Intervistë me Lirie Behën, motrën e dëshmorit të kombit, Milaim Mehdi Beha

Intervistë me Lirie Behën, motrën e dëshmorit të kombit, Milaim Mehdi Beha

RKL: Lirie, Ju jeni motra e dëshmorit të kombit, Milaim Mehdi Beha, si e kujtoni, fëmijërinë e tij?

 Lirie Mehdi Beha: Milaimi ka qenë një fëmijë shumë i dashur dhe i sjellshëm, por nuk e ka shijuar di duhet fëmijërinë dhe rininë tij, sepse edhe në moshë të shumë herë gjatë shkollimit ishte rrezikuar nga policia serbe. Ai, nuk i merrte parasysh pasojat, vazhdonte aktivitetin. Ishte vigjilent dhe qysh në rini kishte mbështetur idenë për ta çliruar Atdheun nga robëria.

 

RKL: A ishit në dijeni  se vëllai Juaj ishte angazhuar në radhët e UCK-së?

Lirie Mehdi Beha: Jo, nuk kemi qenë në dijeni, ngase ai ishte duke punuar e duke jetuar në Slloveni. Asokohe ne  nuk kishin dëgjuar nga ai apo  nga të tjerët se Milaimi ishte radhitur në radhët e luftës së lavdishme të UÇK-së.

 

RKL: Si e pritet lajmin kur ai u tregoi se ishte luftëtar  i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?

Lirie Mehdi Beha: Në fakt, lajmi na erdhi bashkë me Milaimin, kur një natë vonë, fare pa pritur  erdhi në shtëpi  i armatosur dhe me uniformë të UÇK-së. Pasi u përshëndetëm ai na tregoi se kishte kohë që kishte ardhur në Kosovë, por deri në atë natë nuk iu kishte dhënë mundësia  që të vinte e të lajmërohej në shtëpi. Duke folur me nënën i kishte treguar asaj se e kishte parë disa herë nga kodra përballë shtëpisë, në kohën kur ajo ishte duke punuar në kopsht.  Lajmi që na dha na bëri shumë krenarë, sepse ai ishte plot entuziazëm në rrugën e tij për çlirimin e vendit nga regjimi serb. Vepra dhe kujtimi i Tij, do të jenë të pa harruara për ne.

 

RKL: A kishte raste ku takoheshit më të, sepse  ai vazhdimisht ishte në zonat ku luftohej

Lirie Mehdi Beha: Kontakte kemi pasur, na vizitonte, dhe e vizitonim, sepse  edhe ne popullata civile zhvendoseshim nga një vend në tjetrin, prore nën granatimet e forcave armike. Milaimi, herë pas herë vinte, zakonisht në orët e natës, por rrinte shumë pak. Babai im, Mehdiu takohej më shpesh me të ndërsa  vëllai,  Milazimi edhe vetë iu kishte bashkuar radhëve të UÇK-së, andaj edhe takoheshin më shpesh. Milaimi ishte shumë i lumtur se populli po mobilizohej çdo ditë e me shumë, po shtoheshin radhët e luftëtarëve të lirisë, në luftë kundër pushtuesit shekullor serb. Ai i kishte vënë vetës një detyrë dhe një qëllim, të fitonte Lirinë e atdheut, qoftë edhe me gjakun e jetën e Tij.

 

RKL: A mendoni se familjet e dëshmorëve kanë përkrahje meritore nga qeveritë e pas luftës?

Lirie Mehdi Beha: Ka përkrahje po nuk mendoj se është meritore, sepse dihet fare mirë se  themelet e shtetit tonë janë vënë mbi gjakun e Tyre. Lufta e vazhdueshme dhe qëndresa heroike e popullit tonë  gjatë historisë së tij, solli fitoren e lavdishme më të madhe në historinë e tij shumë shekullore, andaj konsideroj se është bërë fare pak në këtë drejtim.

 

RKL: Çka ju ka mbetur kujtim nga vëllai Juaj?

Lirie Mehdi Beha: Në kemi uniformën e Milaimit, kemi fotografi të tij, por para se gjithash kujtojmë fjalët e tij, përkushtimin për çlirimin e Kosovës, për të cilën e dha jetën e tij mu në lule të rinisë. Na kanë mbetur në kujtesë të gjitha. Ai na la pas veprën madhore, emrin e madh, Dëshmor i kombit. Uroj që vepra e tij madhore të jetë shembull për brezat e ardhëm.

 

 RKL: Si ndiheni në përvjetorë të vëllait, kur dihet se luftëtari i lirisë Milaim Beha që ishte ushtar i Njësisë Speciale të SHP të UÇK-së, kishte rënë duke luftuar ballë për ballë kundër  forcave  kriminele serbe në prag të mbarimit  të luftës, më 3 qershor 1999?

 Lirie Mehdi Beha: E vërtetë është se ndihemi  të mallëngjyer në raste të tilla, sepse ai nuk e shijoi Lirinë e Kosovës për pak ditë, nuk arriti t’ i shijojë frytet e fitores edhe pse kishte bërë aq mund dhe kishte luftuar në shumë vende të Kosovës. Është një fakt i çuditshëm të cilin e kujtoj shpesh. Më 14 qershor të vitit 1998, Milaimi me bashkëluftëtarët e tij kishin zënë Grykën e Carralevës, ndërsa një vit më vonë, pikërisht  më 14 qershor të vitit  1999 bashkëluftëtarët e kishin varrosur trupin e tij në Varret e Dëshmorëve, në Kleçkë. Lajmi për rënien e Tij na preku thellë në shpirt por, me kohën na mbushi me krenari. Jam shumë krenare që jam motër e dëshmorit, kur mendoj se Milaimi kishte ideal Çlirimin e Atdheut, atëherë dhembja më kthehet në forcë.

 

RKL: E dashur Lirie, faleminderit që u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Të dëshirojmë gjithë të mirat.

Lirie Mehdi Beha: Edhe unë ju falënderoj shumë Juve që keni respekt të madh për Ne dhe familjet e dëshmorëve gjithandej Kosovës, dhe që na kujtoni e nuk na harroni kurrë. Punë të mbarë e suksese pa fund për JU dhe stafin e Radios Kosova e Lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Flet, Vitore Stefa Leka: Ku i çojnë këta ministra milionat që vjedhin?!

Flet, Vitore Stefa Leka: Ku i çojnë këta ministra milionat që vjedhin?!

-Në Shqipëri po rregullohen rrugët, qytetet, por drejtësia, shëndetësia, arsimi, janë për faqe të zezë. …