Intervistë me kryetarin e komunës së Therandës, z. Blerim Kuçi

RKL: Për cilat projekte jeni angazhuar më shumë  gjatë këtij viti dhe cili është  synimi Juaj për realizimin e projekteve të tjera deri në përfundimin e mandatit tuaj?

Blerim Kuçi: Fillimisht ju falënderoj ju dhe redaksinë e radios Kosova e Lirë për këtë emision. Komuna jonë zhvillimin e saj e ka bazuar në programin që quhet “Kodi i Zhvillimit” si dhe në hartimin e politikave buxhetore që ka komuna  e që është edhe bazamenti i projekteve tona. Si prioritet i parë i komunës është çështja e furnizimit me ujë të pijshëm, sepse komuna e Therandës ka kohë, ose më mire të themi që nga ekzistimi i saj si komunë, ballafaqohet me vështirësi të mëdha në furnizimin me ujë.

Ne i kemi kushtuar shumë rëndësi çështjes së furnizimit me ujë dhe për këtë kemi ndarë një buxhet të duhur, por jo të mjaftueshëm, mirëpo kemi gjetur donatorë të  tjerë për t’ i dhënë fund këtij problemi shumëvjeçar të furnizimit me ujë të pijshëm. Po shpresojmë që jemi afër këtij qëllimi që komuna ta eliminoi problemin e furnizimit me ujë për 25 vitet e ardhshme.

Në këtë aspekt kemi përkrahjen e organizatës gjermane KFB, pastaj USAID-it, amerikan dhe disa donatorëve tjerë apo agjencive që po na përkrahin përfshirë siç thashë në fillim edhe participimin e komunës tonë.

Jemi shumë afër për të realizuar këtë projekt mjaft domethënës për qytetarët e komunës tone siç është furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.

Prioritetet tjera me rëndësi janë të orientuara kah bujqësia. Për herë të parë një komunë e ka një fond mjaftë të madh të bazuar në buxhetin e vetë dhe të donatorëve. Bëhet fjalë për një fond prej 2.5 milion euro, prej tyre 1.6 milion do të ndahen drejtpërdrejtë bujqve të komunës. Ne kemi filluar implementimin e këtij projekti që do të zgjasë tri vjet, ndërsa kemi filluar tashmë me ndarjen e grandeve  apo përkrahjen e bujqve përmes disa procedurave që i kemi përcaktuar.

RKL: Ky fond prej 1.6 milion euro është nga MBPZHR-ja apo donacion ndërkombëtar

Blerim Kuçi: Jo! Është ndërkombëtar, por participon me një sasi mjetesh edhe komuna

RKL: Ka filluar shpërndarja ?

Blerim Kuçi: Po! Dhe kam përshtypje se ka ndikuar edhe në rritjen e vendeve të punës dhe bujqit tashmë po binden se e kanë një përkrahje. Vitin e kaluar janë ndarë rreth 100 mijë euro, në fillim të këtij viti është shpenzuar një pjesë tjetër, dhe në fazën e tretë parashihet të shpërndahen 300 mijë deri në 500 mijë euro, varësisht prej kërkesave të bujqve që aplikojnë..

RKL: Keni vendosur kritere për mundësinë e përfitimit të granteve nga ky fond, pra të dihet saktë se si do të shpërndahen këto mjete ?

Blerim Kuçi: Po! Për këtë qëllim është punuar gjashtë muaj për hartimin e kritereve. Bujqit janë të njoftuar për kriteret dhe është një agjenci që merret vetëm me këtë çështje. Pra është fituar përshtypja se bujqit janë të kënaqur, ndërsa në hartimin e programit “Kodi i Zhvillimit” në një nga pikat kyçe të zhvillimit të komunës ka qenë bujqësia dhe përkrahja për bujqit. Prioritet tjetër është infrastruktura. Në këtë aspekt mendojmë se ia kemi dal me sukses të ndërtojmë një infrastrukturë të kënaqshme për qytetarët tanë, sidomos në ndërtimin e rrugëve nëpër fshatra.

RKL: Pasi i përmendët rrugët, na thoni aktualisht ku është duke u punuar në ndërtimin apo renovimin e rrugëve në komunën tuaj?

Blerim Kuçi: Janë duke u zhvilluar punimet në segmentin rrugor që e lidhë Therandën me Studençanin ose drejtimi për Rahovec, projekt i domosdoshëm dhe i përbashkët i komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës që për këtë qëllim ka ndarë 1.2 milion euro, derisa komuna participon me 300 mijë euro. Rëndësi tjetër i kemi kushtuar rrugëve që lidhin fshatrat me fshatra, si p.sh Mushtishti me disa fshatra, pastaj Peçani me Sllapuzhan, Peçani me Semetisht, ku e shton komunikimin ndërmjet fshatrave dhe zvogëlon fluksin e automjeteve në magjistralen Prizren – Prishtinë.

Këto projekte nuk janë të lira, kushtojnë por ne kemi pasur një fat të mirë pasi i kemi rritur të hyrat buxhetore deri në 60%.

RKL: Si ia keni arritur të bëni një ngritje kaq të madhe të të hyrave, mendoni për vitin 2010 apo më herët?

Blerim Kuçi: Krahasuar me 2009-ën të hyrat janë 60% më ta larta, ndërsa krahasuar me 2010-ën, kemi një ngritje prej 10 % të të hyrave.

Sa i përket pyetjes se si ia kemi dal që të jemi të suksesshëm, unë në rend të parë do të cek  përkushtimin e madh të zyrtarëve komunalë. Pastaj kemi bërë disa lehtësira për bizneset siç janë zbritja e taksave komunale. Të gjithë kanë menduar se do të kemi rënie të hyrave vetanake, por ka ndodhur e kundërta. Një kontribut tjetër ka qenë largimi i një rregulloreje për kushtëzime që ka penguar qytetarët të vijnë deri te dokumentacioni i nevojshëm, nëse nuk kanë kryer obligimet ndaj komunës.

Unë në ditën e parë të punës time si kryetar i komunës së Therandës kamë anuluar atë rregullore duke iu mundësuar qytetarëve që të vijnë deri te dokumentacioni i nevojshëm siç janë certifikatat qofshin të lindjes, martesës apo të tjera dhe pikërisht  për këtë kemi pasur një vetëdijesim më të madh që ka ndikuar në rritjen e të hyrave vetanake. Janë pra disa metoda të cilat normalisht i kemi kryer edhe në bashkëveprim me qytetarët dhe ata kanë pasur mirëkuptim të plotë.

Do të shtoja edhe këtë se si komunë nuk e aplikojmë çështjen e bashkëfinancimit të projekteve me qytetarët, pra nuk i detyrojmë të participojnë në ndërtimin e ndonjë rruge lokale, ure apo shkolle. Pra nga ata presim që t’i kryejnë obligimet e veta, derisa komuna të investojë në lokalitet e tyre ku banojnë.

Po ashtu si një nga prioritet tjera është edhe reforma në arsim. Në këtë aspekt kemi të arritura të shumta sidomos në gjimnazin “Jeta e Re” pasi jemi bazuar komplet në kriteret të miratuara nga MASHT-i, për pranimin e gjimnazit.

Në këtë aspekt do të ceki se nga 1 shtatori, drejtorët janë të trajnuar se si të vlerësohet puna e arsimtarit, se si e vlerëson një zyrtar i arsimit punën e drejtorit dhe të arsimtarit dhe kjo është një lloj zingjiri që është i domosdoshëm të bëhet.

Komuna jonë është duke bërë këtë për herë të parë dhe zakonisht aty ku bëhet për të parën herë ka edhe probleme, po ne i kemi tejkaluar.

i kemi kushtuar rëndësi shkollës edhe në aspektin financiar.

Ministria e arsimit ka organizuar trajnime për këtë çështje dhe ne kemi qenë ndër komunat e para që kemi hyrë në atë grup të projekteve sipas autonomisë financiare të shkollave

RKL: Është edhe një rast i veçantë nuk e di për komunat e tjera hapja e drejtorisë së diasporës, është vetëm në komunën e Therandës apo është obligim i çdo komune. Kur është formuar drejtorati i diasporës nuk kemi pasur  ministri të diasporës cili ëshë efekti i formimit të kësaj drejtorie?

Blerim Kuçi: Brenda programit të kodit të zhvillimit kemi pasur hapjen e një drejtorie jo zyrë po drejtori diaspore dhe është e vërtetë që është komuna e parë që ka pasë dhe më duket që është e vetmja që ka drejtori të diasporës. Komuna jonë në përgjithësi Kosova ende varet prej punëtorëve prej investimeve që i bënë dhe prej të hyrave që i bënë kategoria e bashkë atdhetarëve tanë.

RKL: Nga Komuna e Therandës si duket ka mjaftë bashkë-atdhetarë që përkohësisht punojnë nëpër Evropë dhe me gjerë?

Blerim Kuçi: Një e treta e qytetarëve të komunës tonë jetojnë dhe punojnë jashtë. Në regjistrimin e fundit në prill të këtij viti, statistikat tregojnë që rreth 30% punojnë dhe jetojnë jashtë vendit që do të thotë është një proporcion shumë i madh dhe i rëndësishëm për të gjithë, i rëndësishëm edhe gjatë historisë. Unë e kam thënë edhe disa herë, në qoftë se Durrësi dhe Ulqini kanë drejtorit për turizëm, atëherë komuna jonë specifik e saj e veçantë është drejtoria për diasporë dhe është interesant se përmes kësaj drejtorie kanë dalë shumë ditë në shumë aspekte të diasporës. p.sh përmes asaj drejtorie në muajin korrik dhe  gusht i kemi 10 punëtorë shtesë vetëm për diasporë, sepse ata vinë për pushim dhe e kanë kohën e kufizuar dhe çfarë do vonese iu shkakton çrregullime të mëdha. Gjithashtu iu kemi afruar mundësinë  për investime në zonën industriale ka pasur interesim që të bashkë-investohet në ndërtimin e ndonjë fabrike në komunën tonë përmes kësaj drejtorie.

RKL: Cilat janë raportet me qeverinë e Kosovës dhe a mendoni se jeni anashkaluar  si komunë me faktin se i takoni opozitës krahasuar me qeverinë që udhëhiqet nga PDK-ja, ju vini nga radhët e AAK-së?

Blerim Kuçi: Fillimisht kam pasur edhe unë një përshtypje, se nuk do të kem përkrahje në masën. Ose  tek ne ndodhë të dalin në sipërfaqe  ato inatet deri sa kalojnë në njëfarë faze dhe tashmë ato janë tejkaluar dhe kemi raporte të mira. Ç’do ministër më ka ardhur  në vizitë është  biseduar dhe kemi bërë së bashku planifikime të ndryshme për zhvillimin e komunës, por ato mëdyshjet se qëllimisht anashkalohet ndonjë kryetar komune që nuk përkon me partinë në pushtet, më tepër kanë qenë pjesë e fushatës gjatë zgjedhjeve.

RKL: Sa ka mundësi komuna që ju e qeverisni për t;iu dalë në ndihmë familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e UQK –së, përveç kuptohet të drejtave që iu takojnë me ligj?

Blerim Kuçi: Ato që janë të rregulluar me ligj nuk kam nevojë t’i cek. Ne si komunë çdo fëmije që vjen nga radhët e familjeve të dëshmorëve iu kemi ndarë bursa për studime, pavarësisht numrit të tyre. Kemi ndarë 20 banesa dhe jemi afër ti ndajmë edhe gjashtë, ndërsa deri në përfundim të mandatit tim (2013) mendoj që të gjitha familjet e dëshmorëve të kenë nga një banesë në qendër të Therandës, jo banesa sociale por me standarde bashkëkohore mbi mesatare. Për një bashkëpunim të frytshëm dhe koordinim të punës time me kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, unë kamë emëruar enkas një këshilltarë.

RKL: Si e paramendoni komunën e Therandës në fund të mandatit tuaj dhe me çfarë të arriturash?

Blerim Kuçi: Të jetësohen deri në fund reformat në Arsim që i prek të gjitha komunat tjera, me ujë të pijshëm dhe ti kushtohet një rëndësi më e madhe e lokaliteteve të vogla që gjenden në lartësi të larta mbidetare, që për fat të keq interesimi i institucioneve është i vogël sepse ka pak votues. Në kuptimin e asaj që ata të mos shpërngulen lëvizin në drejtim të qyteteve duhet që t’iu ndërtojmë infrastrukturën sidomos rrugore. Ne në komunën tonë i kemi kushtuar shumë rëndësi këtij fenomeni edhe pse kemi pasur shumë vështirësi. P.sh, fshati çfarë është Papazi kemi arritur të  qojmë asfaltin deri në fund edhe pse është një lokalitet me 30 shtëpi dhe me pikën më të lartë në komunën tonë, pastaj është Dragaqina, pastaj Grejqevci, pra fshatra të vogla, që popullata vazhdimisht është shpërngul qoftë në Prizren, Therandë apo Prishtinë. Ne po mundohemi që t ‘iu sigurojmë një infrastrukturë për të evituar shpërnguljen sepse nuk është në interesin e Kosovës, në interesin e vetë atyre sepse shpërnguljet shkaktojnë çrregullime sociale, shpenzime të mëdha dhe ky koncept imi dhe i  qeverisjes sime është që të shtohet kujdesi ndaj trevave të vogla në mënyrë që të ruajmë lokalitetet edhe nëpër lartësi të larta mbidetare.

RKL: Zotëri kryetar, iu falënderojmë shumë për kohën që ndatë për realizimin e kësaj interviste. Ju dëshirojmë suksese të plota deri në fund të mandatit tuaj.

Blerim Kuçi: Gjithashtu edhe unë ju jam mirënjohës,  suksese edhe për ju dhe stafin e radios Kosova e Lirë.

Intervistoi: Jeton Syla

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …