leoni

Iliriana Koleka: Sot eshte 7 korrik 2024 e kujtoj me mall e respekt te madh tim ate, Spiro Koleken,1908 – 2001, ne 116 vjetorin e lindjes

Ishte nje njeri i jashtezakonshem per nga vullneti, vlerat morale e mbi te gjitha nga atdhedashuria.. E kujtoj gjithmonë me admirim e respekt të vecante tim ate. Njeri i përkushtuar dhe që dha ndihmesë shumë të rëndësishme për çështjen shqiptare gjatë gjithë jetës së tij në mënyrë të ndershme e pa asnjë përfitim material, jo siç po ndodh rëndshem sot, me politikanët shqiptarë gjatë 33 vjetëve të fundit të sistemit kapitalist.

Spiro Koleka ishte nje komunist atdhetar, shok i armeve i Enver Hoxhes, nje nga udheheqesit me me ze te qeverise socialiste, qe dha ndihmesen e tij madhore, aq sa u quajt babà i ndertimeve, ne ndertimin e shtetit shqiptar nga tharja e kenetave ne ngritjen e fabrikave e hidrocentraleve, shume nga te cilat ia shiti te huajve antishqiptari katil e obskurantist Sali Berisha, si Bistrica 1 e 2, Ulza e Shkopeti. Po te njejtem gje beri ky shpellar i Neandertalit dhe me 500 fabrika te trasheguara nga sistemi socialist, te cilat im ate i kishte ndjekur hap pas hapu qe nga projekti e deri ne zbatimin e funksionimin e tyre dhe qe antishqiptaret berishjane i cuan ne skrap. Kujtoj me nostalgji tere heret, qe me ka marre me vete per t’i vizituar, keto fabrika, qe nga ajo e letres, e bakrit ku nxirrej dhe ari, e plehrave azotike, e metalurgjikut, autotraktoreve etj Im ate ishte koka e kontrollit, ndjekes e zbatimit te projekteve te te gjitha urave, rrugeve e veprave inxhinjerike te mrekullueshme te Shqiperine socialiste. Ne ndertimin e cdo vepre ai morri pjese plotesisht ose pjeserisht dhe me gjithe trishtimin qe ato u prishen, u shkaterruan ose u shiten te huajve, kujtimii i veprave qe la pas im ate mbetet ne zemrat e mendjet e shqitareve.
______
Po sjell ketu jeteshkrimin e tij te shkurter, osé si e kujton i nderuari shkrimtar vunjotes Anastas Kondo babain tim dhe nje vjershe te shkruar prej meje vite me pare ne nder te babait.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij!
___________
Anastas Kondo
FENOMENI KOLEKA
M 23 gusht të këtij viti, Tirana u gdhi më e varfër, Shqipëria humbi një nga burrat më të shquar të saj, vdiq patriarku i fundit i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, Spiro Koleka.
I përkryer në ndershmëri, i paisur me virtyte, patriot i përkushtuar tërësisht ndaj punës, si askush tjetër. Themi me plot gojën “fenomeni Koleka”, se i tillë ishte! Njerëz me virtyte dhe jetë të jashtëzakonshme si ai, i vijnë rallë, shume rallë kombit tonë të vuajtur. Ishte padyshim, njeri me karakter të fortë, si betonarmeja e ndërtimeve të tij, me vullnet të çelniktë e me pasion titanik.
Ai nuk ka vetëm meritën se ishte një nga udhëheqësit më të spikatur të shtetit shqiptar për gati gjysëm shekulli të pasluftës botërore, po ishte i pari ndër të parët e atyre që i vunë themelet e gurta Shqipërisë së Re. Ai ishte model i njeriut punëtor, që vlerën e tjetrit e maste me metrin e punës. Ndoshta i vetmi inxhinjer i brezit të tij, që u bashkua me partizanët për çlirimin e ndërtimin e Shqipërisë së luftës.
Kur shumë nga kolegët e tij ndërtonin vila për vete e për kuislingët, Koleka vuri jetën e vet në altarin e shënjtë të luftës së shënjtë. Ishte nga të paktët njerëz që nuk i ndanë kurrë fjalët nga vepra. Krejtësisht i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime. Ditën, kur bashibozukët e katilët shqiptarë e nxorrën me dhunë bga shtëpia, ai doli me ç’kishte veshur dhe e vetmja pasuri e tij qenë librat. Ai rroi gjatë, sepse jetoi me punë dhe vetëm për punën!
Lindi në Vuno të Himarës më 7 korrik të vitit 1908, që siç thotë kënga: “Vitin që shkoi komiti – Thanë Himara kryengriti”.
Ishte viti i kometës Hallei dhe i kryengritjes për pavarësi të Shqipërisë. Lindi ë një familje me tradita të zjarrta patriotike. Një tjetër Spiro Koleka i fisit të tij, qe ministër i qeverisë së Tiranës më 1920, dhe një nga organizatorët e luftës së Vlorës, që e hodhi Italinë në det. U rrrit jetim me ison e këngëve të kapedanëve Nase Labi e Nase Beni. Mbaroi shkollën fillore në Vuno me mësuesin e popullit Naqe Konomi. I pari në mësime. Fshatçe i dhanë bursën të vazhdonte në kolegjin klasik të Shën Dhimitër Koronës, themeluar nga De Rada i madh në Arbër të Italisë.
Përsëri i pari i shkollës, fitoi bursën për universitetin e lashtë të Pizës, të atij universiteti ku kishte dhënë mësim vetë Galileo Galileu. Duke parë se Shqiperisë i mungonin rrugët, hidroçentralet, fabrikat, hekurudhat, nuk vazhdoi studimet klasike për gjuhësi apo histori, për çka kishte mbaruar liceun, po për inxhinjeri ndërtimi.
Si poliglot që zotëronte latinishten e greqishten e vjetër, që fliste lirshëm italishten, greqishten e re dhe frengjishten dhe kuptonte mirë anglishten dhe rusishten, ai mund të bëhej koleg me bashkënxenesin e vet Eqerem Çabejin. Si i apasionuar pas historisë, na ka lëne një dorëshkrim për pellazgët dhe një tjetër të historisë së Himarës, si dhe kujtimet e tij te luftës. Ai mund të ishte koleg me Aleks Buden. Por jo! Ai zgjodhi fushën më konkrete të jetës shoqërore, ndërtimet.
Si mbaroi me shume sukses studimet, punoi në Shkodër, ku pati dhe koleg arqitektin dhe piktorin e shquar, Kol Indromenon. Pushtimi fashist i 7 prillit 1939 e gjeti në Shkodër, ku shpëndau dorazi, të shkruar nga ai vetë, ndoshta traktin e parë antifashist shqiptar.
Një vit më vonë erdhi në Tiranë. ku u lidh me bashkëfshatarin e bashkëmoshatarin e tij, Heroin e Popullit, Kozma Nushi, që po ashtu në atë vit 1940 la Francën, për të çliruar Shqipërinë. Ai përqafoi idetë komuniste e u bë anëtar i Partisë Komuniste në shkurt të 1943. Katër muaj më vonë, më 10 korrik u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në Komitetin Antifashist u ngarkua me Punët Botore. Në tetor 1944, në Berat u zgjodh Ministri i Parë i Punëve Botore i kohës, kur duhej të ndertohej Shqipëria. Kur vendi filloi të ngrinte shtepitë e urat e djegura, hekurudhat e para, fabrikat, uzinat, kombinatetet dhe hidroçentralet, që dhe sot e kësaj dite na mbajnë me dritë, Spiro Koleka ishte Ministri i Ndërtimeve për gati tre dekada, nënkryetar i Këshillit te Ministrave, Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe, së fundi, nënkryetar i Presidiumit të Kuvëndit Popullor. Hero i Punës Socialiste, jo se i dhanë këtë urdhër të lartë, po sepse qe shëmbëll i vetëm i dashurisë për punën dhe një nga burrat më punëtorë që ka patur ndonjëherë shteti shqiptar.
Populli e deshi dhe e çmoi shumë e nuk është e rastit që qysh nga viti 1945, për gati gjysëm shekulli, qe deputet i përhershëm i Vlorës në të gjithe legjislaturat e Kuvëndit Popullor.
Për dashurinë e tij ndaj pastërtisë së gjuhës shqipe, ishte i papajtueshëm deri në mani. Morri pjesë aktivisht, në redaktimin e fjalorëve te terminologjisë shkencore për inxhinjerët. Akademia e Shkencave, Radio Televisioni dhe Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e dinë ç’kanë “hequr“ prej merakut te tij për pastërtinë e gjuhës. Rrënjët e shqipes i çonte përtej ilirishtes, në pellazgjishten Biblike.
Humbja e Spiro Kolekës krijon boshlëk të madh në jetën shoqërore tonën. Asaj do i mungojë njeriu i idealeve të vërteta, që nuk scite dhe nuk blihet dot, do t’i mungojë luftëtari i emancipimit njerëzor.
Kolekës së parë populli i këndoi “Spiro Kolekë Vunoi / Himarën seç nderoi”. Kolekës tonë, populli e përjetësoi me : “Spiro Kolekë Fajkoi / Shqipërinë ç’e zbukuroi”.
Jam krenar që e pata mik, jam i lumtur që jetuam në një kohë me të.
—-
I Koleka
Dallgët godasin bregun e Jalit
Derdhen e përplasen mbi shkëmbinjtë me furi
Pastaj tërhiqen e i mbajnë iso malit
Që bashkë me mua vajton përsëri
Në këngën time labe Mjegulloshi
Në çdo 23 të gushtit i’a mban me vaje
Bëjnë iso Bokërimat e shën Spiridhoni
Dhe zogjtë marrin pjesë me cicërima në qarje.
KËNGË LABE PËR TIM ATË
I’a thotë Iliriana Koleka, e bija e Spiros, i’a mban Mjegulloshi nga Vunoi
Të nderoj, o atë!
Për gjithë ata që s’të kanë dashur
Ata që të shanë sot, dje e pardje
Ata që do të sulmojnë nesër
Si shok i Enverit, komunist e i pafe
Të nderoj, o atë!
Për gjithë ata që vëndin e mohuan
Dheun ku kaluan fëmijërinë e rininë
Ata që për parà e zëvëndësuan
Ndruan emrin, mbiemrin e kombësinë
Të nderoj, o atë!
Për gjithë ata që udhëhoqën pas brezit tënd
E këtij vëndi i hëngrën mëlçinë
Për atat që lanë pas të vdekurit e Vlorës
Dhe bënë shitje deti me Greqinë
Të nderoj, o atë!
Për gjithë bajlozët e malit, fushës e detit
Për gjithë bajlozët shqiptarë të rinj
Për ata që Shqipërisë i’a duan të keqen
Pëllcitën Gërdecin e shkatërruan ushtrinë
Të nderoj, o atë!
Po s’jam vetëm unë që të nderoj sot
Janë gjithë ata që Shqipërinë e duan
Të fortë e në trojet etnike
Jo prej letre e në dorë të huaj.
————————-
Sot eshte 7 korriku, dita e lindjes e babait tim te dashur, Spiro Koleka, E kujtoj me mall. Ne kete video, babait i jepet nga Ramiz Alia medalja e Heroi te punes socialiste.

Kontrolloni gjithashtu

Selam Musa Salaria (1860-1920) luftëtari popullor që mundi italianët në Vlorë në vitin 1920

Selam Musa Salaria (1860-1920) luftëtari popullor që mundi italianët në Vlorë në vitin 1920

Selam Musai lindi më 1860, në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita …