Intervistë me Ministrinë e MBPZHR-së, z.Blerand Stavileci

RKL: Zoti Ministër a mendoni se Kredia nga Banka Botërore në vlerë prej 20.15 milionë dollarëve amerikanë dhe zbatimi i projektit të DANIDA-s, të miratuar nga MPJ e Danimarkës në vlerë prej rreth 10 milionë eurosh do të ndikoj në rritjen e konkurrencës në sektorin e bujqësisë, rritjen e punësimit dhe të përmirësojë standardin jetësor në zonat rurale?

Blerand Stavileci: Edhe vetë qëllimi i këtyre dy projekteve, pra kredia e Bankës Botërore që është me kushte shumë të volitshme dhe tjetri i DANID-së, që ju përmendët ka për qëllim final avancimin e sektorit të bujqësisë dhe rritjen e konkurrencës në këtë sektor dhe përfundimisht ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve tanë që jetojnë në zonat rurale. Kjo parashihet që të realizohet nëpërmjet programeve të grandeve për dy sektorët nga më kryesorët me përparësi konkurruese më të mëdha siç janë sektori i hortikulturës dhe ai i blegtorisë, që përveç realizimit të këtyre projekteve nëpërmjet grandeve tona, besojmë se këto kredi do të jenë një injeksion financiar, një vlerë e shtuar financiare edhe për buxhetin tonë por edhe për donatorët e ndryshëm në mënyrë që të ketë sa më shumë fonde për projektet investive në të cilën përkrahet zhvillimi rural i vendit tonë.

RKL: Vizitën në SHBA e shfrytëzuat për të përforcuar kabinetin tuaj me një këshilltar amerikan. Thuhet se ai ka një përvojë të gjatë 40-vjeçare në sektorin e agro-përpunimit dhe ka qenë pjesë e zhvillimit të bujqësisë nëpër shumicën e vendeve që kanë kaluar periudha tranzicioni. Çfarë rezultate konkrete priten nga ai dhe rëndësia e vizitës tuaj dhe delegacionit të MBPZHR- së në SHBA?

Blerand Stavileci: Për sa i takon vizitës në SHBA, ne kemi takuar përfaqësuesit më të lartë të Departamentit të Shtetit për Bujqësi, të USAID-it,  sidomos autoritetin kreditor që deri më tash ka zbatuar shumë modele të suksesshme për përkrahjen e kredive bujqësore për zbutjen e kolateralit dhe për normat e interesit të kredive bujqësore në mënyrë që ato të jenë sa më të pranueshme për komunitetin e fermerëve. Jemi duke përgatitur një model të ngjashëm për ta zbatuar edhe në vendin tonë, pra që të kemi kredi sa më volitshme për sektorin e bujqësisë me norma më të ulëta të interesit. Gjithashtu jemi dakorduar edhe për dy projekte tjera konkrete, siq janë ai i shërbimeve profesionale këshillimore që do t’iu jepen falas fermërëve tanë, nëpërmjet këshillave të ndryshme menaxheriale, juridike, sociale dhe të marketingut, në mënyrë që të ndikohet në ngritjen e njohurive dhe aftësive të tyre përbrenda sektorit të bujqësisë në përdorimin e teknologjive të reja, mekanizmave bujqësor që ndikojnë pastaj në shtimin e produktivitetit, në ngritjen e rendimenteve, dhe cilësisë së produkteve.  Po ashtu edhe për një pjesë të rëndësishme që i ka munguar në të kaluarën edhe ministrisë por edhe sektorit siç është një divizion i veçantë i cili do të bënë analiza ekonomike për bujqësi, pra një lloj agro-ekonomiki me të cilën ne do të ndihmohemi shumë më shumë në fazën e planifikimeve që ne bëjmë por edhe të vendimmarrjes për politikat bujqësore dhe programet e caktuara që ne aplikojmë. Gjithashtu do të veçoja edhe vizitën në Universitetin e Vermontit, ku kemi bashkëbiseduar për format e ndryshme të përkrahjes jo vetëm për sektorin e bujqësisë në kuptimin praktik dhe profesional por edhe në atë shkencor sepse këto universitete janë shumë të avancuara dhe ne mendojmë se për të pasur sukses ky sektor dhe për ta zhvilluar bujqësinë na nevojitet po ashtu një bashkëpunim dhe bashkërendim shumë më i thellë dhe i mirëfilltë me Fakultetin e Bujqësisë por edhe me pjesën tjetër të nivelit parauniversitar si me shkollat e mesme bujqësore dhe shkollat tjera profesionale dhe ekonomike, duke krijuar një fuqi punëtore të re që do të përgatitet për sfidat e së ardhmes në sektorin e bujqësisë. Sa i përket këshilltarit amerikan është e vërtetë se nëpërmjet projektit të USAID-it dhe fondeve të tyre ne kemi angazhuar një këshilltarë me përvojë nga SHBA-ja i cili detyrë kryesore do ta ketë koordinimin me donatorë. Ju e dini se unë shpeshherë e kamë përmend se nevojitet një koordinim efektiv me donator dhe në këtë drejtim kemi përparim, sepse po bindeni se dita ditës po finalizojmë projekte të reja, mirëpo qëllimi ynë është akoma më shumë përqendrimi në këtë fushë dhe jo vetëm në kuptimin e ndërlidhjeve të natyrës institucionale dhe politike por edhe të asaj praktike dhe profesionale nëpërmjet ekspertizës që ata ofrojnë që të ketë pra një bashkërendim në baza ditore, javore me gjithë këtë donatorë, sepse unë i konsideroj shumë të rëndësishëm sidomos në këtë fazë. Ju e dini se për ne si objektiv i yni në periudhën afatmesme është re-vitalizimi i sektorit dhe për ta bërë një gjë të tillë, neve përveç ekspertizës vendore besoj se na nevojitet shumë edhe ajo ndërkombëtare jo vetëm e këtij këshilltari por edhe gjithë të tjerëve që ia duan të mirën sektorit të bujqësisë.

RKL: Keni deklaruar disa herë se orientimi i punës tuaj shtrihet në katër fusha: Buxheti, politikat fiskale, politikat kreditore dhe koordinimi me donatorët.

Ne cilën nga këto fusha ka përparim dhe a ka në ndonjërën stagnim?

Blerand Stavileci: Po është e saktë. Unë gjithmonë i kam përmend këto katër rrafshe, ndonëse dy prej tyre ndoshta do të hynin në një rrafsh më të madh të së njëjtës natyrë, siç janë buxheti dhe politikat kreditore, për arsye se ne kemi menduar që ta rrisim buxhetin, gjë të cilin edhe kemi arritur, akoma jo në nivelin më të kënaqshëm ashtu siç ne do të donim, dhe në anën tjetër politikat kreditore pra çështja e kredive që të ketë edhe burime tjera, fonde tjera alternative që të përkrahet sektori i bujqësisë por jo me kushtet në të cilën është përkrahur deri më tani nga disa banka komerciale, por ta gjejmë modelin. Dhe mu në saje të këtyre vizitave siç ishte kjo në SHBA, besoj që pritet që shumë shpejtë ta prezentojmë modelin final për mënyrën e aplikimit të skemës kreditore, me norma më të favorshme të interesit për kredit bujqësore. Për sa i takon donatorëve gjithmonë i kemi parë si partner edhe në kuptimin e buxhetit, ndihmës financiare që ata kanë dhënë dhe po japin për sektorin e bujqësisë dhe tash ka shumë prej tyre që kanë nisur projekte të reja. Kur flasim për politikat fiskale, me Ministrinë e Financave kemi dhënë pjesën tonë të imputit që lidhet me bujqësinë që të jetë pjesë e politikave më të favorshme fiskale edhe në kuptimin e drejtpërdrejt të lirimit nga ngarkesat e ndryshme tatimore të imputeve dhe pajisjeve bujqësore por edhe në kuptimin e të bërit biznes, sepse për shumë sipërmarrës, sidomos të mesëm dhe të mëdhenj do të ketë bonuse të ndryshme po i quaj si bonuse, pra do të ketë stimulime financiare në saje të rezultateve dhe kushteve që ata kanë gjatë marrjes me biznes në këtë rast po flasim për agrobiznesin. Në gjitha këto rrafshe ka avancime, diku me hapa më të mëdhenj diku më hapa më të ngadalshëm, unë besoj që të njëjtat do ti vazhdojmë edhe në të ardhmen sepse nga këto katër rrafshe pothuajse burojnë të gjitha iniciativat pastaj për të pasur një bujqësi më moderne.

RKL: A besoni se rritja e buxhetit, subvencionimet, grandet, mund ta kthejnë vullnetin tek fermerët për t’u marrë më tepër me bujqësi?

Blerand Stavileci: Natyrisht se po. Ne edhe nëse nisemi nga të dhënat zyrtare të efekteve të programit që ne kemi realizuar gjatë këtij viti por edhe vitit të kaluar,  shohim se në të gjitha fushat ka përparime, në kuptim edhe të shtimit të sipërfaqeve të tokave punuese dhe të angazhimit të bujqve dhe fermerëve që më parë i kanë lënë këto toka djerrinë. Fakti më i freskët që flet në dobi të kësaj janë edhe të dhënat zyrtare të komunave të vendit tonë të cilat vitin e kaluar për të mbjellurat vjeshtore kanë deklaruar 75 mijë hektarë të mbjellura vjeshtore, ndërsa këtë vit kemi 9 mijë hektarë më shumë të mbjellura. Por edhe ajo se çfarë shohim në terren nga vizitat e shumta që bëjmë nga projektet dhe kërkesat që i dërgohen Ministrisë së Bujqësisë me projekte investive pra qoftë në ngritjen e pemishteve të reja, serrave, punimit të tokës etj, shihet se kërkesat janë gjithnjë në rritje. Do të përmendi një fakt. Vitin e kaluar ka pasur një kërkesë të këtyre projekteve investive në vlerë totale prej 5 milion euro, ndërsa këtë vit kërkesat janë katërfishuar dhe kapin shifrën prej 20 milion eurove, pra kemi të bëjmë me një dëshirë më të madhe, një motivim më i madh i komunitetit bujqësor pra për t’iu kthyer sektorit, sepse dihet se në të kaluarën jo të largët atëherë kur bujqësia nuk ishte prioritet, ata që ishin pakica të cilët e kanë mbajtur sektorin gjallë që unë i kam quajtur heronjtë më të mëdhenj të sektorit, dhe pjesa më e madhe e tyre që kishin dalë nga bujqësia dhe qëllimi ynë ishte që t’i mbajmë të motivuar të gjithë ata që e mbajtën gjallë bujqësinë dhe në të njëjtën kohë t’i kthejmë të rinjtë jo vetëm në kuptimin e fuqisë së re punëtore pra si punëtor krahu, por edhe njerëz të tjerë të rinj e të reja të cilët në forma të ndryshme mund t’i ndihmojnë sektorit pra jo vetëm bujq dhe fermerë por edhe agronom, ekonomist, specialist të menaxhmentit dhe marketingut që sot i shohim si të punësuar në shumë ndërmarrje prodhuese dhe përpunuese.

RKL: Në Shkup të Maqedonisë u mbajt takimi i pestë vjetor i punës së Ministrive të Bujqësisë nga Evropa Jug-Lindore ku u diskutua rreth bashkëpunimit rajonal dhe reformave që duhet të ndërmerren në sektorin për bujqësi dhe zhvillim rural në vendet e Evropës Jug-Lindore.  Sa janë të dobishme për bujqësinë kosovare takime të këtij lloji?

Blerand Stavileci: Në segmentin e bashkëpunimit ndërkombëtar kemi dhënë disa baza shumë të mira për të ardhmen sepse si sektorët e tjerë ashtu edhe bujqësia  madje do të thosha   shumë më shumë bujqësia ka nevojë për një bashkëpunim regjional të karakterit të tillë që në një regjion në një zonë të caktuar ku takohen prodhuesit dhe përpunuesit mund te kenë një bashkëpunim të mirë siç ndodh me relacionin Kosovë-Shqipëri po edhe me vendet e tjera dhe ne mendojmë se përveç institucionalizmit të marrëdhënieve ndërshtetërore me secilin shtet veç e veç pra në rrafshin dy palësh, mund të ketë të atilla në rrafshin shumë palësh pra me të gjitha këto shtete po ajo që më së shumti që pretendohet nga këto takime nga këto forume dhe nga organizata të ndryshme siç është organizata e quajtur Ezvege për Evropën juglindore, është që të ketë projekte konkrete të bashkëpunimit ndërregjional në mes të dy apo më shumë shteteve në mënyrë që të konkretizohen ndërmarrjet e caktuara në mes të fermerëve, prodhuesve, përpunuesve në dy shtete të ndryshme po që kanë të njëjtat karaktere agro-klimatike dhe agro-ekologjike në një territor të caktuar. Shembull i tillë është  regjioni i Sharrit në mes Kosovës dhe Maqedonisë apo mes Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithëse marrëdhëniet e tilla me shtetet e Evropës juglindore akoma nuk janë të një dimensioni të zhvilluar siç janë më shumë shtete të BE-së, mirëpo vullneti  ekziston nga të gjitha shtetet, kështu besoj se me kalimin e kohës do të mund të realizoheshin projekte të caktuara.

RKL: Cilët sektorë do te jenë prioritet i MBPZHR-së në vitin 2012 ?

Blerand Stavileci: Ne vazhdojmë tu japim përparësi tre sektorëve  kyç- sektorit të drithërave, hortikulturës dhe blegtorisë për të cilët mendojmë se  rezultatet më të mëdha mund të arrihen në sektorin e hortikulturës, sidomos në sektorin e pemëtarisë dhe perimtarisë sepse ne edhe gjatë këtij viti jemi dëshmuar që me disa kultura siç janë disa pemë dhe perime të cilat kanë potencial për tu bërë  ballë edhe konkurrencës nga vendet e tjera. Shembulli më i mirë janë prodhimi i dredhëzave, apo edhe kulturave të tjera në kuadër të pemëve të imta me të cilat kemi shënuar rezultate rekorde gjatë këtij viti. Shembull ta marrim vetëm ne kuptim të  krahasimit të rendimenteve në mes të asaj çfarë ne kemi prodhuar në vendin tonë dhe vendet tjera,  ka të tilla që nëse  e krahasojmë Shqipërinë me Maqedoninë, në kulturën e dredhëzës rendimenti jonë mesatar  ka qenë diku trefish më i  madh se në Maqedoni. Andaj ne pjesën më të madhe të projekteve tona pra do ta orientojmë në këta nën sektor me të cilët ne kemi avantazhe konkurruese krahasuar me prodhimin i cili bëhet në vendet regjionale.

RKL: Në fund të kësaj jave pra me 25 nëntor, FSBK-ja ka thirrur një protestë, përkundër gjithë këtyre angazhimeve, rritjes së buxhetit, shtimi i subvencioneve, grandeve, sindikalistët prapëseprapë të pakënaqur. Cili është mendimi i juaj për thirrjen e kësaj proteste?

Blerand Stavileci: Sot kudo në botë ashtu edhe në Kosovë njerëzit mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar. Unë në cilësinë personale, po edhe ministrit të kësaj ministrie, besoj se gjërat duhet të shihen me një sy realist, nuk do të thosha që nuk do të kemi edhe pjesë brenda  këtij aparati  të shikimit edhe kritik për zhvillimet, por besoj që së pari duhet të pajtohen  me të arriturat, ti pranojmë avancimet të cilat janë bërë në këtë sektor, megjithëse ato nuk duken shumë të mëdha për shkak të gjithë periudhës pararendëse në të cilën pothuajse asgjë nuk është bërë për  bujqësinë kosovare, mirëpo kjo qeveri për herë të parë e ka futur në prioritetet e saj, pra bujqit dhe fermerët për herë të parë marrin subvencione dhe grante dhe në një mënyrë u shpaguhet puna e tyre. Natyrisht a është ky caku ku duam të arrijmë sot për sot dhe në të ardhmen natyrisht  që jo, sepse ka shumë punë për të bërë për të avancuar këtë sektor aty ku e ka vendin, mirëpo besoj se duke e ditur, se shihet se edhe këtu ka një shpërputhje në mes të gjendjes reale dhe motiveve që kanë të tjerët në këtë rast organizata në fjalë dhe kjo na shpie të përfundojmë se brenda pra se brenda saj mund të ketë edhe shkaqe dhe motive politike që njerëz të caktuar mundohen të realizojnë interesa të caktuara duke e keqpërdorë emrin e një organizate për të realizuar interesa të tyre personale.

 Intervistoi Jeton SYLA

Kontrolloni gjithashtu

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë tregoi vlerat më të larta atdhetare të Shoqatës.

Flet “Mjeshtri i Madh”, Marshalli i këngës labe Golik Jaupi. Kuvendi i VII i Labërisë …