime në forca e mjete janë bërë vetëm përballë sektorëve të pikave tona kufitare të Padesh, Kamenicë, Stoberdë e Qaf – Prush (Tropoj) nga ku dy kompanitë kufitare të ardhura në përforcim janë tërhequr nga kufiri e janë përqendruar në qytetin e Gjakovës.

Gjatë gjithë kufirit në drejtim vendit tonë jugosllavet vazhdojnë të kryejnë rikonicion e vrojtim të organizuar edhe me kuadro oficerë; shërbimin e kufirit e kryejnë të përforcuar me grupe 3-5 veta; bëjnë kontrolle më të shpeshta të vijës së kufirit dhe kanë forcuar kontrollin ndaj banorëve, të cilët nuk i lejojnë të afrohen për punime të ndryshme në afërsi të vijës së kufirit .

Automjeteve tona që hyjnë e dalin nëpërmjet PKKK Morinë për transportimin e mallrave të ndryshme jugosllavet u kanë caktuar orar kalimi nga ora 7-8.00 dhe 14-15.00, gjë kjo që nuk ka qenë më parë .

Nga 52 vizitorët tanë që ndodhen në Kosovë, në Mal të Zi e Maqedoni, jugosllavët kanë kthyer pa mbushur kohen e caktuar 1 vizitor dhe nuk kanë pranuar të shkojnë si vizitorë në Kosovë, 3 shtetas tanë, duke thënë “nuk ju pranojmë”. Pas ngjarjeve në Kosovë, prej andej nuk ka ardhur asnjë vizitore, ndërsa nga Mali i Zi e Maqedonia kanë ardhur 23 vizitorë (shqiptarë).

Shkelje të territorit tonë dhe incidente e provokacione nga ana e jugosllavëve gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur.

Ne vazhdojmë ta ruajmë kufirin në gjithë sektorin me Jugosllavinë në mënyrë të përforcuar, duke kryer shërbim me vigjilencë korrektësi .

 MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME, FEÇOR SHEHU

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

Tiranë, më 29. 4. 1981

Informacion mbi gjendjen në Kosovë

Sipas disa  bisedave te kapura në radiokomunikimin e Komandës së Korpusit 52- të, në Prishtinë me Komandën e Armatës 2- të në Nish, rezulton se forcat ushtarake të dislokuara ne Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri luftarake.

Nga bisedat del se “më datën 22. 4. 1981, në Prishtinë është bërë rrëmujë e madhe”, “forcat e punëve te brendshme e të ushtrisë vazhdojnë ndjekjen për zbulimin e demonstrueseve. Për të kontrolluar gjendjen ushtria ka vënë në përdorim avionë, te cilët bëjnë patrullim në rajonet Drenicë, Kaçanik, Ferizaj, Prizren e Gjakovë”. Nga bisedat disa oficerëve del se “nuk ka vend ku të mos patrullohet nga ushtria”.

Në një bisede të zhvilluar me datën 22. 4. 1981, me kërkesë urgjente të gjeneral nënkolonel Eugen Lebariç (komandant i Armatës se 2- të në Nish), gjeneral majori Andon Lukeziç (në komandën e Korpusit 52 në Prishtinë), raportoi se të “gjithë flamujt e njësive ushtarake te dislokuara në Kosovë janë jugosllavë, vetëm njësia ne kazermat “Marshall Tito” në Prishtinë ka flamur me mbishkrimin “Brigada 1- rë maqedonase – kosovare”. Nga ana tjetër janë marrë masa të rrepta për funksionimin e sistemit te radiokomunikimit dhe ruajtjen e sekretit gjatë bisedave. Kohët e fundit centralistët ushtarë janë zëvendësuar me oficerë.

Jemi në ndjekje të situatës .

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË USHTRISË

VELI LLAKAJ

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

Drejtoria e Zbulimit

Tiranë, më 8. 5. 1981

INFORMACION

Mbi gjendjen ne Kosovë

1) Komandanti i Korpusit 52 në Prishtinë, lidhur me propozimet e bëra për forcimin e gatishmërisë luftarake, u jep reparteve e njësive udhëzimet e Shtabit te Përgjithshëm te Ushtrisë Jugosllave dhe Komandës së Armatës 2- të në Nish.

Më poshtë japim tekstin e plotë origjinal të udhëzimeve:

Komanda e Korpusit 52

Telegram ditor 20-183

4.5.1981

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UPJ dhe komandanti i Z2U (Armatës) u njohën me propozimet tuaja lidhur me forcimin e gatishmërisë luftarake dhe urdhërojnë:

  1. Aprovohen masat tuaja të deri tanishme për gatishmërinë e përforcuar dhe ruajtjen e objekteve, në radhë të parë të depove te armatimit, të municionit dhe të eksplozivit. Kjo mbetet edhe për të ardhmen një nga detyrat tuaja më të rëndësishëm .
  2. Stërvitjet t’i zhvilloni sipas planit tuaj dhe programit te stërvitjes të njësive tuaja mvartëse dhe te atyre që ju janë dhëne në përforcim. Në këto raste të keni parasysh që njësit të jenë sa më kompakte. Për këtë, stërvitjet të zhvillohen me efektiva të mëdha (kompani – batalion).
  3. Lëvizjet e njësive – patrullimi me qëllim demostrim force të mos kryhet pa aprovim të veçante të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes (Shtabit të Përgjithshëm të UPJ). Kjo vlen edhe për ç‘vendosjen eventuale të çdo njësie .
  4. Të zotërohet situata në terren, të behet gjithmonë vlerësimi politiko – sigurues i situatës të vlerësohet se çfarë do të ndodhi ditën e nesërme dhe për periudhën e ardhshme dhe te propozoni masa për aktivitetin e reparteve.

Njësitë duhet jene vazhdimisht të gatshme për ndërhyrje të shpejtë, por vetëm me miratim të komandantit të Korpusit .

  1. Informacionet që na dërgoni, duhet të jenë sa më objektive. Nuk ka asnjë arsye që t’i zvogëloni ose t’i zmadhoni gjërat.

KOMANADANTI

Gjeneral – Major

Anton Lukeziç d.v

 Në bisedat e kryera në linjën radiorele Prishtinë – Nish, ndërmjet të tjerave thuhet se “Prishtina është plot me polic nga gjithë Jugosllavia. Tani këtu tek ne është qetësi por nuk kalon ndonjë makinë qe nuk ka targën e Prishtinës, menjëherë mblidhen fëmijët 15-18 vjeç dhe qëllojnë me gurë. Kështu edhe mua më goditen në kokë. Është muaji i tret qe nuk ka dalje te lirë ne qytet e jo më me leje ne shtëpi. Polic civil gjenden ne çdo hap. Kam hall se mos me mbajnë si rezervist, mbasi ata te tjerët i kane mbajtur 8-15 ditë”.

Nga një bisede midis dy nënkolonelëve (nga Nishi dhe Prishtina) del se në zyrën e gjeneral majorit Anton Lukeziç (komandanti i K52 Prishtine) është gjetur një bombe 900 gram. Sipas një të dhëne te datës 27. 4. 1981, e cila kërkon verifikim te mëtejshëm, del se një pjese e forcave te dërguara ne Mitrovicë  ne kohen e demonstratave, janë dislokuar ne Gjakovë. Mobilizimi u ushtareve te rinj është kryer, ndërsa çmobilizimi është shtyre për një kohe te papërcaktuar .

DREJTORI I DREJTORISË SE ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

MINISTRIA E MBROJTJES POPULLORE

SHTABI I PËRGJITHSHËM

Drejtoria e Zbulimit

Tiranë, më 21. 5. 1981

INFORMACION

Mbi gjendjen në Kosovë

Japim një radiogram origjinal të zbërthyer nga reparti i sulmit .

Komanda 211 e Br. T

  1. 5.1981

Seksioni i Mbrojtjes

Komandës së Korpusit 52

Personalisht komandantit gjeneral LUKEZIҪ

Më datën 11.5.1981, Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të njohur komandantit të Brigadës urdhrin e gjeneral Fadil Quranollit se, deri me 20. 5. 1981, materialet, armatimi dhe teknika luftarake të kalojnë nga depot e armatimit në Podujevë për në magazinën  “Marshall Tito” në Prishtinë.

Shefi i Shtabit të mbrojtjes Territoriale theksoi se për këto lëvizje duhet të njoftohet Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës. Për sa sipër komandanti i brigadës kërkoi që t’i jepej urdhri me shkrim. Por Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale i bëri të ditur atij se urdhri i mësipërm është i transmetuar me telefon personalisht nga gjeneral Quranolli. Mbasi erdhi komandanti i Mbrojtjes Territoriale, ranë dakord që, kur të fillojë lëvizja e kolonës, të njoftohet edhe Këshilli i Mbrojtjes Popullore të komunës. U propozua që transporti të kryhet me kamionë “Kosova – Trans” dhe të sigurohet nga efektivi i një toge të Br. 211T.

Komandanti i brigadës dhe komandanti i Mbrojtjes Territoriale ranë dakord që:

– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale të bëjë llogaritë për sasinë e kamionëve që do të nevojiten për transportimin dhe për tërheqjen e teknikes. Për këtë qëllim do të angazhohen njerëz dhe mjete nga efektivi i brigadës. Brigada do të  sigurojë edhe karburantin.

– Shefi i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale do të bëjë plumbosjen e vulosjen e materialeve .

– Ngarkimi i teknikës dhe i armatimit do të kryhet me ushtarë natën. Krahas sigurimit optimal, do të transportohet njëherësh për  në  kazermën “Marshall Tito” në Prishtinë .

Shënim: Nga përmbajtja e radiogramit rezulton:

– Vërtetohet se Br. 211T është  e dislokuar në rajonin e Podujevës (Kjo njësi erdhi në përforcim nga Nishi me fillimin e demonstratave);

– garnizoni i Prishtinës përforcohet me armatime e municione nga depot në Podujevë, që mbahen nën ruajtje nga Br. 211T.

DREJTORI I DREJTORIS SË ZBULIMIT

MEHMET MUSAJ

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …