‘Islamic Relief Kosova’ ndihmon familjet e varfra në Mitrovicë

Përmes një donacioni të organizatës  “Islamik Relief Kosova”,  janë ndihmuar me mish 200 familje skamnore të Mitrovicës.

Drejtoria për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, sektori i  Qendrës për Punë Sociale, falë bashkëpunimit të mirë me organizatën humanitare “Islamik Relief Kosova”, kanë ndihmuar  me mish 200 familje nevojtare të Mitrovicës, me nga shtatë kilogramë mish për familje.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka folur për ndihmën e vazhdueshme që kjo organizatë po jep për familjet skamnore në Mitrovicë. Në emër të institucioneve të komunës ai ka falënderuar organizatën “Islamik Relief Kosova” për veprimet e tyre humane te treguar në vazhdimësi.

“Ne po mundohemi t’iu ndihmojmë nevojtarëve brenda mundësive tona, por me këtë buxhet që kemi është e pamundur që t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre. Prandaj, ju falënderoi për kontributin tuaj për të ndihmuar familjet skamnore të Mitrovicës, pasi që  komuna jonë është njëra ndër komunat me gjendjen më të rëndë sociale në vend”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie sociale, Qazim Nimani, tha se ndihmat e tilla janë të mirëseardhura.

“Ndihmat e tilla zbusin  gjendjen e rëndë sociale në të cilën ndodhen këto familje, dhe japin një shtytje për një mirëqenie më të mirë”, është shprehur drejtori Nimani.

Kontrolloni gjithashtu

Jetën ia falën lirisë, që të jetojë i lirë shqiptari

Sot në Gllogjan e Maznik të komunës së Deçanit, në nder të 25-vjetorit të rënies …