Një histori e shtrembëruar, një realitet i zhdukur me qëllim
Ngjarjet e vjeshtës së vitit 1941 në Sanxhak dhe sidomos në Pazar të Ri përbëjnë një nga episodet më të përgjakshme dhe më të shtrembëruara të historisë së rajonit. Ato që ndodhën atë vit nuk ishin “përleshje lokale”, siç i ka quajtur sistematikisht historiografia serbe, por përpjekja e parë e organizuar për një spastrimin etnik të Sanxhakut, e kryer nga formacionet çetnike nën komanden e Dragoljub Mihailoviqit, Kosta Pećancit dhe drejtuesve lokalë si Radomir Cvetić, Todor Dobrić, Mašan Đurović e të tjerë.
Në historiografinë serbe – nga vepra e Vaso Çubriloviqit, deri te interpretimet e pasluftës të shkollës “partizane” – ngjarjet e Novi Pazarit janë paraqitur qëllimisht të zbutura: si “konflikt ndëretnik”, “hakmarrje lokale”, “pabesi e myslimanëve”, madje edhe si “kolaboracionizëm shqiptar e boshnjak”. Kjo narrativë ka shërbyer për të mbuluar faktin e thjeshtë dhe të pamohueshëm: 1941 ishte viti i tentativës së parë serioze për shfarosjen totale të popullsisë myslimane të Sanxhakut.
Djegiet e fshatrave, masakrat e civilëve, prerjet masive, dhunimet, rrëmbimet dhe djegiet e 2.016 shtëpive serbe dhe 776 shtëpive shqiptare e boshnjake brenda pak javësh – nuk ishin një proces spontan. Ishte një plan operacional i shkruar qartë nga ideologët e Serbisë së Madhe: Stevan Moleviq, Vaso Çubriloviq dhe drejtuesit e formacioneve çetnike.
Ky artikull synon të shpalosë të vërtetën historike – të zhveshur nga propaganda – për tri sulmet çetnike ndaj Novi Pazarit (tetor–dhjetor 1941), rezistencën e organizuar shqiptaro-boshnjake, rolin e Aqif Ef. Blytës, pjesëmarrjen e njësive shqiptare nga Kosova, si dhe dimensionin human që shpesh është fshirë: shpëtimin e qindra serbëve nga vetë myslimanët e Pazarit
Nga copëtimi i Kosovës dhe Sanxhakut (1912) në krijimin e një realiteti kolonial
Pas pushtimit të Kosovës dhe Sanxhakut nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912–1913, popullsia shqiptare dhe boshnjake u trajtua si një trup i huaj etnik dhe politik.
Sipas programit të famshëm të Načertanije-s dhe elaboratit të Vaso Çubriloviqit: “Elementi mysliman duhet zhdukur nga viset e Jugosllavisë, pasi paraqet rrezik të përhershëm ndaj shtetit serb.” Kolonizimi, shpërngulja e detyruar, djegia e fshatrave, likuidimet politike – ishin pjesë e planit të institucionalizuar shtetëror.
Politika e kolonizimit (1918–1941): baza e shpërthimit të vitit 1941
Në vitet 1919–1941, politika e mbretërisë SHS dhe më pas Jugosllavisë përfshinte: shpërnguljen e shqiptarëve drejt Turqisë, Sirisë dhe Shqipërisë; kolonizimin me serbë të Luginës së Ibrit, Peshterit dhe Saxnakut në tërësi; krijimin e njësive represive (xhendarmeria, “forcat e rendit”); kriminalizimin e çdo forme të vetëmbrojtjes shqiptare; djegien e rreth 120 fshatrave shqiptare në Kosovë e Sanxhak gjatë viteve ’20–’30. Kjo politikë përgatiti terrenin për atë që do të ndodhte në 1941.
Çfarë kërkonin çetnikët në vitin 1941?
Stevan Moljeviqi e thotë hapur: “Duhet pastruar Sanxhaku nga elementi mysliman dhe arnaut.” “Srbija i Crna Gora moraju imati zajedničku granicu.” “Sandžak treba očistiti od muslimana i Arnauta.” Ky plan u bë dokument zyrtar në programin e Ravnogorski pokret (shtator 1941).
Pse Pazari i Ri u shndërrua në shënjestrën kryesore?
Tre arsye kryesore: 1. Ishte qendra më e madhe urbane në Sanxhak
Novi Pazari kishte shumicë dërrmuese boshnjake-shqiptare dhe një klasë të fortë tregtare që kontrollonte ekonominë lokale. 2. Ndodhej në korridor kyç strategjik Korridori Mitrovicë–Novi Pazar–Rashka ishte linja e vetme komunikimi midis Serbisë dhe malësive. 3. Udhëheqja vendore ishte e fortë dhe e organizuar. Aqif Ef. Blyta, Mulla Jakub Kardoviq- Kombi, Ejup Lajiq e shumë të tjerë kishin lidhje me: Drenicën, Rugovën, Pejen, Plavën e Gucnëi, si dhe me Komitetin e Kosovës. Kjo e bënte qytetin të pakapërcyeshëm për çetnikët.
- Sulmi i parë çetnik ndaj novi pazarit (4 nëntor 1941)
Si nisi gjithçka? Gjermanët braktisin qytetin – çetnikët hyjnë në terren
Më 2 tetor 1941, komanda gjermane, nga frika se mos mbetej e izoluar gjatë kryengritjes së madhe në Serbi, e braktisi Novi Pazarin dhe u tërhoq drejt Mitrovicës. Largimi i tyre krijoi vakumin klasik: kur ushtria pushtuese tërhiqet, strukturat paralele etnike fillojnë betejën për kontrollin e territorit. Për çetnikët e Rashkës, Kopaonikut, Ibarskog Kolashini, ky ishte momenti i shumëpritur për realizimin e objektivit ideologjik: shfarosjen e elemintit josllav në Sanxhak.
Në këtë vakum, më 4 tetor, myslimanët e Novi Pazarit krijuan Komitetin e Mbrojtjes së Qytetit, i kryesuar nga Aqif Ef Blyta. Ai arriti të sigurojë:150 pushkë nga depot e xhandarmërisë, ngritjen e rojeve të armatosura në hyrje-daljet e qytetit, bllokimin e lëvizjes së popullsisë për të shmangur infiltrimin çetnik, dërgimin e delegacioneve drejt Drenicës, Pejës, Plavës, Gucisë, Rožajës dhe Mitrovicës për të kërkuar ndihmë.
Ndihma erdhi shpejt. Më 7 tetor 1941, në Pazar hyn grupi i parë prej 500 luftëtarësh nga Kosova, nën komandën e Shaban Polluzhës, pasi kishin thyer forcat çetnike në Kolashin.
Planet çetnike: rrethimi dhe masakra totale
Sipas dokumenteve të vetë çetnikëve, plani i kapiten Radomir Cvetiq ishte: “Rrethimi i qytetit në formë unaze dhe likuidimi i plotë i popullsisë myslimane.”
Në këtë sulm morën pjesë: Skuadra e Studenicës-dezhevës odred, skuadra e Kolashinit, rreth 20 serbë të arratisur nga Pazari, civilë të armatosur nga fshatrat Trnava, Pozhega, Brxhani, Banja, etj. Numri total i çetnikëve: 600 luftëtarë, por të gjithë me qëllim të qartë: hyrja në qytet dhe masakrimi i popullsisë myslimane.
Kjo konfirmohet edhe nga prania e dhjetëra familjeve serbe të veshura me rroba të zeza, të cilat shoqëronin formacionet – të gatshme për të “identifikuar” shtëpitë myslimane dhe familjet për t’u ekzekutuar..
Pse dështoi sulmi?
Sulmi filloi në orën 04:00 të mëngjesit. Deri në orën 10:00 çetnikët u detyruan të tërhiqen.
Arsyet: a. Organizimi i jashtëzakonshëm i mbrojtjes civile; Komiteti i Bljutës kishte bërë mobilizim të shpejtë: rreth 1.500 mbrojtës lokalë, ndihmë nga 500 luftëtarë të Drenicës, fomacionet e Milicisë popullore antikomunste nga peshteri dhe Bihori.
- Moral i lartë; Për popullsinë myslimane, kjo ishte çështje mbijetese. Dëshmia nga Biko Dresheviqi, Mulla Jakub Kardoviq-Kombi dhe Xhemail Koniçani tregon se luftohej derë më derë, dhe se çetnikët shpesh i goditnin nga prapa (për shkak të njohjes së terrenit nga vendasit).
- c) Papërgatitja e çetnikëve; Shumë prej tyre kishin vetëm:sopata,furka,sfurqe,thika. Disiplina ushtarake ishte e dobët. Xhandarmëria serbe e luftës së parë botërore nuk ekzistonte më; çetnikët ishin në thelb njësi paramilitare të fshatarëve të revoltuar.
- d) Alkool, plaçkitje dhe kaos; Dokumentet tregojnë se shumë çetnikë pasi hynë në Brđani, Trnava dhe te varrezat e Gazilarit, filluan: djegie shtëpish, plaçkitje, pirje të rakisë, therrje bagëtish. Forca pa disiplinë nuk fiton betejë.
Masakrat pas sulmit të parë: krrismë që nuk u shkruan në letër
Pas dështimit, çetnikët u hakmorën me djegiet dhe vrasjet masive në:Trnava, Brđani, Banja, Jança, Muhovo, Grabin, Bijele Vode, etj. Këto fshatra u dogjën pa mëshirë.
Në fshatin Pozhega, në shtëpinë e Bahtiar Dolovcit, u masakruan 13 gra dhe fëmijë serbë e myslimanë, edhe pse familja Dolovci kërkoi të mos prekej askush. Ky rast është shembull i qartë se konflikti nuk ishte thjesht “serb kundër mysliman” – ishte një luftë e organizuar nga çetnikët dhe e ushqyer me propagandë, por jo me ndarje absolute mes popullsisë civile.
Dimensioni më pak i njohur: shpëtimi i serbëve
Aqif Ef. Bljuta, Mulla Jakub Kardoviqi dhe dhjetëra familje myslimane shpëtuan 420 serbë të Novi Pazarit duke i strehuar në ndërtesën e Gjykatës së Qarkut. Nuk ka shembull tjetër në Ballkan gjatë Luftës II Botërore ku: popullsia e sulmuar dhe e djegur shpëton popullsinë e sulmuesit. Ky fakt është sistematikisht i fshehur në narrativën serbe.
- Sulmi i dytë çetnik ndaj novi pazarit (21 nëntor 1941)
Një ofensivë më e madhe, më e mirëorganizuar… dhe përsëri e dështuar
Në vetëm 17 ditë pas dështimit të parë, çetnikët rikthehen me një ofensivë të re, shumë më të madhe në numër dhe armë, me qëllim që të korrigjojnë “turpin” e pësuar më 4 nëntor.Ky sulm ishte:më i organizuar, më i armatosur, më brutal ndaj popullsisë civile, dhe me synime të qarta gjenocidale.
Përbërja e forcave çetnike në sulmin e dytë
Sulmi drejtohej nga: Togeri Pavloviq, Kapitan Radomir Cvetiq, Vojvoda Mashan Gjuroviq, Mirko Tomasheviq (oficer i Peçanacit), njësi të aradhës së Kolashinit, njësi të Vraçevskës–Nikolaçës, njësitë serbe të Rashkës dhe Studenicës. Në total, sipas burimeve serbe, ishin rreth 1.200 luftëtarë, ndërsa sipas burimeve shqiptare e boshnjake, numri arrinte 1.500–1.800.
Objektivi: shfarosja e plotë e fshatrave myslimane
Këtë e dëshmojnë sërish planet operacionale të Ravnogorski Pokret: “Pastrim i terrenit drejt Drenicës, Dukagjinit dhe Pazarit.” “Svi muslimanski živalj mora biti uklonjen.” “Novi Pazar mora pasti. Synimet nuk ishin më vetëm ushtarake — ishin të natyrës etnike dhe fetare.
Ecuria e sulmit
Sulmi filloi më 21 nëntor 1941. Në këtë betejë, çetnikët kishin zgjeruar shumë vijën e frontit:nga Požega,te Dojeviqe, nga Vuçiniq, nga malet e Rogoznës,deri në drejtim të Vidovës e Trnavës. Për herë të parë, sulmi çetnik synonte hyrjen drejt në qendër të qytetit, përmes luginës së Raškës.
Reagimi i mbrojtjes shqiptaro-boshnjake
Në këtë kohë, në Pazar ndodheshin rreth: 2.000–2.600 luftëtarë (sipas autorëve shqiptarë), përfshirë njësi të Drenicës, njësi të Bishevës, milicisë vullnetare të Peshterit, luftëtarë nga Drnica, Bajgora, Rugova e Rozhaja. Mbrojtja ishte tashmë me përvojë dhe shumë e motivuar.
Humbjet dhe barbaria çetnike
Sipas autorit Qukoviq: 42 çetnikë u vranë, 26 mbrojtës u vranë, 45 njerëz u plagosën, 20 gra, fëmijë dhe pleq myslimanë u masakruan.
Burime të tjera japin shifra edhe më të larta. Një fakt që nuk kontestohet nga askush: Shtator–dhjetor 1941 janë muajt më të rëndësishëm popullsisë myslimane të Sanxhakut lindor në shekullin XX, e cila arriti t’i shmangej gjenocidit. Në ato treva ku ishin forcat vullnetare nga Kosova dhe Milicia popullore, formacionet çetnike serbo malazeze nuk arritën të kryejnë spastrim e tnik.
Djegiet dhe masakrat gjatë sulmit të dytë
Në këtë ofensivë, çetnikët kryen mizori të dokumentuara edhe nga autorë serbë si Radović e Živković.
Në këtë valë barbarie, u dogjën:Pozhega (për herë të dytë)DojeviqeVuçiniqiVuçja Lokva, Berberishten, Rvatska, Kalin, Guljije
Disa të dhëna flasin për rreth 75% të territorit të Dezhevës të djegur në këtë fazë.
Një akt i veçantë mizorie: Në Vuçja Lokva, një grua myslimane u gozhdua e gjallë në një pemë.
(burimi serb e konfirmon këtë.)
Pse dështoi sërish sulmi çetnik?
Arsyet janë të ngjashme me sulmin e parë:a, Disiplina e ulët e çetnikëve
Përfshinte:dehje gjatë luftës,plaçkitje masive,djegie shtëpish pa rend operativ,mosbindje ndaj urdhrave. b) Koordinimi i dobët komandues; Kapetan Cvetići dhe Pavloviqi ishin në konflikt të hapur. c) Mbrojtja e mirëorganizuar myslimane; Aqif Ef. Bljyta organizoi një sistem të dyfishtë të mbrojtjes:pozicione statike ndalimi, njësi mobile goditëse. d) Ndihmat e reja nga Peja, Drenica dhe Rugova. Gjatë 15–20 nëntorit, erdhën edhe 300–400 luftëtarë të tjerë nga Kosova.
Paniku i popullsisë serbe dhe kërkesa e tyre për ndalim të sulmeve
Një nga faktet më të pazakonta të luftës:vetë popullsia serbe e Novi Pazarit iu lut çetnikëve të ndërprisnin sulmet.
Kanë mbetur të dokumentuara kërkesat me shkrim të: 2.500 serbëve të Pazari, 227 nënshkruesve nga fshatrat e Vojkovacës dhe Sopoqanit.
Ata kërkuan: ndalim të menjëhershëm të sulmeve,hyrje në negociata,fund të djegieve e masakrave.
Kjo është dëshmi se:popullsia serbe nuk kishte të njëjtin qëllim me çetnikët;çetnikët nuk luftonin për mbrojtjen e tyre, por për plane ideologjike; serbët e Pazarit e dinin se popullsia myslimane ishte gati t’i mbronte (siç edhe i mbrojti 420 prej tyre).
- Sulmi i tretë çetnik ndaj novi pazarit (4 dhjetor 1941)
Kur gjenocidi përpiqet të hyjë nën hijen e flamurit gjerman
Sulmi i tretë është i vetmi në të cilin çetnikët u përpoqën të keqpërdornin Wehrmacht-in për t’i hapur rrugë planit të tyre për pushtimin e Novi Pazarit dhe masakrimin e popullsisë myslimane. Ky sulm është edhe shembulli më flagrant i manipulimit, mashtrimit dhe tradhtisë që përdorën çetnikët, madje edhe kundër aleatit të tyre të momentit.
Plani: mashtrimi i komandës gjermane në Rashkë
Vojvoda Mashan Gjuroviq, i dështuar në dy sulmet e para, vendosi të përdorë një metodë tjetër: T’i thotë gjermanëve se Novi Pazari kontrollohej nga partizanët.
Arsyeja ishte e qartë:Gjermanët kishin urdhër që çdo territor nën kontroll partisansk të shkatërrohej menjëherë. Nëse do të besonin se Novi Pazar ishte “qendër komuniste”, atëherë bombardimi do të kryhej nga vetë Wehrmachti. Kjo do t’u shkurtonte punë çetnikëve: qyteti do të binte pa luftë.
Dhe gjermanët ranë në grackë — për 30 minuta.
Me 4 dhjetor 1941, një formacion gjerman i divizionit 113 të këmbësorisë u nxitua nga Raška drejt Pazarit, duke pasur me vete: rreth 100 ushtarë, katër topa kundërajrorë, skuadra zbulimi ajror.
Sulmi fillon me bombardim gjerman
Që në orën 09:00, pozicionet e mbrojtësve myslimanë dhe shqiptarë pranë Petrovës Crkva u bombarduan rëndë. Nëse gjermanët do të vazhdonin vetëm 30 minuta më gjatë, qyteti do të mund të binte. Por pastaj ndodhi çka nuk e priste askush: Gjermanët kuptuan se ishin mashtruar. Kur avionët e zbulimit u ngritën mbi Novi Pazar, nuk panë:flamuj partizanë,as njësi të armatosura komuniste, as gjurmë fortifikime partizane.
Çfarë panë? Flamuj gjermanë të ngritur nga popullsia myslimane. (Açif Ef. Bljuta kishte dhënë urdhër t’i ngrinin për të shmangur bombardimin.)
Gjermanët e kuptuan se: çetnikët kishin gënjyer, në qytet nuk kishte partizanë, qëllimi ishte spastrimi etnik i myslimanëve. Për Wehrmacht-in, manipulimi i aleatit ishte i patolerueshëm.
Gjermanët tërhiqen duke marr me vete çetnikët
I zemëruar, komandanti gjerman dha urdhër: Tërheqje të menjëhershme në Raškë. Ndalohet çdo operacion i mëtejshëm i çetnikëve. Në këtë moment, u bë e qartë se sulmi i tretë u kthye në një fiasko totale për çetnikët.
Pasojat: çetnikët e ekspozuan veten si forca terroriste, jo si aleate
Ky episod është tepër i rëndësishëm për disa arsye:Çetnikët provuan se nuk luftonin kundër gjermanëve, por bashkëpunonin me ta.Synimi i tyre i vetëm ishte eliminimi i elementit shqiptar dhe boshnjak.Ata ishin të gatshëm të masakronin edhe serbët e Pazarit, nëse do të duhej, për të realizuar marrëzinë ideologjike të Serbisë së Madhe.
Edhe dokumentet gjermane të Luftës II Botërore e përshkruajnë këtë episod si: “një tentativë e çetnikëve për të instrumentalizuar Wehrmacht-in në realizimin e objektivave të tyre etnikë”.
Rikthimi i gjermanëve në novi pazar (7 dhjetor 1941)
Më 7 dhjetor 1941, gjermanët hynë për herë të dytë në Novi Pazar. Ata u pritën me:duartrokitje, lule,entuziazëm, nga të gjitha komunitetet, përfshirë gra e fëmijë serbë.Prania gjermane nënkuptonte: ndalimin e operacioneve çetnike, fundin e masakrave, ruajtjen e një ekuilibri minimal të dhunës.
Xhafer Deva, i shoqëruar nga dy oficerë gjermanë, mbërriti në Rashkë më 6 dhjetor. Atje ai bisedoi me krerët çetnik, Sharkoviqin dhe Gjuroviçin, dhe më pas vazhdoi për në Novi Pazar. Pas vizitës së Devës, u mor një vendim për të ndaluar operacionet ushtarake.
Bilanci i masakrave (tetor–dhjetor 1941)
Kjo është pjesa më e rëndë dhe më e domosdoshme e analizës. Sipas autorit Živković: 634 të vrarë në total, 394 të vrarë në luftime, 240 civilë të masakruar, 216 myslimanë (shqiptar e boshnjak) të vrarë ( 144 prj tyre nga Kosova), 178 serbë të vrarë, 193 civilë serbë të vrarë, 47 civilë shqiptar e boshnjakë të vrarë. Sipas Radoviqit (paslufta): 756 viktima,482 të vrarë në beteja, 274 civilë të vrarë nga terrori i të dy palëve, 2.792 shtëpi të djegura, 2.016 serbe, 776 shqiptare e boshnjake. Ibrahim Lutfiu dhe Bajazit Boletini, ndër të tjera, paraqitën shifrën prej rreth 800 shtëpish shqiptare e boshnjake të djegura në rrethin e Dezhevës. Qeveria e Nediqit. Ajo përmend 892 shtëpi myslimane të djegura dhe 1,299 shtëpi të krishtera në zonën e Novi Pazarit.
Këto shifra nuk janë të barabarta, sepse çdo autor ka metodologji të ndryshme, por përputhen në një pikë të vetme: Masakra e Novi Pazarit ishte krimi më i madh etnik i Sanxhakut gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas atij të Bihorit, dhe luginës së lumit Lim.
- Dimensioni human: shpëtimi i 420 serbëve
Një nga historitë më të mëdha të errësirës është drita: 420 serbë të Novi Pazarit u shpëtuan nga myslimanët. Kjo u organizua nga: Aqif Blyta, Mulla Jakub Kardoviq, Mumin Ef. Halidoviq, dhjetëra familje myslimane që strehuan, ushqyen dhe mbrojtën fqinjët e tyre.
Ky fakt: nuk përmendet në librat shkollorë serbë, nuk përmendet në historiografinë e viteve ’50–’80, është fshirë qëllimisht nga memoari serb. Por është dokumentuar në: raportet e komunistëve lokalë, dëshmitë familjare, dokumentet e pasluftës. Ky akt është një argument i qartë kundër narrativës serbe se “myslimanët e Pazarit ishin kolaboracionistë pro-gjermanë”.
Pse duhet t’u kthehet e vërteta këtyre ngjarjeve
E vërteta është e pakundërshtueshme; Sulmet çetnike ndaj Novi Pazarit ishin tentativë për spastrimin etnik të Sanxhakut; Popullsia shqiptaro-boshnjake u vetëmbrojt me organizim, dinjitet dhe heroizëm me rreth 3200 forca vullnetare; Aqif Ef Blyta ishte figura qendrore e mbijetesës së qytetit — jo “kolaboracionist”, por udhëheqës legjitim i vetëmbrojtjes; Qindra serbë u shpëtuan nga myslimanët — një nga rastet e rralla të humanizmit ndër-etnik në Ballkan; Historiografia serbe ka shtrembëruar qëllimisht këtë kapitull; Ky episod kërkon rishkrim historiografik, përgatitjen e një dokumentari dhe hapjen e arkivave.
Burimi: Ismet Azizi, AĆIF EF. HADŽIAHMETOVIĆ BLJUTA: VELIKAN SANDŽAKA Botues: Fondacija “Memorijalni centar Hadžet” 2022 Novi Pazar
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
