Intervistë me Ali Gashin, djali i dëshmorit të kombit, Metush Gashi

Intervistë me Ali Gashin, djali i dëshmorit të kombit, Metush Gashi

RKL: Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë, Ali i  nderuar?

Ali Gashi: Mirë se ju gjejë, faleminderit për ftesën. Kam nderin dhe kënaqësinë të gjendem në radion ku kumbon zëri i luftëtarit të lirisë.

 

 RKL: Babi Juaj ishte kundërshtar i përbetuar i regjimit  Titist, dhe familja e Juaj gjithnjë ka qenë në shënjestër të armikut,  sa ka qenë e vështirë fëmijëria e Juaj, çka ju kujtohet nga aktiviteti  patriotik i babit Tuaj?

Ali Gashi: Ashtu siç thatë edhe ju, aktiviteti i babait bëri që regjimi Titist ta kishte në shënjestër familjen tone, ku kujtojmë arrestimin e tij në vitin 1956 me ç’rast maltretohet dhe i merret arma. Pastaj sakrificat dhe mundimin e tij për ta mbajtur familjen. Babai nuk iu dorëzua asnjëherë sprovave të jetës dhe trysnisë së regjimit por deri në frymën e fundit qëndroj stoik.

 

RKL: Babi i Juaj ishte në moshë kur ra dëshmor dhe ishte humbje  për UÇK-në, por edhe për  familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

Ali Gashi: Po, përkundër viteve që kishte ai luftoj me vullnetin e një të riu për lirin e Kosovës dhe me nder e krenari mbaj kontakte e vizita me shumë nga bashkëluftëtarët e tij.

 

RKL: Cilët kanë qenë bashkëluftëtarët e tij në fillimet e luftës, me  cilët ka zhvilluar më shumë aktivitet luftarak?

Ali Gashi: Bashkëluftëtar Metushi kishte: Qerim Berishën (mixha), Kapllan Nikçin, Ekrem Berishën, Muharrem Morinën, Emin Berishën, Tahir Shalën, Ibish Dervish Berishën, Istref Berishën e shumë të tjerë me të cilët zhvilloi aktivitetin e tij luftarak.

 

RKL: Na tregoni për familjen, rrethin ku jetoni?

Ali Gashi: Babai la pas vetës 7 djem dhe 4 vajza, disa prej të cilëve janë bërë edhe gjyshër. Ka nga ne që kanë dalë për të jetuar në Perëndim. Por ne si familje jetojmë në fshatin Nabërgjan të komunës së Pejës.

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga  institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Ali Gashi: Kem pasur përkrahje institucionale deri sa nëna ishte gjallë ku e gëzonte pensionin e familjeve të dëshmorëve. Kurse sot për sot nuk kem përkrahje shtetërore dhe nuk kemi asnjë të punësuar në institucione të shtetit. Sa i përket shoqërisë, ata gjithmonë ishin në krahë të familjes sonë.

 

RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht  tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju  familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?

Ali Gashi: Ndarja ose kategorizimi i dëshmorëve, ku kauzën kombëtare e kishin të përbashkët është e papranueshme. Ne si familje të dëshmorëve jemi kundër dallime të tillë. Por le të mbetet tek ndërgjegjja e gjithë secilit për veprimet e veta.

 

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Ali Gashi: Jo, nuk jemi duke bërë mjaftueshëm. Mendoj që ne bashkërisht duhet të punojmë dhe ta qojmë në vend amanetin e dëshmorëve. Të bashkuar arrijmë të jemi fitimtar.

 

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, letër apo shkrim të Tij?

Ali Gashi: Nga ato pak gjëra që na shpëtuan nga lufta, kemi një kuti të duhanit e cila ishte e babait dhe disa fotografi të tij.

 

RKL: I nderuar Ali, faleminderit për kohën që ndatë me ne për realizimin e kësaj interviste. Ne të urojmë shëndet e gjithë të mirat në jetë.

Ali Gashi: Faleminderit ishte kënaqësi dhe nder për mua.

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …