Ilirianë Faton Mehmetaj: Kuvendi i Kosovës ka nevojë për një frymë të re

Ilirianë Faton Mehmetaj: Kuvendi i Kosovës ka nevojë për një frymë të re

RKL: Për fillim, a mund t’u prezantoheni dëgjuesve tanë me disa të dhëna nga jeta juaj personale dhe profesionale, duke na treguar për prejardhjen familjare dhe rrugëtimin tuaj deri më sot?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Po, kam lindur në vitin 1998 gjatë luftës. Jam psikologe me profesion. E kam mbaruar magjistraturën për psikologji dhe do të vazhdoi me studime doktorate jashtë shtetit, e dua shumë profesionin e psikologes. Jam nga fshati Pozhar, kam lindur në një familje arsimdashëse, gjyshi im, Bajram Mehmetaj ka qenë magjistër i gjuhës shqipe dhe autor i disa librave shkencore dhe publicistike, gjyshi ka qenë i përndjekur dhe i burgosur politik, ndër pishtarët e hershem të arsimit. Edhe vëllai i gjyshit Ahmet Pozhari ka qenë i shkolluar, magjistër i letërsisë dhe shkrimtar. Këtë rrugëtim e kanë ndjekë edhe brezi i ri, që janë të shkolluar dhe të arsimuar lartë. Në vitin 1916 me sa mbaj mend nga rrëfimet e gjyshit, në shtëpinë tonë, tani kulla muze e Ali Mehmetit të Pozharit dhe në mejtepin e xhamisë, ka qenë e vendosur shkolla shqipe me mësuesin e parë Ibrahim Fehmiu. Edhe babi im Fatoni ka arsimim të lartë, është shkrimtar dhe autor i mbi 30 librave dhe qindra artikujve të publikuar në shtypin e kohës, ka qenë edhe i burgosur politik, dhe njëri prej themeluesve të UCK-së. Po ashtu edhe mami ka qenë e burgosur politike, dhe është profesoreshë e gjuhës shqipe në gjimnazin Vëllezërit Frashëri në Deçan. Në shtëpinë tonë e kemi edhe bibliotekën që e ka ngritë gjyshi dhe babi që është ndoshta ndër më të mëdhatë në Kosovë për tituj të librave. Në luftën Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë e gjithë familja jonë e gjerë. Në këtë luftë i kemi dy dëshmorë Kadri Muhamet Berishën, ndër luftëtarët e hershëm të UÇK-së, dhe Shkëlzen Gani Berisha po ashtu dëshmorë i kombit. Si familje e gjerë në popull njihem si familja e Demë Ali Pozharit. Familja ime mbiemrin Mehmetaj e mbajmë në bazë të Mehmet Alisë së Pozharit i cili ka ra në luftën e Sarajt kundër Mehmet Ali Pashë Maxharit në vitin 1878, i cili kishte ardhur për të bërë pazare me tokat shqiptare.

RKL: Cili ka qenë rrugëtimi juaj arsimor dhe profesional dhe si mendoni se kjo përvojë ju ka përgatitur për angazhimin politik dhe institucional?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Shkollën fillore e kam mbaruar në Beleg, të mesmen në Gjimnazin V.Frashëri në Deçan, fakultetin dhe magjistraturën në Prishtinë dhe jam duke u përgatitur për studime doktorate jashtë vendit. Familja jonë në të gjitha kohërat është marrë më organizime politike dhe shoqërore, dhe ka qenë shembull i progresit dhe mbështetjes pa rezervë të zhvillimit të shtetit dhe kombit shqiptar. Kulla që është muze sot, ka qenë vend i takimeve dhe i disa tubimeve historike ku janë marrë vendime të mëdha, për çështje kombëtare. Poashtu në ngritjen e flamuit në Vlorë më 1912 ka marrë pjesë Sylë Mehmeti i Pozharit dhe disa luftëtar tjerë të Deçanit. Edhe babi është marrë më organizime të ndryshme. Jam rritë në mesin e bashkëluftëtarëve të babit, dhe të njerëzve më ndikim të madh në Kosovë dhe trojet shqiptare. Këto rrethana më kanë motivuar që të jem kandidate për deputete, për shkak se në parlament duhet të jetë një zë i fort i rinisë dhe i femrës, edhe pse parlamenti ynë ka pasur femra shumë të zonjat në politikë.

RKL: Ju jeni kandidate për herë të parë në zgjedhje. Çfarë ju ka motivuar personalisht që të hyni në garën politike në këtë moment të jetës suaj?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Garës për deputete i hyra në një kohë shumë të vështirë, në zgjedhje të jashtëzakonshme, pa përgatitje të mëdha, e gjithë kjo për shkak të bllokimit të Kuvendit të Kosovës, edhe ashtu këto katër vite institucionet e qeverisjes Kurti nuk kanë qenë funksionale, është vërejtur një bllokim i qëllimshëm. Edhe zëri i opozitës në zhbllokimin e ngërçit politik nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ne duhet të jemi të unifikuar për të mirën e Kosovës. Kërkohet një frymë e re në të gjitha partitë politike, jemi duke u përballur me sfida të mëdha globale, në rajon dhe botë. Për ti përballuar këto sfida dhe për ta ruajtur vertikalitetin e shtetit kërkohet unitet i madh, koordinim mes veti dhe duhet të kemi projekte të forta që i përballojnë çdo goditjeje.

RKL: Pse e zgjodhët Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, si subjekt politik për këtë garë dhe cilat vlera të kësaj partie i konsideroni më të afërta me bindjet tuaja?

Ilirianë Faton Mehmetaj: E zgjodha Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës si subjekt politik për të qenë pjesë e garës për deputete, sepse që nga fillimi kemi qenë pjesë e këtij subjekti politik, kemi qenë në të gjitha kohërat pa kursyer asgjë në mbështetje të liderit të AAK-së z.Ramush Haradinaj, por edhe familja ime e ngushtë dhe e gjerë ishin të kyçur në radhët e UÇK-së nënë udhëheqjen e Ramush Haradinajt i cili ka qenë Komandant i Zonës Operative të Dukagjinit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është subjekt shpirtëror i imi dhe i familjes tonë, nuk e ndërrojmë më asgjë, është parti që ka nxjerrë shumë kuadro dhe njerëz të zotët që i kanë shërbyer Kosovës më ndershmëri. Lideri i AAK z. Ramush Haradinaj është person që e donë përparimin e Kosovës, është person që ka dhënë shumë për Kosovën, gjysma e familjes së tij janë dëshmorë, edhe pjesa tjetër që kanë që kanë shpëtuar nga lufta i kanë nga 10-12 plagë në trup. Ramushi më familje ka pas një barrë të madhe mbi supe, janë themeltar të lirisë, janë protagonistë të fitoreve të mëdha të Kosovës, sepse Kosova ka qenë nën një robëri të egër dhe një pjesë e madhe e popullatës kan jetuar në kushte të vështira. Liria që e gëzojmë sot i ka themelet në familjen e tyre, nga Smaj Haradinaj e Hilmi Haradinaj nga Ramushi, Luani e Shkëlzeni, nga Himë Haradinaj dëshmor i parë, nga Daut Haradinaj i cili bashkë me Mujë Krasniqin e Rexhep Selimin për herë të parë e legalizuan UCK-në, nga Enveri e Agroni, Nasimi e Bujari udhëheqës dhe nismëtar të UCK-së, që secili prej tyre e ka historinë më të madhe se të tjetrit. Unë kamë qenë në të gjitha kohërat pjesë e kësaj shtrese shoqërore, buroj nga kjo strukturë, sa i përket orientimit tim politik, këtu e ndjej veten si në shtëpinë time.

 

RKL: Nëse fitoni besimin e qytetarëve dhe zgjidheni deputete e Kuvendit të Kosovës, çfarë kontributi konkret mendoni se mund të jepni ju personalisht dhe profesionalisht?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Kuvendi i Kosovës ka nevojë për një frymë të re, disa politikan me ndikim të madh nga një herë po vendosin interesat personale dhe partiake mbi ato të shtetit, këto katër vitet e fundit u bë një degradim i skajshëm i jetës politike dhe institucionale në Kosovë. Nëse arrijë të bëhem deputete e Kuvendit të Kosovës, tërë potencialin tim dhe të atyre që do të jenë të një mendimi me mua, do t’ia kushtoj rinisë, kushteve, gjetjes së mundësive për punësim, shkollim dhe perspektiva për ta. Do të fokusohem me disa projekte për ti ndihmuar shtresat që janë skajshmërish të varfra dhe njerëzit më nevoja të veçanta. Këto projekte janë prioritet i jetës sime, do të gjejë mundësi për ti realizuar edhe nëse nuk arri të bëhem deputete. Ky është projekt i imi, të cilit do të ja kushtoj një kohë të caktuar. Ne kuvend ky projekt është më lehtë i realizueshëm për shkak se aty ka lloj lloj mekanizmash që mund të gjenden moduse dhe mundësi më të lehta për tu realizuar këto projekte.

RKL: Cilat janë fushat me prioritet ku do të fokusoheni si deputete, a do të jenë ato çështje sociale, ekonomike, arsimore apo fusha të tjera me interes për qytetarët?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Kosova ka nevojë për kuadro të reja, që kanë një lidhje dhe koordinim edhe me kuadrot e partive tjera të Kosovës të cilat punojnë dhe koordinohen për një Kosovë të përparuar, për një Kosovë të zhvilluar dhe me perspektivë për të ardhmen e brezit të ri, i cili në mungesë të perspektivës ka zgjedhë rrugën e braktisjes së Kosovës. Unë personalisht do të fokusohem në çështjet sociale, që janë shumë të rëndësishme për krijimin e vetëdijes më të lartë të kujdesit dhe dashurisë ndaj shtetit dhe zhvillimit të institucioneve në drejtim të promovimit dhe zhvillimit të një shteti modern demokratik, me perspektivë evropiane. Domosdoshmërish duhet të krijohet brezi i veprimtarëve dhe politikanëve të ri me vizion të qartë për Kosovën e zhvilluar dhe me perspektivë për të ardhmen.

RKL: Si po zhvillohet fushata juaj në terren dhe si po e përjetoni komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët nëpër takime dhe aktivitete zgjedhore?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Fushata edhe pse e shkurtër dhe e jashtëzakonshme, është duke u zhvilluar në nivel të lartë, jam falënderuese ndaj Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, përkrahësve të mi dhe gjithë votuesve ngado që janë. Është kënaqësi me qenë pranë popullit dhe me i dëgjuar kërkesat e tyre dhe hallet më të cilat përballen ata. Në takime me qytetar e shef të vërtetën sa e vështirë dhe sa përgjegjësi është më qenë përfaqësues i popullit.

RKL: Sa po ndiheni e pranuar dhe e mbështetur nga elektorati dhe çfarë reagimesh po merrni nga qytetarët lidhur me programin dhe vizionin tuaj politik?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Po, unë jam shumë e pranuar dhe e mbështetur nga populli i Deçanit dhe Dukagjinit dhe i gjithë Kosovës, sepse vi nga një familje e njohur gjatë historisë për tradita atdhetare dhe për kontributin që e kanë dhënë gjatë historisë. Kjo më ka ndihmuar të depërtoj më lehtë tek masat popullore dhe tek përkrahja e njerëzve. Përmes kësaj përkrahje e kam vrejtur direkt çka do të thotë më qenë familjar i një familje të nderuar që ka kontribuar gjatë historisë. Është ndjenja që unë nuk mund ta përshkruaj sa e fuqishme është. Jam mirëpritur kudo që kam shkuar, programi im politik është i pranuar sepse ka të bëj më përkrahjen e shtresave më të ndjeshme të shoqërisë.

RKL: Rinia është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë, por edhe një nga kategoritë më të zhgënjyera. Cili është vizioni juaj për të rinjtë e Kosovës dhe çfarë politika konkrete do të mbështesni për t’u krijuar atyre mundësi reale në vend?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Po, është e vërtetë rinia është shtylla e shoqërisë, pa të nuk ka forcë, zhvillim as të ardhme. Edhe pse jemi një vend i vogël, e kemi numrin më të lartë të të rinjve në Evropë. Edhe përkundër kësaj, rinia është kategori e zhgënjyer për shkak se nuk ka programe të qëndrueshme që janë në shërbim të rinisë dhe zhvillimit të brezit të ri. Kjo është arsyeja pse rinia po ikin nga Kosova drejt vendeve të Evropës për një jetë më të mirë. Gati në të gjitha rastet të rinjtë janë lënë jashtë politikave qeveritare, ne duhet të bëjmë çmos që rinia e Kosovës duhet të zhvillohet në Kosovë e jo jashtë saj. Edhe ata që janë jashtë Kosovës (në mërgatë) përmes programeve dhe projekteve që do ti aplikojmë në të ardhmen, do të inkorporohen brenda politikave qeveritare në angazhimet publike ku do ta japin kontributin e tyre në ndërtimin dhe përparimin e shtetit të Kosovës.

 RKL: Shumë të rinj po e shohin emigrimin si zgjidhje të vetme. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë urgjentisht në Kosovë që rinia të zgjedhë të ndërtojë të ardhmen e saj këtu?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Në periudhën e tranzicionit kishte shumë emigrime, po ashtu edhe gjatë luftës pothuajse pjesa dërmuese e popullatës u detyruan më dhunë ta lëshojnë Kosovën, por pasi përfundoi lufta ata u kthyen në vatrat e tyre, ky akt ishte unik dhe që nuk kishte ndodhur ndoshta asnjë herë gjatë historisë, ky akt u vlerësua shumë nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Por me kalimin e kohës, rinia erdhi deri tek një dëshpërim i madh, për shkak se nuk u punua në projekte për zhvillimin e brezit të ri, mungonte punësimi, rritja e mirëqenies, strehimi, përkrahja në shkollim dhe mundësia për punësim. Për ta ndalur fluksin e emigrimit të të rinjve, duhet të fokusohen të gjitha partitë politike të Kosovës, dhe të punojnë në përmirësimin e standardit dhe mirëqenien e brezit të ri, që të ndalet emigrimi.

RKL: Si mund të përfshihet rinia më aktivisht në vendimmarrje dhe në jetën politike, dhe çfarë roli do të luanit ju për ta fuqizuar zërin e tyre në Kuvend?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Kuptohet rinia përfaqëson njërën nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit shoqëror, duke qenë njëkohësisht burim energjie, inovacioni dhe ndryshimi. Koncepti i përfshirjes së rinisë në vendimmarrje dhe në jetën politike është i gjerë dhe ka për bazë përfshirjen aktive të të rinjve në vendimmarrje dhe në proceset demokratike, politikëbërse, sociale dhe ekonomike, me fokus fuqizimin e tyre si individë, por edhe si shoqëri në jetën politike dhe shoqërore. Unë do të fokusohem siç e thash edhe më lartë në krijimin e kushteve të nevojshme për aktivizimin, pjesëmarrjen dhe mbështetjen e të rinjve në jetën politike dhe shoqërore. Unë do të bashkëpunoj vazhdimisht me organizatat që ushtrojnë veprimtari në fushën e rinisë dhe do të paraqes programe dhe projekte në vazhdimësi që i ndihmojnë të rinjtë për të krijuar kushte dhe rrethana të favorshme për këtë shtresë të shoqërisë. Do të punoj që edhe të rinjtë shqiptarë në diasporë të lidhen më Kosovën përmes programeve të caktuara duke bërë edhe shkëmbimit e përvojave të të rinjve shqiptar nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe vendet tjera shqiptare, për ti ndihmuar të rinjtë e Kosovës, për të arritur suksese në stabilitetin e tyre në Kosovë.

RKL: Në fund, cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës? Pse duhet t’ju votojnë ju dhe çfarë përfaqëson emri juaj në këtë garë zgjedhore?

Ilirianë Faton Mehmetaj: Kuadër i ri, frymë e re, Mesazhi im për qytetarët e Kosovës është i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë: Kosova ka nevojë për përfaqësim njerëzor, profesional dhe me integritet. Unë nuk vij në politikë për poste, por për përgjegjësi. Si psikologe me profesion, unë e njoh nga afër realitetin e qytetarëve – sfidat sociale, presionin ekonomik, pasigurinë emocionale dhe nevojën për politika që vendosin njeriun në qendër. E kërkoj votën tuaj sepse besoj se vendimmarrja duhet të bazohet në ndershmëri, dëgjim dhe dije, jo në premtime që nuk realizohen asnjëherë. Emri im në këtë garë përfaqëson: zë të fuqishëm të qytetarit përfaqësim të grave dhe të rinjve, profesionalizëm dhe etikë në politikë, dhe angazhim të palëkundur për drejtësi sociale, shëndet mendor dhe zhvillim të qëndrueshëm. Qytetarët duhet të më votojnë sepse unë nuk premtoj çka nuk mund ta realizoj – premtoj punë, përkushtim dhe llogaridhënie. Jam këtu për ta bërë politikën më njerëzore dhe shtetin më afër qytetarëve.

RKL: E nderuar Ilirianë Mehmetaj, ju falënderojmë për kohën që ndatë me Radio Kosova e Lirë. Ju urojmë shumë sukses në këtë garë zgjedhore dhe shpresojmë t’ju shohim në ulësen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke realizuar synimet dhe angazhimet që i po i prezantoni para qytetarëve.

Ilirianë Faton Mehmetaj: Faleminderit shumë për ftesën dhe hapësirën që më dhatë. I falënderoj sinqerisht Radio Kosovën e Lirë dhe dëgjuesit për vëmendjen. Ishte kënaqësi të ndaj vizionin dhe angazhimin tim me qytetarët e Republikës së Kosovës. Besoj se vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut dhe përkushtimit të ndershëm mund ta ndërtojmë një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më afër qytetarit. Ju faleminderit dhe ju uroj punë të mbarë.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: Shoqata “Arbëria” në Ungër një nga qendrat e vitalitetit të arbëreshëve

Isuf Ismaili: Shoqata “Arbëria” në Ungër një nga qendrat e vitalitetit të arbëreshëve

[Pjesa e dytë e intervistës  me kryetaren e shoqatës “Arbëria” në Ungër (it. Lungro), të …