Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: A mbeti Kosova pa ushtri “falë” LDK-së?!

Në pranverën e vitit  2014 ishte aktualizuar më shumë se kurrë debati rreth mundësisë së shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Në një dokument ekskluziv, që kishte arritur ta siguronte një gazetë ditore e vendit nga Këshilli  Ndërinstitucional për Rishikimin e Sektorit të Sigurisë që funksiononte në kuadër të zyrës së ish-kryeministrit Hashim Thaçi, thuhej se për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, qeverisë së vendit i kërkohej të bënte disa kompromise me të të ashtuquajturit “miq ndërkombëtarë’.

Ish-kryeministri i asaj kohe, tashmë presidenti i vendit, Hashim Thaçi shumë shpejt kishte bërë me dije se njëri nga këto të ashtuquajtura kompromise që duhej të bënte vendi për formimin e ushtrisë, ishte që pakicave kombëtare t’i vazhdoheshin edhe për një mandat vendet e rezervuara në Parlamentin e Kosovës. Kjo kërkesë e pakicave kombëtare, që në fakt ishte kërkesë e pakicës serbe, mbështetej edhe nga partnerët strategjikë të vendit, dhe e gjithë kjo, në këmbim të votës për krijim e Ushtrisë së Kosovës. Sado irracionale që ishte, në fakt kjo kërkesë po i hapte rrugë një procesi shumë të rëndësishëm në përpjekjet tona për shtetndërtim.

Dihet se sipas Planit të Ahtisaarit, i cili është integruar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendet e rezervuara për pakicat do të vlenin për dy mandate, ndërsa më pas ato do të shndërrohen në vende të garantuara. Mirëpo, kur kihet parasysh fakti se po bëhej fjalë për një vendim kaq të rëndësishëm për vendin, vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara për pakicat kombëtare, e të cilin e përkrahte kryeministri i vendit, e që në atë kohë ishte Hashim Thaçi ishte tejet i akceptueshëm.

Sidoqoftë, në opinionin publik kishin dalë zëra se kjo ide nuk gjente përkrahje nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Pra, sipas asaj që thuhej në atë kohë e që me gjasë po del të jetë e vërtetë, Isa Mustafa ishte kundërshtari më i fuqishëm i kësaj iniciative, e cila në njëfarë mënyrë kundërshtohej edhe nga Lëvizja Vetëvendosje!

Kujtojmë se pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që ishte mbajtur në prillin e 2014-ës, në të cilën ishte diskutuar rreth mundësisë së krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës,  Ismet Beqiri i LDK-së dhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes, kishin dalë kategorikë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për pakicat, ndërsa Adem Grabovci nga PDK dhe Ardian Gjini nga AAK-ja kishin dalë pro këtij vendimi, duke shpjeguar se dobia që do të sillte votimi i shndërrimit të FSK-së në FAK, ishte e madhe në krahasim me dëmin që do të sillte vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara për pakicat kombëtare që zhvillojnë veprimtari politike në Republikën e Kosovës.

Sidoqoftë, kaluan vite e vite dhe debati për mundësinë e krijimit të ushtrisë së Kosovës përplaset herë në njërin e herë në vendin tjetër, ndërkaq zgjidhja për këtë temë kaq të rëndësishme ende nuk duket në horizont. Gjithashtu, jemi dëshmitarë se kohëve të fundit pati një përplasje rreth ushtrisë së Kosovës mes kryeministrit aktual të vendit, Ramush Haradinaj dhe deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Kryeministri Haradinaj ia tha troç deputetit Gashi se ishte pikërisht hezitimi i partisë së tij që Kosova mbeti pa ushtri. Në gjithë këto akuza e kundër-akuza, kuptohet se qytetari i rëndomtë është vështirë t’i jep emër e mbiemër arsyes që edhe pas kaq vitesh të transformimit të TMK-së në FSK, Kosova vazhdon të mbetet pa ushtri, ngase siç dihet pak mund të flitet për parime në politikën e Kosovës.

Megjithatë këtë dileme ‘hamletiane’ do ta zgjidh vet deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili në një studio televizive, indirekt do ta pranojë së partia e tij e la Kosovën pa ushtrinë e saj, dhe vërtetë kjo është e turpshme.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …