Vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka marrë një sërë vendimesh me vlerë mbi 30 milionë euro, që sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) janë të kundërligjshme dhe mund të përbëjnë vepra penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Në reagimin e publikuar IKD ka theksuar se këto vendime përfshijnë ndarje fondesh për studentë, bursa mobiliteti, kuponë ushqimi dhe shpronësime, duke i cilësuar si veprime me ndikim elektoral. “Vendimet e marra më 7 tetor, që përfshijnë shuma të mëdha nga buxheti publik, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë. Qeveria në detyrë nuk ka kompetencë për veprime të tilla dhe pjesëmarrja e deputetëve në vendimmarrje si ministra përbën shkelje të rëndë ligjore”, thuhet në reagimin e IKD-së. Sipas organizatës, një pjesë e vendimeve, si shtimi i masës për “Bursën e Mobilitetit për Studentë” në vlerë 20 milionë euro dhe ndarja e 100 eurove për secilin student, si dhe kuponët ushqimorë për familjet në nevojë, janë miratuar pa bazë në planin vjetor të punës së qeverisë dhe jashtë ligjit për buxhetin vjetor. IKD kujton se Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar më herët se një person nuk mund të jetë njëkohësisht deputet dhe anëtar i qeverisë, dhe se çdo vendim i nënshkruar nga persona që mbajnë të dyja funksionet është i pavlefshëm juridikisht. Instituti ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Prokurorisë Speciale të Kosovës që të nisë hetime për “shfrytëzim të detyrës publike për përfitime politike dhe elektorale, përfundon reagimi i IKD-së.
