Radio Kosova e Lirë: E nderuar, fillimisht ju falënderojmë që keni ndarë kohë për Radion “Kosova e Lirë” për ta zhvilluar këtë intervistë të çmuar me ju, për një fushë me rëndësi të jashtëzakonshme – shëndetin mendor!
Elona Mustafaraj: Faleminderit për ftesën. Çdo hap për të folur publikisht mbi shëndetin mendor është i rëndësishëm, sepse vetëm duke e bërë pjesë të diskutimit shoqëror ne mund ta normalizojmë dhe ta trajtojmë me seriozitetin që meriton.
Radio Kosova e Lirë: Mund të na tregoni se sa e rëndësishme është mirëqenia psikologjike në jetën tonë?
Elona Mustafaraj: Mirëqenia psikologjike është themeli i shëndetit tonë. Ajo përcakton se si ne e perceptojmë realitetin, si marrim vendime, si ndërtojmë marrëdhënie dhe si përballemi me sfidat e jetës. Një individ me ekuilibër të mirë emocional është më i qëndrueshëm, më kreativ dhe më i aftë të ruajë energjinë e tij në situata të vështira. Në të kundërt, kur shëndeti mendor është i lëkundur, reflektohet menjëherë në shëndetin fizik, në punë, në marrëdhënie dhe në cilësinë e jetës në tërësi. Prandaj, të investosh në shëndetin mendor nuk është luks, por nevojë bazë, ashtu si ushqimi, gjumi dhe aktiviteti fizik.
Radio Kosova e Lirë: Sot investohet shumë në anën fizike: palestra, dieta, forma trupore. Por, a i kushtohet vëmendje e duhur edhe anës shpirtërore? Pse ndodh kjo?
Elona Mustafaraj: Vëmendja për trupin është bërë pjesë e kulturës moderne, sepse rezultatet e saj janë të dukshme: një trup i palestruar shihet menjëherë. Ndërsa shëndeti mendor nuk është i prekshëm fizikisht dhe shpesh fshihet pas buzëqeshjes ose një sjelljeje të qetë në dukje. Zhvillimet e teknologjisë dhe përdorimi masiv i rrjeteve sociale kanë shtuar promovimin e imazhit, të bukurisë fizike si një normë për opionin publik e sidomos të rinjtë.
Nga ana tjetër, për fat të keq, stigma dhe paragjykimet ende ekzistojnë. Shumë njerëz mendojnë se kërkimi i ndihmës është shenjë dobësie, ndaj e shmangin. Në fakt, një mendje e shëndetshme është kushti kryesor që edhe trupi të funksionojë mirë. Ky është një mesazh që ne duhet ta përcjellim fort: shëndeti mendor nuk është më pak i rëndësishëm se ai fizik, përkundrazi, ata janë të pandashëm.
Radio Kosova e Lirë: Si mund ta kuptojmë që një i afërmi ynë po ballafaqohet me probleme të shëndetit mendor?
Elona Mustafaraj: Cdo ndryshim i rutinës është një këmbanë alarmi. Shenjat shpesh janë të dukshme, por kërkojnë vëmendje. Një individ që po përballet me vështirësi mund të tërhiqet nga shoqëria, të izolohet, të ketë ndryshime të papritura në humor, të humbasë interesin për gjëra që më parë i sillnin kënaqësi. Mund të shfaqë pagjumësi ose gjumë të tepertë, humbje oreksi apo shtim të tij, lodhje të vazhdueshme, shpërthime të shpeshta emocionale apo ankesa të përsëritura fizike pa shkak mjekësor. Tek të rinjtë, këto mund të shfaqen si ulje e rezultateve në shkollë, mungesë motivimi ose sjellje impulsive. Është thelbësore që familjarët të mos i injorojnë këto sinjale, por të afrohen me kujdes dhe mbështetje. Shumë raste kanë arritur të kapen në kohë sepsefamiljarët kanë qenë të vëmendshëm dhe e kanë adresuar në kohë nevojën për ndihmë.
Radio Kosova e Lirë: Si mund ta ndihmojmë familjarin, mikun apo mikeshën që po has vështirësi?
Elona Mustafaraj: Askush nuk e kupton vuajtjen e tjetrit nëse nuk ka veshur një herë të vetme këpucët e tij. Shpesh, njerëzit nuk kanë nevojë për këshilla të menjëhershme, por për një vesh që i kupton. Së dyti, duhet ta inkurajojmë të kërkojë ndihmë profesionale, sepse psikologët dhe psikiatrit janë të trajnuar për t’i ndihmuar në mënyrë efektive. Ne nuk u japim dot ndihmë profesionale familjarëve apo miqve tanë. Mbështetja e vazhdueshme e familjes, kombinimi me terapinë profesionale dhe nganjëherë me trajtimin mjekësor kur kjo është e nevojshme, përbëjnë rrugën më të mirë drejt përmirësimit. Ndihma e hershme është thelbësore: sa më shpejt të reagohet, aq më të mira janë rezultatet.
Radio Kosova e Lirë: Sot ekziston një paradoks: edhe pse ka gjithnjë e më shumë ekspertë të shëndetit mendor, rritet numri i vetëvrasjeve. Si e shpjegoni këtë?
Elona Mustafaraj: Ky fenomen ka disa shpjegime dhe është shumë kompleks. Vetëvrasja nuk është një fenomen i lehtë për t’u kuptuar ose të paktën jo aq i lehtë sa shpesh duket në kronikat e edicioneve televizive. Për shkak të rëndësisë dhe vëmendjes që ka marrë shëndeti mendor është rritur ndërgjegjësimi dhe raportimi i rasteve, gjë që e bën problematikën më të dukshme. Por nga ana tjetër, jemi përballë një realiteti social e ekonomik më të vështirë, që krijon presion mbi individin. Megjithatë, pavarësisht shtimit të profesionistëve, shërbimeve dhe ndërhyrjeve shumë njerëz hezitojnë të kërkojnë ndihmë derisa situata të bëhet kritike, dhe shpesh arrijnë te specialisti shumë vonë. Kjo është arsyeja pse parandalimi, edukimi dhe ndërhyrja e hershme janë thelbësore. Nuk mjafton të kemi profesionistë, duhet edhe që qytetarët të ndihen të lirë e të motivuar për të shkuar te ta pa frikë e paragjykim.
Radio Kosova e Lirë: A ka ndërlidhje mes kalimit nga shoqëria komunitare në atë individualiste dhe mirëqenies psikosociale?
Elona Mustafaraj: Patjetër që po. Shoqëria tradicionale komunitare ofronte një rrjet të fortë mbështetjeje: familje të mëdha, fqinjësi të afërta, lidhje shoqërore të ngushta. Këto krijonin ndjesinë e përkatësisë dhe sigurisë emocionale. Me rritjen e individualizmit, individi shpesh mbetet më i vetëm, më i ekspozuar ndaj izolimit dhe më pak i mbështetur në momente krize. Ky ndryshim ka rritur ndjenjën e vetmisë dhe vështirësitë në shëndetin mendor. Ndaj sot është e domosdoshme të krijojmë forma të reja komuniteti – përmes shoqatave, grupeve mbështetëse, aktiviteteve kulturore e sociale – që të zëvendësojnë boshllëkun që la prishja e strukturave tradicionale.
Radio Kosova e Lirë: Shekulli ku po jetojmë ka ndikuar shumë edhe në strukturën e familjes. Çfarë efektesh ka kjo në shëndetin mendor të individit?
Elona Mustafaraj: Ndryshimet në strukturën familjare janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë shëndetin mendor. Në të kaluarën, familjet ishin të zgjeruara dhe mbështetja shpërndahej ndër breza. Sot, familjet janë më të vogla, shpesh me prindër të zënë me punë të shumta ose të ndara për shkak të migrimit. Kjo situatë krijon boshllëqe në kujdesin emocional, sidomos tek fëmijët dhe adoleshentët, të cilët kanë nevojë për stabilitet e siguri. Përveç kësaj, ritmet e shpejta të jetës dhe rolet e reja të prindërve kanë ndryshuar dinamika të rëndësishme. Individët shpesh ndihen më të ngarkuar, më të stresuar dhe më pak të mbështetur. Familja mbetet burimi i parë i dashurisë dhe sigurisë emocionale, prandaj investimi në komunikim të hapur, kohë cilësore së bashku dhe ndarje të përgjegjësive është i domosdoshëm për të mbrojtur shëndetin mendor.
Radio Kosova e Lirë: A i prekin problemet e shëndetit mendor njësoj të dyja gjinitë, apo ka dallime?
Elona Mustafaraj: Problemet e shëndetit mendor prekin të gjithë, por shpesh mund shfaqen ndryshe te burrat dhe gratë. Studimet tregojnë se gratë janë më të prira të shprehin depresionin dhe ankthin, gjë që lidhet edhe me pritshmëritë shoqërore dhe rolet që mbajnë. Burrat, nga ana tjetër, shpesh e kanë më të vështirë të artikulojnë emocionet e tyre dhe tentojnë ta përballojnë dhimbjen përmes sjelljeve impulsive, agresive ose përmes përdorimit të substancave. Kjo bën që problemet e tyre shpesh të dalin në pah më vonë dhe të jenë më të rrezikshme. Për këtë arsye, qasja ndaj shëndetit mendor duhet të marrë parasysh dallimet gjinore, duke nxitur burrat të flasin më hapur dhe duke fuqizuar gratë të kërkojnë mbështetje pa paragjykime.
Radio Kosova e Lirë: Cila është porosia juaj për qytetarët për shëndetin mendor?
Elona Mustafaraj: Porosia ime është e thjeshtë: kujdesuni për mendjen tuaj njësoj si për trupin. Mos e shihni si turp të flisni për ankthin, depresionin apo vështirësitë emocionale. Të kërkosh ndihmë nuk është dobësi, është guxim dhe përgjegjësi. Një konsultë me psikologun mund të ndihmojë të parandaloni probleme më të mëdha në të ardhmen. Ne të gjithë mund të kalojmë periudha të vështira, por nuk duhet të mbetemi vetëm. Hapja, komunikimi dhe kërkimi i ndihmës janë rruga drejt shëndetit mendor dhe cilësisë më të mirë të jetës.