leoni

Intervistë me Safete Shalën, motrën e dëshmorit të kombit, Kasim Shala

Intervistë me Safete Shalën, motrën e dëshmorit të kombit, Kasim Shala

Safete Shala është motra  e dëshmorit, Kasim Shala nga Ruhoti i Pejës. Me rastin e festave të fund-vitit ajo ka dhënë një intervistë për Radion-Kosova e Lirë.

RKL: Cilat janë festat e vërteta të  familjeve të dëshmorëve, edhe pse jemi në prag të ndërrimit të moteve?

Safete Shala: Përshëndetje, për ju dhe familjet e Dëshmorëve. Në përgjithësi festat kombëtare dhe të tjerat na ngjallin ndjenja të veçanta të kujtimit për bijtë dhe bijat tona më të mirë, për vëllezërit, motrat, të afërmit. Sado që vitet ecin, ne pashmangshëm i mbajmë në kujtime dhe çdo ditë jetojmë me ta. Menjëherë pas luftës, dhimbja ishte e madhe, po ndjenja e krenarisë na ndihmonte shumë. Shumë na ndihmuan ata që në çfarëdo mënyre ishin afër nesh. Nga viti në vit e deri sot, dhimbjes dhe mallit po i shtohet shqetësimi i trajtimit që po u bëhet bashkëluftëtarëve dhe vendit në përgjithësi. Sado që familjet e Dëshmorëve kompensohen deri diku materialisht, ato janë shumë të shqetësuara me rrugëtimin që po bën vendi ynë. Amaneti i bijve tanë dhe realiteti nuk janë në një vijë. Kjo, edhe festat na i bën të ftohta dhe i presim pa një ndjenjë të mirë entuziazmi.

RKL: Në prag të Vitit të Ri, më 30 dhjetor shënohet edhe Dita e Veteranit, si po i gjen veteranet kjo festë, kush është fajtor për ketë katandisje të shtresës më të ndjeshme të popullit tonë?

Safete Shala: Sa u përket veteranëve, numri i tyre u shumëfishua. Të vërtetit, bashkëluftëtarët e vëllezërve tanë, sikur kanë mbetur në mëshirë të fatit. Ata, edhe pse po duket që më në fund shteti do merret me ta, njëjtë janë të zhgënjyer me zhvillimet e përgjithshme në vend. Ndjekja që iu kanë bërë dhe po iu bëhet nga prokuroritë e gjykatat ndërkombëtare e vendore, mbi bazën e thashethemeve e inskenimeve janë synime  të caktuara, me të cilat po përpiqen t’ i eliminojnë ata bashkë me luftën e tyre të shenjtë. Po bëhen përpjekje që shenjtëria e luftës Çlirimtare të degradohet e  bashkë me të edhe protagonistët shembullorë të saj. Fajtorë jemi të gjithë në njëfarë mënyre. Po fajin kryesorë e kanë udhëheqësit e vendit, të cilët  që nga fillimi toleruan trajtimin jo të drejtë të të gjitha kategorive të dala nga lufta. Ata që u shërbyen të huajve, atyre që erdhën me tendenca të qarta për ta devalvuar  luftën tonë çlirimtare dhe fitimtare. Ata që për përfitime personale anashkaluan interesin e përgjithshëm,  për shumë kohë  heshtën dhe pritën çdo të ndodhte në vazhdim. Dhe sot, ata që e shtuan numrin e veteranëve, e barazuan sakrificën sublime me shërbimet modeste në raport me obligimin ndaj atdheut.

RKL: Cili është urimi i Juaj për këtë fund vit?

Safete Shala:  Uroj që së pari, trashëgimia e këtyre familjarëve të vazhdojë me rritën e tyre të shëndoshë. Që intelektualët dhe udhëheqësit të vetëdijesohen dhe të japin kontributin e tyre në raport zhvillimin e gjithëmbarshëm. Uroj që brezat e rinj të jenë kurdoherë sy hapur, përjetues të Bashkimit Kombëtar dhe zhvillimit të përgjithshëm të kombit tonë.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …