Intervistë me drejtorin e Ndërmarrjes “Trepça”, z. Ferat Shala

RKL: Mirë se erdhët në valët e Radios Kosova e Lirë

Ferat Shala: Mirë se ju  gjej, dhe përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radios Kosova e Lirë

RKL: Z.Ferat Shala, për fillim të bisedës në studion e Radios sonë, a mund të na thoni se në çfarë gjendje e keni gjetur ndërmarrjen Trepça në kohën kur u zgjodhët menaxher dhe cilat janë të arriturat në këtë drejtim?

Ferat Shala: Dhe një here ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më dhatë që dëgjuesve të Radios Kosova e Lirë t’ i ndihmojmë sado pak me  informacionet e ndërmarrjes Trepça.

Në kohën kur ne e kemi marrë ndërmarrjen ishte një situatë e rëndë sociale, ishte një situatë e rëndë ekonomike, ishte në nivelin më të lartë kriza e përgjithshme globale e tregut të metaleve. Praktikisht ndërmarrja në kuptimin ekonomik ishte në gjendje të rëndë financiare dhe punëtoret kishte mbi dy muaj që  nuk i kishin marrë të ardhurat personale. Faktikisht ishte në kolaps dhe një ngufatje e përgjithshme në gjithë veprimtarin e ndërmarrjes Trepça.

RKL: Cilat janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet ky gjigant ekonomik i dikurshëm, të cilin e shfrytëzonte Beogradi, ndërsa tani punon në kushte dhe rrethana të tjera?

 

Ferat Shala: Sfidat kryesore të ndërmarrjes Trepça aktualisht janë sfida juridike ose legjislacioni, për shkak te cilës ende ndërmarrja është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nën Morotariumin e Gjykatës Supreme e Dhomës së veçante, Gjykatë kjo e cila punën e vet dhe ndikimin e vet ose kompetencat menaxhuese në drejtim të Trepçës, i shfrytëzon përmes  një rregullore  e quajtur rregullorja e UNMIK-ut  2005/48 që është e aplikueshme nga viti 2005 dhe që praktikisht  është shndërruar në një rregullore tepër të dëmshme për zhvillimin ekonomik të ndërmarrjes po jo vetëm të ndërmarrjes tonë.

RKL: Vendimi për rritjen e pagave për punëtoret tuaj, a është tregues që Ndërmarrja Trepça është në trend pozitiv dhe sa do të jetë paga mesatare?  

 

Ferat Shala: Përkundër gjithë këtyre vështërsive, përkundër sfidës kryesore juridike në Trepçë ekziston edhe sfida të tjera mjedisore të trashëguar nga e kaluara, sfida sociale për shkak të rrethanave që ka kaluar ndërmarrja janë rreth 4000 punëtorë të larguar nga puna padrejtësisht, të cilët po mbahen në asistencë mbi bazën e udhëzimeve administrative, të nxjerra nga qeveria e kaluar dhe praktikisht të cilat janë edhe barrë e institucioneve vendore po edhe e vet ndërmarrjes.

Megjithatë falë angazhimit të stafit, falë të gjithë  atyre njerëzve që derdhen djersën në minierat e Trepçës dhe ekipit tjetër menagjues, ne  kemi arritur që të konsolidohemi në nivel të mirë. Mund të themi dhe në dy vitet e fundit  kemi një trend rritje në gjitha sferat e zhvillimit të ndërmarrjes kemi trend rritje në prodhimtari, kemi trend rritje të konsiderueshme në eksporte dhe në materializimin dhe të hyrat tjera vetanake, për herë të parë praktikisht  jemi në një ndërmarrje që e mbajmë  veten ekonomikisht dhe financiarisht dhe jemi ndërmarrje rentabile.

Gjatë kësaj faze e kemi investuar shumë në përmirësimin e kushteve të punës në përmirësimin e të ardhurave personale dhe në investime kapitale,  të hyra këto edhe të realizuara edhe nga Buxheti i Kosovës, po  veçanërisht të realizuara nga  mjetet vetanake.

Ne brenda dy vitesh pothuajse 3 herë kemi intervenuar në ngritjen e pagave dhe sot pagat mesatare për disa kategori të Trepçës variarojnë por megjithatë  për kategorinë që është në ballë të punës, për kategorinë e minatorëve që janë nën nëntokë paga mesatare tash është mbi 500 euro dhe praktikisht janë paga të konsoliduara dhe të harmonizuara me kushtet dhe rrethanat  ekonomike që ka ndërmarrja.

RKL: Gjatë kohës sa keni drejtuar ndërmarrjen a keni pasur rastin të shkëmbeni përvoja me vendet e rajonit dhe cilat do ti veçoni?

Ferat Shala: Po, ne kemi analizuar  të gjitha vendet e rajonit dhe praktikisht kemi vizituar dhe kemi bashkëpunim me shumë institucione dhe universitete të sektorit të minierave. Kemi vizituar sa i përket Evropës rregullativën ligjore dhe kompleksin ose mënyrën e menaxhimit në Gjermani, Austri dhe kemi përvoja të fuqishme nga rajoni për të parë përparësitë dhe dobësitë të sektorët si në  Bullgari, Maqedoni, Shqipëri dhe Kroaci. Po ashtu mund të themi se ne përkundër vonesës së madhe në ristrukturimin e ndërmarrjeve të plum-zingut, ristrukturimin e sektorit mineral në Kosovë i kemi ende mundësitë që të përmirësojmë gabimet nga e kaluara siç ka ndodhë rasti me disa privatizime të minierave dhe të disa privatizimeve të vend burimeve tona.

Mendoj që në Trepçë nuk duhen të përcillen dhe nuk duhen të aplikohen metodat që janë aplikuar gjer më tash në privatizimin, ose më mirë të them më mbylljen dhe falimentimin e minierave siç ka ndodhur në Kosovë.

Shpresoj dhe besoj që ne do të zgjedhimin metodat më të mira të mundshme sepse nuk kemi çka të zbulojmë, po kemi arsye  dhe mundësi që të zgjedhim metodat më të mira siq janë metodat perëndimore ose evropiane, në mënyrë që ne të rehabilitojmë sektorin e minierave dhe t’ i kthejmë ekonomisë së Kosovës mundësi  punësimi t’ i kthejmë ekonomisë së Kosovës mundësi investimi dhe faktikisht të fitojmë të gjithë nga ky sektor.

Ne, në kuadër të Trepçës dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ministror, po edhe të eksperteve universitar kemi propozuar që varianti më i mirë për  ristrukturimin e ndërmarrjeve të plum-zingut në Kosovë është partneriteti privatë-publik që do të thotë që ne duhet të jemi të hapur në raport me ekonominë e tregut të lirë, po në mënyrë absolute asetet thelbësore siç janë  minierat dhe vendburimet minerare, mendojmë se  Qeveria dhe institucionet tona duhet të jenë pronarë me pjesën dërmuese të aksioneve të tyre.

RKL: Ju i përmendët disa ndërmarrje që janë privatizuar. A mund të tregoni se për cilat është fjala?

Ferat Shala: Tashmë dihet. Janë privatizuar Minierat e nikelit, magnezitit, janë privatizuar edhe minierat e tjera megjithatë ende ekzistojnë vendburime, ende ekzistojnë miniera të tjera që janë në dispozicion të zhvillimit ekonomik të vendit.

RKL: A keni arritur të realizoni ndonjë projekt nga Banka Botërore ?

 

Ferat Shala: Në kuptimin e përgjithshëm, për shkak të moszgjidhjes së statusit dhe definimit të tij të qartë të ndërmarrjes “Trepça”, mekanizmat ndërkombëtarë financiarë nuk kanë kontakt direkt me “Trepçën”, sepse ne edhe ashtu jemi vartës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe praktikisht situata e krijuar juridike në ndërmarrje nuk na krijon as mundësi që të kemi investime nga Banka Botërore, apo nga ndonjë mekanizëm tjetër financiar ndërkombëtar.

RKL: Z. drejtor, ju para pak kohe keni deklaruar se pas 23 vjetësh për herë të parë po bëhet ripërtëritja e minierave të Trepçës me minator të rinj. Çka do të thotë kjo për ndërmarrjen që e drejtoni Ju?

Ferat Shala: Po ky është hapi i parë dhe është e vërtetë e pamohueshme që mbi 23 vite në këtë ndërmarrje nuk ka pas prurje të punëtorëve, të energjive, të ekspertëve të ri dhe faktikisht mendoj se kjo ka qenë një strategji e shëmtuar, me qëllim  që për ta plakur Trepçën në të gjitha nivelet, për ta shuar gjithë atë përvojë mbi 80 vjeçare që ka kjo ndërmarrje, për ta larguar këtë eksperiencë është dashur që të pensionohen njëherë të gjithë dhe faktikisht ndërmarrja në kuptimin social, human, shkencor, profesional dhe teknik të arrijë në pikën zero, në mënyrë që t’i ulet vlera ndërmarrjes, në mënyrë që të largohen të gjithë ata ekspertë, të mos ketë përtërirje dhe  faktikisht mbyllet ndoshta edhe vet ndërmarrja e ndoshta edhe vetë miniera siç janë mbyllë shumë nga ato siç është rasti me minierën e Badovcit, Hajvalisë, Kizhnicës, Artanës e kështu me radhë dhe pastaj kjo ndërmarrje të kalojë në duar të tjera, ose t’i ulet vlera deri në minimum në mënyrë të të manipulohet më lehtë me të. Ardhja e brezit të ri që tashmë ka filluar të vijë në Trepçë për t’u trajnuar dhe aftësuar, nënkupton një vetëdije tjetër, një fuqi të re, një gjak të ri të punës, nënkupton  një perspektivë dhe gatishmëri për t’u përballuar me sfidat dhe përgatitje esenciale nga ekipet e vjetra për brezin e ri trashëgues të kësaj ndërmarrje. Kuadrot në minierat nëntokësore nuk krijohen lehtë dhe duhen punë, eksperiencë dhe mund dhe ne brezit të ri. Këtë po ia ofrojmë në mënyrë që  ata kanë fatin dhe privilegjin që të punojnë me kuadrot e vjetra, për së paku një periudhë dy vjeçare, në mënyrë që ata të aftësohen profesionalisht dhe teknikisht dhe me qëllim që miniera të mbetet në duar të shëndosha në kuptimin e sigurisë së punës dhe në kuptimin e inxhinierisë së  xehetarisë dhe gjeologjisë.

RKL: Cili është bashkëpunimi i ndërmarrjes “Trepça” me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe me Ministrinë e Energjetikës dhe Minierave?

Ferat Shala: Bashkëpunimi nuk ka munguar asnjëherë, praktikisht Ministra e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, tash Ministrinë e Zhvillimit, është duke financuar njërin nga objektet shumë vitale edhe kulturore, shkencore, historike dhe trashëgimtare – Muzeun e Kristaleve, në Stan Tërg. Me rreth gjysmë milioni euro, këto dy ministri në bashkëpunim me “Trepçën” po e ndërtojnë Muzeun e Kristaleve dhe ne shpresojmë dhe besojmë që ky projekt të përfundojë gjatë këtij viti kalendarik, e Trepça dhe Kosova praktikisht, sepse Muzeu i Kristaleve është aset shtetëror tashmë i definuar edhe me ligjin e minierave, që ta kemi ne si shtet muzeun e kristaleve, ku mund të vijnë vizitorët e jashtëm, ku mund të kenë qasje të gjitha nivelet shkencore dhe akademike që merren me fushën e kristalografisë dhe mineralogjisë në mënyrë që edhe nxënësit tonë të njoftohen më për së afërmi dhe në mënyrë konkrete me pasuritë nëntokësore të Kosovës dhe ato do të jenë ekzemplarët më të mirë, më të veçantë të sektorit të minierave gjegjësisht trashëgimisë kulturore dhe inxhinierike të minierave. Ky është një kompleks i veçantë për gjithë sektorin e minierave dhe zhvillimin e teknologjisë minerare në Kosovë. Po ashtu nuk mungon bashkëpunimi në fusha të tjera, në hartimin e strategjive minerare, megjithatë vendimmarrës janë institucionet, siç është Kuvendi, AKP-ja e kështu me radhë.

RKL: Keni për të shtuar diçka për fund që është aktuale dhe që vlen të theksohet gjatë bisedës ?

Ferat Shala: Ajo që unë dua të themë është se në Kosovë ende nuk janë hulumtuar të gjitha ato hapësira dhe zona që kanë çka t’i dhënë ekonomisë së vendit. Ajo që themë është se rinia e Kosovës, të gjithë minatorët, perspektiva e vendit është në duart tona dhe ne duhet dhënë maksimumin që atë ta hulumtojmë, ta eksploatojmë dhe ta shfrytëzojmë për të mirën dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ka hapësirë nëse ne e përgatisim legjislacionin, nëse ne krijojmë strategji dhe veprime konkrete në mënyrë që ne të jemi zotë të pasurive tona, pa dashur që ato t’i neglizhojmë. Jam shumë i bindur se resurset mineral mbajtëse në Kosovë kanë aq kapacitet dhe kemi aq rezerva, sa që mund të jemi një vend i zhvilluar, i konsoliduar me ekonomi të stabile jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Lirisht mund të them se Kosova është liderë sa i përket rezervave të plumb-zinkut edhe në Evropë dhe duke qenë si prijëse me rezerva atëherë na duhet baza legjislative, na duhen investime të sinqerta dhe të mbara atëherë pse të mos jemi ata, që në njëfarë forme kemi traditën dhe kulturën e mineralogjisë dhe industrisë së përpunimit të metaleve. Faleminderit për mundësinë që na e dhatë për t’iu bërë me dije dëgjuesve Tuaj problemet me të cilat po ballafaqohemi, dhe unë jam shumë optimist se ndërmarrja “Trepça” do të rimëkëmbet dhe do të jetë e konsoliduar ekonomikisht dhe në kuptimin e përgjithshëm do të jetë bazament i zhvillimit të vendit. Ju faleminderit edhe njëherë.

RKL: Edhe ne ju falënderojmë për kohën që ndatë me ne dhe ju dëshirojmë suksese dhe të arritura të mëtutjeshme.

Ferat Shala: Faleminderit, përshëndetje e suksese edhe për Ju.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …