leoni

Institucionet në Malishevë ju bëjnë apel qytetarëve për respektimin e masave kundër COVID-19

Komuna e Malishevës, Policia e Kosovës dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë, pas një takimi të përbashkët të udhëheqësve të tri institucioneve, ju kanë bërë apel qytetarëve që të zbatojnë vendimet dhe udhëzimet e IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për tu mbrojtur nga COVID-19. Krerët e të tri institucioneve në Malishevë, e kanë bërë këtë apel, pasi në ditët e fundit ka pasur disa raste të vdekjeve, ndërsa pjesëmarrja në ceremonitë e varrimit ka qenë në kundërshtim me vendimet e institucioneve përgjegjëse shëndetësore, dhe si pasojë mund të kemi përhapje të virusit dhe dalje të situatës jashtë kontrollit. Për këtë qëllim sot kanë mbajtur një takim të përbashkët, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, kryetari i Bashkësisë Islame në Malishevë, Sead Paçarizi dhe drejtori i inspektoratit Dibran Kastrati, të cilët kanë kërkuar nga qytetarët që të zbatojnë vendimet dhe udhëzimet e institucioneve shëndetësore. “Jemi duke u përballur me një gjendje emergjente shëndetësore, si pasojë e pandemisë së COVID-19, prandaj, kërkojmë nga të gjithë, pa dallim, që të zbatojnë në përpikëri vendimet dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse shëndetësore, e në këto vendime ndalohet edhe grumbullimi i qytetarëve, përfshi edhe ceremonitë e varrimit. Qytetarë të nderuar, grumbullimet e tilla, me vështirësi kontrollohen, prandaj të mos bëhemi shkaktar të përhapjes së virusit, ta mbrojmë veten tonë, ti mbrojmë të afërmit tanë dhe ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve pa dallim. Mbrojtja është arma e vetme e luftimit të kësaj pandemie, prandaj, të reduktohet pjesëmarrja në ceremonitë e varrimeve, dhe ato të zhvillohen vetëm me rrethin e ngushtë familjar”, thuhet mes tjerash në apelin e krerëve të tri institucioneve, drejtuar qytetarëve. Komuna e Malishevës, dhe të gjitha institucionet tjera, i shprehin ngushëllime familjes së biznesmenit nga Bubaveci i Malishevës, Latif Kryeziut, vdekja e të cilit është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por edhe për Malishevën dhe vendin. Në të njëjtën kohë kërkohet mirëkuptim nga të gjithë miqtë dhe komuniteti i biznesit, që me rastin e varrimit të tij, që pritet të bëhet sot në Bubavec, të mos grumbullohen për ceremoninë e varrimit dhe pjesëmarrja në varrim të jetë sa më i reduktuar, pasi kjo mund të rrezikoj seriozisht shëndetin e qytetarëve, sepse virusi COVID-19, është prezent dhe kjo mund të sjellë probleme serioze në përhapjen e tij dhe rrjedhimisht situata të dalë jashtë kontrollit.

Kontrolloni gjithashtu

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt, shumë i rëndësishëm për …