Ilir MBORJA: “Metohi” – term provokativ që mbart një mentalitet serbomadh

Historiografia e vjetër dhe ajo bashkëkohore e dokumenton bindshëm se, gjatë dyndjeve të tyre barbare në shekujt VI-VII nga Stepat dhe Uralet drejt Ballkanit, sllavët gjetën aty banorë autoktonë, të cilët u tkurrën ndjeshëm nga vala e tyre shfarosëse. Kështu, fiset sllave, erdhën edhe në trevat shqiptare që përfshinin pjesën qendrore të Dardanisë së hershme, përkatësisht në Kosovën e sotme dhe shumë më lart e poshtë saj, si pushtues të trojeve të banuara ato kohë nga fise iliro – arbërore. Për këtë, megjithëse nuk e zënë kurrë me gojë, por gjithnjë e anashkalojnë, janë të bindur në vetvetedhe e pranojnë heshturazi, pothuajse edhe të gjithë historianët seriozë serbë. Kështu, historiografia serbe, kur përpiqet të shpjegojë etimiologjinë e toponimit “Kosovë” e shmang gjithmonë faktin fillestar të shfarosjes barbare që fiset e ardhura sllave i bënë banorëve autoktonë që gjetën aty. Gjithashtu, është shumë interesant të veçohet fakti i energjive që harxhojnë akademikët serbë në drejtim të etimiologjisë së emrit për trevën shqiptare të Kosovës. Historiografia serbe është angazhuar dhe ka punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm për këtë çështje duke filluar që nga vitet e para të shekullit XX. “Ajo vazhdon dhe përpiqet deri më sot, që kuptimin dhe prejardhjen e emrit “Kosovë/a” ta nxjerrë nga gjuha sllave-serbe. Rezultatet e deritashme nga historiografia serbe, do të jenë përgjithësisht të llojllojshme, të sakta e të pa sakta, të deformuara, e për më tepër qëndrime tendencioze e skajshmërisht të politizuara…”-thotë studiuesi kosovar dr. Enver Rexhaj. (shih:http://www.sa-kra.ch/histografkosove.htm) Por mendoj se është shumë domethënës fakti: se përse serbët në vite e kanë ndërruar dhe nuk kanë zënë karar akoma me emërtimin e Kosovës.


Pothuajse në të gjitha shkrimet historike dhe materialin hartografik të historiografisë serbe të fundviteve të shekullit XIX, e duke vazhduar deri në periudhën e Luftës së Parë Botërore, madje herë-herë duke u përdorur deri në ditët e sotme, për Kosovën, hasim nga ata edhe emërtimin në trajtën:


1/ “Kosovë/a” (“Косово”) dëshmohet të thërritej prej kohësh edhe nga vetë serbët, deri në fillim të shekullit XIX.


2/ “Serbi e Vjetër” (“Стара Србија”). Ky term, i përdorur në fillim të shekullit XIX deri më 1920-n, që bazohet mbi teori të sajuara dhe aspak shkencore, është boshti i teorisë pansllaviste për “Serbinë e Madhe”.


3/ “Serbia e Re” (“Нова Србија”). Kështu parapëlqehej nga vitet 1920 e deri në vitin 1940, të shkruhej dhe të thirrej emri i vendit nga serbët.


4/ “Serbia Jugore” (“Јужна Србија”), e gjejmë të thërritet po rreth atyre viteve 1920 – 1940, ku përveç territorit të sotëm të Kosovës, përfshihej dhe territori i Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë së sotme, e më gjerë.


5/ “Kosovë e Metohi” (“Косово и Метохија”) u quajt nga nga 31 janari i1946-ës, kur u miratua Kushtetuta e RFPJ, deri më 7 prill 1963, kur u miratua Kushtetuta e ndryshuar nga “Popullore”, në “Socialiste” RSFJ.


6/ “Kosovë/a” (“Косово”) nga 1968 deri më 28 mars të 1998 kur qeveria e Beogradit anullon forcërisht autonominë që i njihte Kosovës Kushtetuta e RSFJ-së së1974-s.


7/ “Kosovë e Metohi” (“Косово и Метохија”) u riquajt edhe një herë, që më1998-a nga Serbia e Milosheviç-it e deri tek Serbia e sotme e Vuçiç-it.


Dmth, brenda në më pak se100 vjetësh, serbët ia kanë ndryshuar shtatë herë emërtimin Kosovës.


Por emërtimi Kosovë e Metohi, siç do ta shpjegoj më poshtë, mbart në vetvete një mentalitet krejt shovinist e serbomadh. Në atë kohë, ishin të njohura pelivanllëqet e Josip Broz Titos, që për të ruajtur ekuilibrat brenda federatës, përmbushte orekset nacionaliste të sllavëve më agresivë, në kurriz të shqiptarëve. Për këtë, duke rrëmuar nëpër ëndrrat e serbomëdhenjve, gjeti dhe i shtoi Kosovës edhe emrin Metohi. Me këtë veprim antishkencor dhe antishqiptar, Tito plotësonte kështu de facto, dëshirën e serbëve për “Serbi të Madhe” dhe njëkohësisht, i bënte ata të ndiheshin sa më shumë si “zotër shtëpie” në Kosovë. Afërsisht, po me një logjikë të ngjashme, që gjithashtu shpërfillte dhunshëm edhe faktorin shqiptar, bëri dhe emërtimin e Republikës së Maqedonisë në janar të 1946-s. Në atë kohë, duke e cilësuar vetëm si “qesharak” dhe meqenëse nuk kishte se ç’të bënte tjetër, edhe Greqia e mori “me të qeshur” këtë fakt, por që kur u shpërbë Federata Jugosllave dhe ajo, IRJM-ja, do dë dilte tashmë si republikë më vete dhe do të vetëshpallej si: “Republika e Maqedonisë”, punët ndryshuan. Dihet dhe është i njohur reagimi i prerë i Athinës zyrtare për këtë emërtim. Kurrë nuk e pranon atë emër. Po me ne shqiptarët çfarë ndodh? Po Tirana zyrtare si reagon kur ata përdorin termin “Kosovë dhe Metohi”? Me këtë variant emërtimi, e përcaktojnë edhe Kushtetuta e sotme e Serbisë. Kështu u dëgjua dhe më 10 nëntor 2014, kur doli nga goja e kryeministrit serb Vuçiç në konferencën e famëshme të Beogradit. Në replikën e tij ndaj kryeministrit tonë Edi Rama në konferencën e përbashkët të shtypit, mes të tjerash, u dëgjua qartë tre herë termi: “Kosovë (dh)e Metohi”. Mendoj se ja vlen të ndalemi pak te ky moment, tek përdorimi publikisht i këtij termi. Në të tre rastet që përmendi, kryeministri serb, megjithëse i nervozuar(?!), asnjëherë “nuk harroi” ta thotë fjalën “Kosovë” të pashoqëruar me emrin: “[Metohi]”. Emërtimi “Kosovë (dh)e Metohi” ka qenë dhe është plotësisht provokues. Të thuash: “Kosovë e Metohi” mbart në vetvete një mentalitet shovinist serbomadh, dhe vetëm kështu shpjegohet “mos-harresa” e tij. Le ta shpjegojmë se çdo të thotë “[Metohi]”: Emri “[Metohi]” vjen nga greqishtja dhe do të thotë: “[Me]” – është parafjala jonë – “me”, “[to]” – është nyje shquese e shumësit të emrave në gjininë asnjanjëse në këtë rast, dhe “[hi]”- në greqishten e vjetër do të thotë “kishë”.. Pra “[Metohi]” dmth: “ me kishat”. Kështu, kur thuhet “Kosovë dhe Metohi”, siç u tha edhe nga goja e kryeministrit serb Vuçiç, e përkthyer në shqip, do të thotë as më pak e as më shumë: “Kosova me kishat”. Pra kemi emrin e vendit (toponimin) që quhet: “Kosovë”, në mes lidhëzen bashkërenditëse “dhe”,.. dhe pas saj përcaktorin “me kishat”. Logjika e këtij togu të sajuar fjalësh është sa shoviniste, aq edhe banale. Kjo do të thotë, se meqenëse shumë më vonë pasi u dyndën serbët, ngritën edhe ca kisha apo manastire diku aty në Rrafshin e Dukagjinit,.. Kosova qenka Serbi?!. (Sipas kësaj logjike meqenëse në Stamboll ndodhet edhe kisha ortodokse më e madhe në botë, ajo e Shën Sofisë,.. edhe Stambolli i takoka Serbisë?!.) Rregjistrimi i kohës, sipas serbëve, filloka me ndërtimin e kishave?! Por edhe ashtu sikur të jetë, serbët nuk duhet të harrojnë faktin tjetër historik, se shumë nga kishat e tyre ortodokse u konvertuan si të tilla, mu mbi ngrehinat e kishave katolike të shqiptarëve. Kështu psh, kisha më e madhe ortodokse në Kosovë dhe pikërisht ajo e Deçanit në Rrafshin e Dukagjinit, dokumentohet se është ndërtuar mu mbi mbi ngrehinat e kishës katolike të shqiptarëve. Edhe sot, po të shkosh në Nikaj e Mërtur, do të gjesh malësorë katolikë që, kur betohen, përdorin shprehjen e trashëguar në shekuj:”Për kishë të Deçanit”, ç’ka provon origjinën e parë katolike të asaj kishe. Por, nëse serbomëdhenjtë nuk harrojnë ta thonë të vetëm toponimin Kosovë, të pashoqëruar me parafjalën dhe emrin “me kishat”, veç të tjerash, ka edhe diçka që i dekonspiron gramatikisht në këtë bashkangjitje. Analiza e thjeshtë sintaksore e shprehjes “Kosovë dhe me kishat” tregon, se megjithëse ato përdoren bashkë dhe pjesa e dytë “me kishat” tenton të kryejë rolin e përcaktorit, nuk mund të përfillen si togfjalësh. Megjithëse e përdorur dhe të lidhura prej kohësh bashkë, dy emrat “Kosovë” dhe “dhe me kishat” nuk kanë varësi nënrenditje siç e kërkon rregulli i saktë i domosdoshëm për kategorizimin gramatikor të togfjalëshit. Lidhëza bashkërenditëse “dhe” aty mes tyre, e çakordon edhe gramatikisht këtë bashkim emrash të sajuar.


Gjithashtu, nëse në shqip tema e fjalës “[hi]” – (kishë) është konservuar dhe ne kemi sot në shqip, fjalë të prejardhura prej saj, si psh kur i drejtohemi autoriteteve kishtarë: “hirësi/a”, mbiemri “i/e hirshëm(e), apo shprehja me modalitetin detyrues: “me hir ose pa hir”, që në kuptimin fillestar shpjegohet “me kishë apo pa kishë”, ky zhvillim i kësaj rrënje [hi] nuk ka ndodhur në gjuhët sllave. Ky fenomen gjuhësor i munguar tek serbishtja, tregon edhe se sa e vonshme dhe e largët është ajo në krahasim me gjuhët e banorëve të lashtë dhe autoktonë të Ballkanit shqiptarëve dhe grekëve.


Të gjitha argumentimet gjuhësore për toponiminë e emrit “Kosovë”, dhe sidomos ndryshimet e herë pas herëshme të serbëve në emërtimin e saj, shpjegojnë as më pak dhe as më shumë, krizën e teorisë së tyre tragjikomike për “Serbinë e madhe”. Veç kësaj, abuzivizmit gjuhësisht për rivendikim territorial ndaj Kosovës, termi “Metohi”, ashtu si e përdorin Vuçiç-ët, nënkupton përballjet e rrezikshme ndërfetare. Për këtë ngarkesë fetare që mbart, termi “Metohi” është më i rrezikshëm edhe se termi tjetër shoven “Vorio – Epir” që nënkupton Shqipërinë e Jugut. Ashtu si Athina zyrtare, edhe Beogradi duhet ta flakë termin e vet shovinist. Çdo serb i mençur duhet ta kuptojë se, me terma të tilla, nuk shkohet në Europë. Sidomos një serb si kryeministri serb Vuçiç, pjesëmarrës aktiv në krah të kriminelit Sheshel në luftrat e tij ndër etnike në Bosnje, nuk duhet të harrojë kurrë varrezat masive që shkaktuan atje, pikërisht për shkak edhe të spekulimeve të tilla me simbolet fetare. Prandaj, ishte dhe shumë i rrezikshëm provokimi i Vuçiçit në atë konferencë shtypi. Perëndimi dhe NATO-ja duhet të alarmohen për këtë. Heqjen nga kushtetuta serbe të fjalës “Metohi”, Europa duhet t’ia vendosë sa më parë Beogradit zyrtar, si një kusht të domosdoshëm për të vazhduar më tej rrugën drejt saj. Por, më parë këtë, duhet ta kërkojë qartë dhe prerë vetë Prishtina dhe Tirana jonë zyrtare.

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …