Isuf Bytyçi: Roli i medieve të shkruara gjatë Rilindjes Kombëtare

Isuf Bytyçi: Roli i medieve të shkruara gjatë Rilindjes Kombëtare

Shefat Ademi është njëri ndër autorët e paktë në këtë moshë, pa i mbushur 30 vjet, ka një vepër të botuar, me një temë kaq interesante, dhe tjetrën duke e shkruar! Ka kryer Fakultetin e Filogjisë për Gjuhë dhe letërsi shqipe me sukses të shkëlqyeshëm dhe studimet posdiplomike, tani ka titullin magjistër dhe në të ardhmën ka prioitet doktoraturën! Shefati, merret me publicistikë,  shkruan opinione dhe merret me gjuhë e çështe letrare, rregullisht.

Libri i tij i parë është „Roli i medieve të shkruara gjatë Rilindjes Kombëtare“, me rëndësi kombëtare,  letrare dhe publicistike, të cilin e ka shkruar me aq përkushtim dhe e ka botuar në shtëpinë botuese „Lena Graphik“,  në vitin 2022, në Prishtinë! Libri është i shkruar në pesë kapituj, gjithsejt i ka 164 faqe. Kur e lexoj librin e Shefatit, të cilin e ka shkruan me pasion dhe kujdes në mënyrë kronike, në raport me mediet shqiptare në kohën e sundimit osman në tokat tona edhe pas pavarësisë së Shqipërisë shtetërore nga Perandoria Osmane, më kthen në kohën e gjimnazit dhe në vitin e dytë të studimeve, kur na ligjëronte profesori i ndjerë, Latif Berisha, të cilin e vranë forcat ushtarake dhe paramilitare serbe në luftën e fundit, në Kosovë, në shtëpinë e tij, pa i bërë askujt, asgjë.

Autori merret hap pas hapi me zhvillimin e medieve në kohën e Rilindjes Kombëtare, Shqiptare, me autorë e patriotë të medieve, vendet se ku janë botuar dhe përpjekjet e pengesat e vazhdueshme të tyre. I frymëzuar në baza kombëtare nga leximi, historia dhe veprimtaria e gjithë atyre intelektualëve t’asaj kohe, autori i librit, herë pas here shkruan me emocione, kur bazohet në atë kohë dhe kushte tejet të vështira, pothuajse të pamundura, në kohën kur jetonin dhe vepronin, ata! Gjithë atë punë, me gjithë ato sakrifica që e bënë dhe pothuajse të gjithë vdiqën me ëndrrën e lirisë e, pa e përjetuar atë! Prandaj, autori është i bindur se nuk është e lehtë ta realizojë një libër të përmasave kaq të larta, por ja që ia doli me sukses ta përfundojë librin!

 Lindja medieve shqiptare, të shkruara në gjuhën shqipe dhe përmbajtja e gazetave e revistave, përfshihet në kapitullin e parë dhe të dytë, rëndësia e Alfabetit të gjuhës shqipe për zhvillimin e shtypit shqiptar, në kapitullin e tretë, ndikimi i tyre i jashtëzakonshëm në shoqëritë shqiptare, në kapitullin e katërt dhe mediet me ndikim më të madh te publiku lexues shqiptar dhe i huaj, në kapitullin e pestë.

Parathënien e librit e ka shkruar Prof. dr. Zejnepe Alili-Rexhepi dhe hyrjen, vetë autori. Dëshira dhe profesioni i autorit, bëjnë që ai ta shkruajë veprën me dashuri dhe entuziazëm, t’i analizojë e t’i shpjegojë hap pas hapi gjithë ato ngjarje, si në teori, ashtu edhe në praktikë, në kohë, rrethana dhe kushte të caktuar e të jashtëzakonshme.

Derisa në vendet e Europës Perëndimore, lindi dhe u zhvillua Renesansa (Rilindja), shumë më herët, në trojet shqiptare filloi diku në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Kudo që ishin nëpër botë shqiptarët, me vështirësi merreshin me çështjen kombëtare, kurse në trojet e veta, pothuaj se ishte e pamundur  veprimtaria kombëtare e atdhetare.

Që kur e humbi luftën Perandoria Osmane nga alenca pansllaviste, dhe mbajtjes së Kongresit të Berlinit në vitin 1878, të gjitha shtetet përreth, fituan pavarësi dhe u zgjeruan në tokat e tyre edhe të shqiptarëve, kurse shqiptarët, përveçse i humbën tokat e tyre, ata ende nuk fituan të drejta për ta mësuar atë më të shtrenjtën – gjuhën e tyre në vendin e tyre!

Vendet ku filloi lindja, përhapja e medieve shqiptare dhe qëllimi i tyre, ishin: Bukureshti, Sofja, Kajro, Stambolli, Greqia, Italia, Belgjika, e tj. Kurse gazeta e revista, të cilat dolën nga më të parat, janë: nga shqiptarët e Italisë, 1848 “Pellazgu”, 1877 “Komiteti i Stambollit”, 1877 revista “Drita”, në Greqi 1879 – 1890 “Zëri i Shqipërisë”, 1879 revista “Shkodra”, 1883 – 1887 revista “Flamuri i Arbërit”, 1897 – 1903 “Albania” e t.j., që autorët e këtyre revistave ishin: Jeronim de Rada, Anastas Byku, Faik Konica etj. „Shtypi shqiptar kishte si mision krijimin e një ideje dhe frymën kombëtare, që do të çonte deri te liria e plotë.“ (Fq. 58)

Pas gjithë këtyre përpjekjeve, rilindasit, patriotë kombëtarë, që tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare, përveçse i rrezikuan familjet e tyre, ata e rrezikuan edhe jetën e tyre dhe shumë herë u torturuan dhe u vranë nga organet osmane e ato greke, për shkak të përhapjës së ideve kombëtare, kulturës dhe frymës kombëtarë që kultivuan dhe përhapën, shkruan autori i librit.

Me kujdes, autori paraqet në librin e tij ‟ Roli i medieve të shkruara gjatë Rilindjes Kombëtare”, zhvillimet politike në Perandorinë Osmane, në vendet e ballkanit dhe në ato të Europës. Pas Kongresit të Berlinit në vitin 1878, Mbledhja e Londrës 1913, mbledhja e Versajës 1919 e tjera, shqiptarët ngelën të vetmuar, të coptuar dhe prapë të robëruar dhe se askush në Europë nuk e çante kokët ta mbrojë të drejtën e tyre! Prandaj, gjithë këta intelektualë e patriotë, ia kushtuan tërë jetën çështjes kombëtare dhe nëpërmjet medieve të shkruara, arritën deri diku ta informojnë opinionin europian, në raport me çështjen kombëtare shqiptare dhe se ua bënë me dije se shqiptarët, pa fajin e tyre janë të ndarë në tri fe, por të bashkuar me gjuhë, për komb e atdhe. Pra, jo vetëm osmanlinjët edhe vendet europiane, që i quanin shqiptarët e besimit musliman, turq, shkruan  Shefat Ademi, por kishte zëra edhe nga vetë shqiptarët, që ishin të këtij mendimi!

Autori i librit, përveçse merret me mediet shqiptare dhe rolin ndikues në popull e arenën ndërkombëtare, ai e trajton edhe çështjen e Alfabetit, të Gjuhës Shqipe. Derisa, intelektualët shqiptarë, të shpërndarë në Europë, Azi e Afrikë e, më vonë edhe në Amerikë, kishin vështirësi të trefishtë: pengesa e parë ishte nga Perandoria Osmane si pushtues, që i pengonin dhe i ndaloin ato, kudo që botoheshin, pengesa e dytë ishte se pothuaj të gjithë ata intelektualë e patriotë që vepronin me mediet shqiptare, ishin jashtë vendit të shpërndarë dhe e treta, se mediet shqiptare, e kishin vështirësi kryesore mungesën e një alfabeti të përbashkët, në gjuhën shqipe.

Përveç tjerash, ishte edhe problemi i ndarjes në grupe, klane e krahina e, sidomos problem themelor ishte se një pjesë e madhe intelektualësh ishte që ta kemi një alfabet të gjuhës shqipe në bazë të latinishtes e, një pjesë e vogël e tyre, që ishin nën ndikimin osman, preferonin alfabetin arab! Si bazë e alfabetit të gjuhës shqipe, Shefati, i përmend edhe veprat e para të botuara në gjuhën shqipe si: “Formula e pagëzimit” 1462, “Meshari” i Buzukut 1555 edhe “Ungjilli i Pashkëve” në shek. XV- XVI-të,  që ishin botuar me alfabetin latin.

Përpjekjet ishin të vazhdueshme dhe autori i librit “Roli i medieve të shkruara gjatë Rilindjes Kombëtare”, e përmend rastin e letrës, të cilën ia dëgon Sami Frashëri, Jeronim de Radës, në lidhje me forcimin e gjuhës shqipe dhe formimin e bashkimit të dialekteve: „Punë e vëllezërisë shqiptare edhe e bashkimit dhe e ngjalljes së Shqipërisë, është punë e Lidhjes, që ka zënë punën shëndosh edhe vetë gjithnjë mbarë, punë e të ngjallurit të gjuhës shqipe dhe të bashkuarit të dialekteve t’asaj dhe të ndriturit të kombit tonë …“ (fq. 116)

Alfatetet, në fillim ishin disa që përdoreshin e, ndër to ishte Alfabeti i Stambollit, të cilin e përdornin shumë intelektualë e revista shqiptare. Ai i Naum Veqilharxhit e shumë të tjerë, u përdorën deri te Kongresi i Manastirit, në vitin 1908, që u bashkuan dhe vendosën që ta kemi një alfabet të bashkuar gjithëkombëtar.

Ndikimi i jashtëzakonshëm i medieve shqiptare për lexuesin shqiptar dhe atë të huaj.

Në pjesën e fundit të librit të Shefat Ademit, trajtohet çështja e ndikimit të medieve shqiptre në kohën e Rilindjes. Ato, pra mediet, kanë qenë mjeti më i përshtatshëm, që kanë pasur mundësi të ndikojnë te populli shqiptar e, sidomos në vendet e Europës Prëndimore.

Shqiptarët ishin nga popujt më të shtypur, që nuk e kishin as alfabetin as gjuha shqipe, nuk lejohej të përdorej në shkolla! Kurse, brenda tokave shqiptare ishin të lejuara rreth 1000 shkolla në gjuhën greke e serbe, ku autori citon Ismail Kadarenë, që në gjuhën shqipe ishin rreptësisht të ndaluara shkollat dhe se shqiptarët me fe myslimane i konsideronin turq dhe kishin të drejtë shkollimi në gjuhën turke, kurse shqiptarët e besimit ortodoks, konsideroheshin grekë në Jug dhe serbë në Veri, kurse ata të besimit katolik konsideroheshin latinë dhe se vetëm në kishë gjatë meshave, ua lejuan përdorimin e gjuhës shqipe, në kohët e fundit! Prandaj, si pasojë, shqiptarët ishin me 95 për qind  analfabetë dhe, se nuk ishte e lehtë të informohen me ngjarjet dhe zhvillimet.

Autorët që shkruan dhe ndikuan, në lidhje me kulturën, gjuhën dhe lirinë e vendit, gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin: që nga Jeronim de Rada, Spiro Dine, Naum Veqilharxhi, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Naim e Sami Frashëri e tj., që erdhi deri te themelimi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878 dhe hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë, në vitin 1887.

Këto janë vargjet, të cilat ia kushtoi Naimi ynë hapjes së shkollës parë shqipe në Korçë, më 7 Mars 1878:

„O vëllezër shqipëtarë

Gëzohuni që erdhi kjo ditë!

Kaq e mirë e kaq e mbarë

Që sjell gjithë mirësitë….“ Naim Frashëri (Fq. 142)

Pra, pas gjithë kësaj pune, autori i librit „ Mediet shqiptare në kohën e Rilindjes kombëtare“,  na ka ofruar shumë të dhëna , në raport me kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përpjekjet, vështirësitë, përplasjet dhe të arriturat e elitës kombëtare shqiptare, të asaj kohe. Por, pa i menjanuar e harruar as përplasjet dhe mospajtimet në mes të  intelektualëve shqiptarë, pengesat nga faktori osman edhe politikat e fqinjëve gllabërues si; grekët, bullgarët, serbët e malazezët, që deri në momentin e fundit luftuam krahëpërkrahë me ta të bashkuar, kundër sunduesit primitiv e të egër – Perandorisë Osmane dhe në fund u sulën si hienat me ndihmën e Rusisë, duke i vrarë e masakruar, duke i asimiluar e shpërngulur nga tokat e tyre, shqiptarët.

Të lodhur nga lufta, analfabetë me 95 për qind, të ndarë në tri fe e, besa edhe të përçarë si çdoherë, gjë që edhe tani nuk jemi shumë më mirë, nga mendësia pëçarëse që kemi e të ndarë jemi, në fe, parti e krahina si çdo herë! Por, herë drejtpërsëdrejti here në mënyrë indirekte, na bën me dije autori i librit, Shefat Ademi, nga i cili pritet shumë, që ka ardhur koha se pas gjithë këtyre përpjekjeve, ndërtimi i dy shteteve, Shqipëri e Kosovë që i kemi, duhet të veprojmë e të luftojmë për t’i bashkuar e, ta bëjmë një shtet funksional e të fuqishëm, Shqipërinë Etnike, sa nuk është bërë vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …