kek
MIT
Airport Adem Jashari
tv dielli
Fillimi / Dëshmorët / Isa Ferizaj: Fehmi Lladovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci

Isa Ferizaj: Fehmi Lladovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci

Sa shpejt na ikën vitet pa Fehmi e Xhevë Lladrovcin midis nesh! Sa të rëndë hapat zvarriten në këto vite, pa heroin e përmasave të rralla, Fehmi Lladrovcin! Sa e mundimshme lufta e, rruga jonë, kur na mungon me praninë midis neshë, prej pesëmbëdhjetë vitesh, komandanti, urtësia, heroi e lavdia e Kombit tonë, Fehmi Lladrovci!

Ja pra, se si rrjedhin vitet e, ato ikin tutje! Por çuditërisht, ato na i afrojnë gjithnjë e më shumë, pranë syve të mendjes, brenda vatrës së zemrës e, qendrës së vemendjes, ata që vitet vlerashumta, koha e madhe, i ka mbuluar me lavdinë e përjetshme; ata që lavdia e tyre u ka dhënë përjetësinë; ata që zemra e madhe e Kombit ua lartëson vit pas viti përmendoret në vatrën e saj; ata që ditën si ta bëjnë të pavdekshëm, Kombin; ata, që Atdheu i mban me mburrje të ligjshme e krenari njerëzore, në gjoksin e vet të përcëlluar nga flaka, baruti e prushi i luftrave të pandërprera për liri, dinjitet e plotësim të ëndrrave të të gjithë brezave që ranë siç u ka hije trimave e kreshnikëve, në altarin e nderit të truallit e të kombit tonë.

U mbushën plotë pesëmbëdhjetë vite, nga ai çast kur pushoi së rrahuri në gjoksin e një trimi, kreshniku, heroi, një zemër e fortë, një zemër e rrallë, zemra flakë e prush lirie e Heroit, Fehmi Lladrovci, por edhe nga ai moment, që ajo zemër filloi të rrahë edhe më fuqishëm, edhe më e gjallë, në zemrën e madhe të Kombit, sepse ajo zemër nuk duhej të ndalonte asnjëherë së rrahuri, sepse asaj zemre nuk duhet t’i shuhet kurrë flaka as prushi i zjarrit të luftrave për liri, për dashurinë ndaj Atdheut e, të mos i zbehet për asnjë çast, ndjenja e vetëflijimit në emër të tyre.

Të pavdekshmit – Fehmi e Xhevë Lladrovci

E, në këto vite pa Heroin Fehmi Lladrovci, ne vërtetë jemi ndjerë më të varfër shpirtërisht, por shumë e shumë më të pasur moralisht, më të mbushur me vlera e, më të plotësuar me dinjitet e me krenari. Faleminderit, për të gjitha këto, vëllai ynë hero, Fehmi Lladrovci! Ç’krenari, të përulesh para një jete e vepre si ajo e vëllait tonë hero, Fehmi Lladrovci!

Jeta e Heronjve është e rëndë sa pesha e kësaj toke, është e vlerë sa bashkësia e të gjitha vlerave të jetës, prandaj “guximi” për të marrë përsipër që të shkruash apo të flasësh për ato, është gati një ndërmarrje që nuk e përfundon asnjëherë ashtu siç duhet e, aq kënaqshëm, detyrën që i ke vënë vetes.

Sado shkrime të shkruhen, sado fjalë të gdhendura e të latuara të fliten për Heronjtë, përsëri ato duken të varfëra e të zbehta, para madhështisë, vlerës e pavdekësisë së jetës e veprës së tyre.

Të tilla po më duken edhe mua këto radhë, tek përpiqem t’i hedh në letër, pasi kam përballë, në mendje e, në vetëdijen time një kolos me përmasa të jashtëzakonshme heroizmi, si Heroin, Fehmi Lladrovci. Kur merr përgjegjësinë për të shkruar për Fehmi Lladrovcin, dëshira bëhet e madhe sa bjeshkët e trojeve tona të stërlashta, krenaria ta pushton tërë qënien e, ti kthehesh në një “rob” të vetëdijshëm të kësaj pune.

Plotë pesëmbëdhjetë vjet pa Fehmi Lladrovcin midis neshë, por plotë pesëmbëdhjetë vjet që Ai rritet e rritet në vetëdijen tonë e, atë të kombit tonë. Fehmi Lladrovci, biri i Drenicës së kuqe nga lumenjtë e gjakut të derdhur për liri, nëpër shekuj e kohëra, ishte dhe mbeti filli i pashkëputshëm i heroizmit, atdhedashurisë, krenarisë, qendrestarisë e, vetëflijimit të Heroit me Kombin e Atdheun e vet, në emër të Lirisë e aspiratave kombëtare, filli që mban e do ta mbajë gjallë shpirtin e një kombi të tërë, nëpër të gjitha kohërat që po jetojmë e, ato që do të vijnë. Askush në këtë botë e jetë nuk lind hero, por i tillë bëhet kur e ndjen rrahjen e zemrës së Kombit të vet, kur i ndjen dhëmbjet e shkaktuara nga padrejtësitë, mbi trupin e Atdheut e shpirtin e Kombit të vet. Heroi Fehmi Lladrovci, që në fëmijërinë e tij, u rrit e u formua në një mjedis familjar, por edhe mjedisor, ku heroizmi, heronjtë, krenaria, lavdia, lufta, guximi, burrëria, e të parëve të brezit të tij, në trungun e vet familjar, por edhe atë krahinor, e kishin brumosur me aso lloj vlerash shpirtërore, sa s’kishte më vullkan që t’i prishi e çorientojë ato nga drejtimi që u kishte dhënë vetëdija e Tij.

Drenica, zemra e shqiptarisë, që kishte lindur heronj e heroina, dëshmorë e luftëtarë, pa pushuar, për atdheun, lirinë e kombin, nuk kishte se si të shterronte në çastet më kulmore të shpërthimit të vetëdijes e shpirtit liridashës, Luftës për Çlirimin e Kosovës, vlerës më të madhe morale, politike e shoqërore të shqiptarëve, në fundshekullin ogurzi të copëtimit të gjysmës së kombit, mbetur nën thundrën e rëndë të pushtimit më çnjerëzor e, më barbar, atë serb. Historia e kishte mësuar edhe Fehmiun se Liria nuk fitohet me lutje e me pazare në kurriz e dëm të interesave madhore të kombit, por me pushkë e me gjak, me zemër e me urtësi. Heroi Fehmi Lladrovci ishte ndoshta ndër të rrallët komandantë lufte që e zotëronte fort bukur artin e të luftuarit me pushkë, por aq bukur, edhe artin e të luftuarit me armën e urtësisë.

Fehmi Lladrovci e lidhi jetën e vet që në rininë e tij më fatin e Atdheut e të Kombit të tij. A ka thënie më lapidare se sa ajo e thënë nga zemra e goja e këtij luani, biri vigan të Nënës Kosovë e Shqipëri, se sa kjo thënie që do të gjëmojë pandërprerje nëpër rrjedhat e historisë: “Vdekja për lirinë e Kosovës, do të ishte fati im më i madh jetësor”!

Kjo thënie që s’do t’i venitet kurrë vlera as drita që shpërndan nëpër mendjet njerëzore e, kohëra historie, do të na mbajë gjallë, do të na luftojë përgjumjen në moment të errëta e të turbullta historike, do të na shtojë krenarinë që jemi bashkëkombasit e Fehmiut e, do të na rritë guximin për ta vijuar rrugën e veprën, ëndrrën e amanetin e vëllait tonë, prijësit tonë, shokut tonë, komandantit tonë, vizionarit tonë, krenarisë tonë, Fehmi Lladrovci.

Komandanti i madh legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, shpesh herë u thoshte bashkëluftëtarëve të tij të lavdishëm: “Veç vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci”! – shprehje kjo që fliste e flet edhe sot e gjitë kohërat se si lindin, rriten e formohen Heronjtë, se çfarë i lidh e i forcon lidhjet midis heronjve, se cili është vendi ku provohet e momenti që tregohet heroizmi i shpirtit të heroit, se si heroi nuk priret kurrë për t’u bërë i atillë, por me jetën e veprën e tij, ai, heroizmi e bën heroin, gur të çmuar të mozaikut të vet.

Heroi Fehmi Lladrovci me sa duket kishte ardhur në këtë jetë me detyrën për ta çuar përpara e, në vendin e duhur, misionin e madh atdhetar të të gjithë heronjve e të rënëve për liri, para Tij, si njeriu që fjalë zemre e ide shpirti kishte vetëm kryengritjen, betejën për liri. Lufta për çlirimin e popullit shqiptar në Kosovë, për atë ishte preludi i një dasme të madhe lirie, gjithëkombëtare, të paparë kurrë më parë në trojet tona. Se ëndrrat i kishte të guximshme, prandaj ëdhë guxoi që të luftojë për t’i vënë ato në jetë. Se e ndjente domosdoshmërinë e organizimit të popullit si faktorin vendimtar për fitoren e lirisë, sipas mësimeve që kishte mësuar nga jeta, idetë e veprat e shumta lavdimëdha të idhullit të vet shpirtëror, Enver Hoxha, edhe ai guxoi t’iu jepte jetë atyre ideve e mësimeve, në tokën e nënës Kosovë e, në zemrën e vetëdijen e bashkëkombasve të robëruar nga barbari i çmendur serb.

Fehmi Ladrovci dhe Heroina Xhevë Lladrovci, ishin dhe mbeten shembulli i pastër se si historia jonë, vlerat e rralla e të mëdha na i sjell nëpër kohëra, për të na trimëruar e burrëruar në ditët më të rënda, për të na mbushur me krenari e për të na e rritur dinjitetin, kur të tjerët, antishqiptarët, por edhe tradhtarët, mundohen të na e shuajnë dritën për ta parë lavdinë tonë, si edhe për të na i prerë të gjitha lidhjet që na mbajnë gjallë me historinë tonë heroike e të lavdishme. Fehmi Lladrovci së bashku me Xheva Lladrovcin, bashkëluftëtaren e vendosur e gruan e Tij besnike deri në vdekje, na e sollën në kohërat moderne lavdinë e krenarinë me të cilën mbushën e nderuan, zemrën, emrin e truallin e kombit tonë, Heronjtë e Drenicës legjendare, Azem e Shote Galica. Drenica e Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, Drenica e heroizmit të pashoq në histori, të familjes Jasharaj, gjaku i derdhur anë e mbanë Kosovës, nuk do ta zbehin kurrë vlerësimin për jetën e veprën e Heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci, jetë e vepër kjo, që me të drejtë do të mburren brezat e ardhshëm të shqiptarëve, kudo që të ndodhen edhe në shekujt që do të vijnë.

Kur ke lexuar shprehjen që ngërthen brenda vetë përmbajtjes së saj edhe shpirtin, edhe moralin e një kombi të tërë, thënë nga heroina Xhevë Lladrovci: “Zëri i popullit të Kosovës që kërkon liri, është më i fortë se krisma e gjithë topave të Serbisë, të zbrazur së bashku”, merr me mend dhe e kupton se si ai zë i shqiptarëve e, ajo domethënie e asaj shprehjeje urtësie që buronte nga zemra e një gruaje luftëtare shqiptare, nga goja e heroinës Xhevë Lladrovci, paralajmëronte ardhjen e kohërave të reja për shqiptarët, në favorin e tyre, lajmëronte përendimin e atyre kohërave që i kishin mbajtur shqiptarët nën pushtim, dhunë, shtypje, përndjekje, vrasje e genocide të pashoq. Në rrethanat e reja historike, kur shpërtheu zjarri i luftës për çlirim nga pushtuesi shekullor serb, e thënë nga goja e një heroine si Xhevë Lladrovci, kjo shprehje ishte rrufeja që do të godiste për vdekje robërinë e, në gërmadhat e saj do të rilindte liria, bashkimi i kombit e trojeve tona. Edhe Xhevë Lladrovci, ashtu si bashkëluftëtari e bashkëshorti i saj, Fehmiu, kishte ditur ta lexonte e kuptonte qart idenë e mësimin e Enver Hoxhës se, s’ka forcë më të madhe se sa forca e një populli të organizuar e të bashkuar në një front, kundër pushtuesit.

Në këto vite pa këta kolosë të heroizmit kombëtar, Fehmi e Xhevë Lladrovci, koha ka nxjerrë më në pah vlerat e madhështinë e heroizmit të tyre, jetës e veprës prej heronjësh atdhetarë e të përmasave gjithëkombëtare. Kombi ynë do t’u jetë përjetësisht mirënjohës këtyre dy heronjve, do t’u përulet me nderim e mirënjohje për atë që ata bënë në sherbim të lirisë, do të ndjehet krenar për dinjitetin që ata iu dhuruan Atdheut e rracës shqiptare.

Në këtë përvjetor të rënies së këtyre dy heronjve emblematikë, nga zemra e çdo shqiptari që i thotë me bindje vetes “shqiptar”, duhet të burojë betimi i pashkelshëm, për një luftë edhe më të vendosur, plot trimëri e guxim, si trimëria e guximi heroik i tyre, për të jetësuar ëndrrën për të cilën flijuan jetën e tyre këta dy viganë të heroizmit e të shqiptarisë. Mirënjohja e çdo shqiptari të vërtetë, në këtë datë të shenuar për historinë tonë, duhet të shkojë në nderim e vlerësim të jetës, veprës e heroizmit të Heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci! Lavdi e mirënjohje e përjetshme, këtyre dy Heronjve të Kombit tonë, që ua dhanë jetën e tyre, lavdinë e tyr, luftës për liri e, që emrin ua mori historia për t’ua shkruar tek pavdekësia! (Pashtriku)

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Prishtinë promovohet libri “Bir i Atdheut”, kushtuar dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi

Naser Hajrizi ( 1962 – 1981)

Naser Hajrizi u lind më 7 gusht të vitit 1962 në fshatin Henc të Fushë-Kosovës. ...