Më 6 korrik 2025, në emisionin televiziv PIKË të KohaVisionit, gazetari Veton Surroi zhvilloi një intervistë me regjisorin dhe profesorin Fadil Hysaj. Intervista u publikua një ditë më vonë në portalin Koha.net, duke sjellë ide që prekin shtyllat themelore të identitetit shqiptar — nga roli i gjuhës standarde, përkatësia fetare, e po ashtu edhe kriza e rrënjëve kulturore.
Deri më tani, kjo intervistë nuk ka marrë përgjigje publike nga media apo institucione kulturore, ndonëse përmban pohime që kërkojnë ballafaqim serioz.
Në intervistë, Hysaj deklaron se gjuha standarde është “gjuhë pa shpirt” dhe produkt i dhunshëm politik.
Ky është një perceptim subjektiv që mund të kuptohet si ndjeshmëri estetike, por cilësimi si produkt politik i imponuar është i paqëndrueshëm dhe historikisht i pasaktë.
Gjuha standarde shqipe nuk është një formulim artificial, por një proces i ndërtuar me vullnet kolektiv për të pasur një mjet komunikimi të përbashkët në të gjithë hapësirën shqiptare.
Ajo është themel që ka lejuar shkollim të unifikuar, ndërtimin e institucioneve tona, librat, mediat, administratën dhe vetë përditshmërinë. Dialektet janë vlera, por standardi është ura që na bashkon.
Ta quash “pa shpirt” është ta mohosh procesin që i ka dhënë frymë bashkimit gjuhësor dhe institucional ndërshqiptar.
Deklarata më e debatueshme është kur Hysaj thotë se “po përhapet ideja se Kosova është 90% myslimane dhe se kjo po zëvendëson përkatësinë shqiptare”.
Ai e krahasoi këtë me Bosnjën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, ku identiteti fetar u politizua në kontekst lufte. Këtu jo vetëm që krahasimi është i pasaktë, por përmban një rrezik të madh në interpretimin publik.
Në Kosovë, përkatësia fetare nuk ka pasur asnjëherë rol ndarës në politikën shtetërore apo në lëvizjen për pavarësi ndër shekuj. Shqiptarët janë bashkuar përtej fesë, mbi parimin e përkatësisë, gjuhës, kujtesës kolektive dhe tokës së përbashkët.
Në historinë tonë, që nga Skënderbeu e deri te Lidhja e Prizrenit, nga Rilindja Kombëtare e deri te lufta e fundshekullit XX për Kosovën, shqiptarët nuk janë mobilizuar si komunitete fetare, por si komb që kanë një histori, gjuhë, kulturë dhe një ideal.
Krahasimi me Bosnjën “institucionalizon” një ndarje që nuk ekziston as në praktikë, as në vetëdijen tonë si komb.
Këto pohime janë një iluzion i rrezikshëm dhe nuk e përfaqësojnë aspak shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Po ashtu, Hysaj në vijimësi e përshkruan Kosovën si vend pa projekt kulturor dhe me institucione të zbrazëta.
Kjo është një pamje e errët, që ndoshta buron nga zhgënjimi i tij personal, por nuk e pasqyron realitetin me të gjitha sfidat dhe përparimet e dukshme në Kosovë.
Ne, pas luftës, me gjithë pengesat dhe vështirësitë, jemi përpjekur të ndërtojmë institucione që funksionojnë: si teatrot, mediat, shkollat në të gjitha nivelet, botimet, festivalet, akademitë dhe artistët që veprojnë e kontribuojnë me shumë përkushtim.
Jo çdo gjë është e përkryer, por ka përpjekje të vazhdueshme dhe ka publik që reagon e ndjek; ka kritikë të shëndoshë dhe shoqëri civile që e ngre zërin fuqishëm kur vetë politika gabon.
Nëse qëllimi i Fadilit është të nxisë diskutim mbi identitetin, atëherë ky diskutim duhet të zhvillohet me transparencë, respekt dhe ide të shpjegueshme.
Të flasësh për rrënjë pa saktësi, të përmendësh deformime pa dëshmi, dhe të përdorësh gjuhë të ngarkuar emocionalisht pa argumente historike, është thellësisht gabim.
Megjithëse Fadilin dhe familjen e tij e njoh prej dekadash, këto pohime mu duken paksa jashtë realitetit dhe të habitshme…
Do të isha pajtuar plotësisht nëse Fadili do të kishte kërkuar që në institucionet tona në përgjithësi, e në ato të kulturës në veçanti, të drejtonin profesionistët – njerëz që dinë të bëjnë arsim cilësor, të ndërtojnë akademi me vlera, e art e kulturë.
Fatkeqësisht, elemente të ish-sistemit jugosllav i gjen në çdo pore të rëndësishme e në çdo institucion jetik të vendit, madje edhe në disa media apo tek analistë që duan të krijojnë opinione apo narrativa me prapavijë…
Feja, as në kohërat më të errëta, nuk na ka ndarë ne shqiptarët – e as sot.
Asnjëherë nuk kemi luftuar në emër të fesë. Në çdo kohë, shqiptarët kanë dëshmuar se kombi është mbi të gjitha!