leoni

Vjollca Haxholli

Intervistë me Vjollca Haxhollin, bijën e dëshmorit, Zahir Haxholli, pjesëtar i Brigadës 153 të ZOK-ut

 RKL: Vjollcë e nderuar mirë se vini në Radion Kosova e Lirë

Vjollca Haxholli: Mirë se ju gjeta Faleminderit, ju falënderoj shumë për ftesën

 

RKL: Në cilën moshë keni qenë Ju dhe motrat e vëllezërit Tuaj  kur ka rënë  dëshmor, babai Juaj,  Zahir Haxholli

Vjollca Haxholli: Kur babi ynë ka rënë dëshmor unë që jam fëmija i 3-të, isha 18 vjeçare, motra e madhe Nurija ka qenë 22 vjeçare , Fikrija ishte 20 vjeçare , Zarifja 16 vjeçare kurse vëllezërit, Bardhyli vëllai i madh ishte 13 vjeçar, vëllai i dytë Labinoti 11 vjeçar , vëllai i vogël Kastrioti 9-vjeçar dhe Motra e vogël Mergimja ishte 1 vjeçare.

 

RKL: Ku keni qëndruar  gjatë kohës së luftës dhe cili ka qenë momenti më i rëndë që ju e kujtoni dhe që nuk e keni harruar?

Vjollca Haxholli:Gjatë kohës së luftës ne kemi qenë në fshatin tonë, në Marec, në shtëpi të gjithë familjaret përveç babait që ishte në Shtabin e ushtrisë. Kur filluan plumbat dhe granatat nga vendi i quajtur “Vidime” të kalojnë mbi shtëpinë tonë dhe mbi ne, atëherë ne kemi dal nga shtëpia zvarrë dhe jemi takuar me djemtë e axhës dhe të gjithë xhaxhallarët.  Më pas babi ka marr leje nga Shtabi për shkak që fëmijët kemi  qenë të vegjël me qëllim për të na vendosur, në Prishtinë dhe për tu kthyer prapë. Jemi nisur rrugës për te Bullajt dhe kemi qëndruar atë natë aty, pastaj natën tjetër kemi shkuar dhe ju kemi bashkangjitur kolonës ne vendin e ashtuquajtur “Përroi i Zi”. Momenti më i rëndë ka qenë kur Babin tonë e kanë ndarë serbët  nga kolona. Të gjitha ne që ishin të pranishme kemi filluam të qajnë. Ne shpresonim se babi do të kthehet….. por nuk u kthye me asnjëherë .

 

RKL Në ditën kur serbët e kanë rrëmbyer babanë tuaj ku keni qenë Ju familjarisht a ishit të gjithë së bashku?

Vjollca Haxholli: Ditën kur ka rënë  për lirinë e Kosovës,  kemi qenë të gjithë bashkë në Grashticë. Ditën kur e  kanë marrë babin nga kolona atë dite dhe e kanë thirrur me emër “hajde Zahir Haxholli se mjaft ke gatuar për  Ushtrinë Çlirimtare”. Babi ka qenë kuzhinier në Brigadën 153 të Zonës Operative të Karadakut. Ajo ka qenë dita e fundit që e kemi parë, mirëpo pas 3 muajve, kemi marr lajmin që më s’është i gjallë. Ne atë kohë qëndronim në një banesë të gjithë familjarisht.

 

RKL: Na thoni diçka për shkollimin, studimet e ju fëmijëve, a punoni, ku jetoni ?

 Vjollca Haxholli: Unë kam kryer shkollën e Mesme Teknike por nuk kam mundur ta përfundoj për shkak se i kam shtuar vetes detyrë të  kujdesem për familje. Jeta na ka shpërnda të gjithë familjen nëpër botë. Unë jetoj në Amerikë.  Motrat tjera janë të martuara në Kosovë.  Vëllai i madh jeton në Itali, i vogli jeton  në Zvicer dhe vëllai Labinoti, me motrën Mergimen dhe nënën tonë  jetojnë në Kosovë.

 

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, të babit Tuaj?

 Vjollca Haxholli: Jo nuk na ka mbetur asgjë nga babai sepse gjithçka është djegur , na mbeten dashuria e tij, fjalët e tij humori i tij që përmendet ende nga të tjerët .

 

RKL: A mendoni se shoqëria dhe institucionet tona kanë bërë mjaft për familjet e dëshmorëve?

Vjollca Haxholli: Sa i përket shoqërisë në mundësit e veta kanë bërë aq sa kanë mundur, mirëpo sa i përket institucioneve jemi të zhgënjyer, sepse mendoj që nuk i kanë ndihmuar sa duhet familjet e atyre që kanë derdhur gjak për çlirimin e Kosovës

 

RKL: Ju e këndoni një këngë që mban titullin “UÇK Faleminderit”, këngë që i kushtohet dëshmorëve të fshatit Marec, sa ka qenë e vështirë ta interpretosh ku shumicën nga ta i ke familjarë e të afërm?

 Vjollca Haxholli:  Është krenari të këndosh për dëshmoret për njerëzit që u flijuan për lirinë e atdheut. Vërtet që e kam kënduar atë këngë me tekst që e kanë bërë Sadik dhe Behxhet Vitija. Fillimi ka qenë i vështir por çdo herë që un dal në atë skenë janë emocionet e mëdha dhe lotët mezi mbahen kur un atë këngë e këndoj përball familjarëve të dëshmorëve të lirisë.  Unë ndihem shumë krenare që veprën e dëshmorëve e kam ngritur edhe në vendin ku tani jetoj New Jeresy Flemington.  Me një kuiz që kemi pas që ta shkruajmë rrëfimin e unë zgjedha që të shkruaj për Luftën dhe për përjetimet tona, e nuk mund ta përshkruaj se sa emocione kam pas kur kam fituar vendin e dytë në atë kuiz

Shpresoj që vitin e ardhshëm të muajit Prill me mundësi të jem në përkujtimin e dëshmoreve dhe ta interpretoj këngën e Dëshmorëve.

 

RKL: E nderuara Vjollcë Ju falënderojmë se u bëtë pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë nga zemra shëndet e suksese në jetë.

Vjollca Haxholli: Ishte kënaqësi të jem në emisionin Tuaj, ju faleminderit shumë për ftesën dhe  mos të harrojmë të iu falënderoj si Radio që asnjëherë nuk i harruat dëshmoret e kombit. ju përshëndes nga Amerika e largët te gjithë të gjithë juve. Me respekt Vjollca Haxholli- Rexhepi.

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …