leoni

XHEMAIL PECI: ARBRESHA KELMENDI-RAMADANI DHE PRIVILEGJI I DRITËS SË FJALËS IV

XHEMAIL PECI: ARBRESHA KELMENDI-RAMADANI DHE PRIVILEGJI I DRITËS SË FJALËS IV

Do ta duam gjuhën shqipe, sepse kjo gjuhë për mijëra vjet shprehu mendimin e sa e sa miliona njerëzve të një gjaku me ne, sepse fati i saj qe fati i Shqipërisë, jeta e saj historia jonë, mbretërimi i saj madhështia jonë. Ta duam, sepse fjala e saj na del nga fundi i shpirtit bashkë me çdo njësi tonën, trazohet me mendimet tona që prej burimit të tyre e më thellë, dhe nuk është vetëm trajtë, kumbim, ngjyrë, por krejt jeta e mendimit tonë. Do ta duam, sepse është ushqim mendor yni, fryma e mendjes dhe e shpirtit tonë, sepse është shprehja e vetisë më të madhe të cilësive të veçanta të kombit tonë, fytyra më e gjallë dhe më fisnikja, gati-gati natyra vetë e racës sonë. Do ta duam, sepse është lidhja më e fortë e njësisë sonë si popull, ushtima e së kaluarës sonë, zëri i ardhmërisë sonë, jo vetëm fjala por qenësia e shpirtit të Atdheut. Do ta duam gjuhën shqipe, sepse është e bukur, shumë e vjetër dhe shumë e fuqishme.  (K. Gurakuqi, publicist dhe iluminist shqiptar, Dashunija për gjuhën shqipe, 1942)

Biseda me Zake Prelvukajn

Jeni rritur në një familje artistësh. Na thuaj cili ka qenë motivi që edhe ti të merresh me art?

Është një pyetje sa e drejtpërdrejtë po aq edhe kuptimplote për bashkëbiseduesen e radhës, duke i dhënë asaj mundësi për të folur me krenari për një traditë të tërë familjare për muzikën, për një dhunti dhe për një trashëgimi të rrallë.

Më tej një evokim kujtimesh për artin në të kaluarën, për sfidat e shumta. Arti dhe koha, motivet që mishëron arti i saj. Arti si dhunti, shkrimi si prirje, ditari si kronikë.

Ose shuhesh si artist, ose mbijeton! Kështu shpalos bisedën piktorja: Viten 90, ora policore, arti në shënjestër të pushtuesve, Hani i Robertëve si pikëtakim e promovim, Galeria Dodona, arti si gjakim, komponenta e ngjyrës, arti si eksperiment në pikturë e jo vetëm në të, arti si frymëzim dhe arti si mishërimi i ideve, si kombinim i ngjyrave, si interpretim i ndjenjave, përkatësisht i shtresave të shumta shpirtërore.

Arti si enigmë dhe artisti si sfidë, guximi kundruall çdo paragjykimi, ‘dashtnija’ si motiv, përkatësisht lajtmotivi mbase edhe jetësor i Zakes, të krijosh e të mos vrasësh, pra arti nuk merr jetë, arti falë bukuri, shpalos madhështi, arti është bekim sepse arti është dhunti.

Zakja ka një origjinalitet në idetë që shpalos, në motivet që shtjellon, në temat që rrah, në bisedat që shtron, në pikëpamjet që përfaqëson. Duke e ftuar atë në emision, Arbresha i ofron mundësinë që sërish të përkujton kohët e shkuara, ballafaqimin e realiteteve e të mendësive, thyerjen e tabuve, marrjen e nismave novatore.

Zake Prelvukaj është piktorja që beson në fuqinë e artit herë si rezistencë e herë si dokumentim, ashtu siç beson edhe në misionin që ka arti dhe artisti. Ajo flet me një theks të ëmbël të shkodranishtes, ka guximin e saj prej malësores dhe dhuntinë e dëshmuar prej piktores.

Biseda me Fatjona Matrakun

Duke e ftuar Fatjonën në emisionin e saj, Arbresha sikur mëton të kujton shprehjen e njohur të poetit kombëtar, Naim Frashërit: Eni vjen prej Çamërie. Do ta nisë këtë bisedë me origjinën tënde çame, pikërisht me këtë. Kështu e fillon bisedën Arbresha. Ndërkaq, e ftuara e saj përgjigjet sa me ndjenjën e krenarisë po aq edhe me atë të nostalgjisë: ‘Unë jam me origjinë nga Çamëria. Të katër gjyshërit e mi vijnë prej andej, dhe kjo më bën padiskutim krenare. Kjo më bën shumë krenare. Prandaj, lidhja ime me Kosovën është kaq e ngushtë, kaq e fortë. Kam një dashuri të madhe për ju, për Kosovën, për shqiptarët e Kosovës dhe për Kosovën në veçanti.’

Gjithsesi, zëri i gjakut gjithmonë flet ngapak. Pastaj biseda ka në sfond pianon, dhuntinë për të, Parisin (‘kryeqytetin kulturor të Europës’), rrugëtimin që ka bërë Fatjona. E ajo bën të ditur se mirënjohja i detyrohet babait të saj, i cili gjithashtu kishte dashuri për muzikën. Jeton në Paris prej 12 vitesh, ‘por edukimi është patjetër shumë shqiptar. Në Paris kam arritur të kuptojë se Shqipëria është vendi i zemrës, Kosova është vendi i dytë i zemrës… Jetoj në Paris por me shpirt dhe me mendje gjitmonë me Shqipërinë. Në Paris kam kuptuar se në qoftë se duam të ecim dhe të zhvillohemi, duhet të dijmë nga vijmë.’

Shpaloset kështu një vetëdije pë kombin dhe atdheun, dashuria për artin, për muzikën, dhuntia për të. Ajo ka sa talentin po aq edhe përkushtimin, është modeste por edhe krenare.

Gjithsesi një bashkëbisedim mes dy simotrash, një bisedë spontane, e çiltër, për violinën, pianon, muzikën, artin, këngën dhe vallen çame, për arbëreshët, Kadarenë, polifoninë çame, jetën mes Francës dhe Shqipërisë: ‘Unë jam mësuese e pianos në Patris. E dua shumë artin, kulturën, jam njohëse shumë e mirë e folklorit shqiptar si dhe e folklorit të të tjerëve.’

Përmes një bisede si kjo, bëhet e ditur se Fatjona Matraku (‘pianiste dhe krijuese inovative’), është edhe një poliglote e cila flet gjashtë gjuhë), dhe se ajo jeton mes Tiranës (‘vendi ku kam lindur dhe ku jam rritur’) dhe Parisit. Fatjona shpreh respektin dhe mirënjohjen për profesorët dhe pararendësit e saj. Zbulimi i një Shqipërie ndryshe është misioni dhe vizioni i saj, ëndrra e saj, aspirata e saj, sublimuar mes tjerash edhe në reportazhin e saj: ‘Të bësh një reportazh për Shqipërinë është shumë e vështirë…Akoma më e vështirë është t’i thuash një francezi se unë jam çame! Kush është Çamëria? … Kemi një kulturë të larmishme, është shumë e bollshme dhe patjetër duhet ta nxjerrim në pah’, gjë që vetvetiu nënkupton përmirësimin e imazhit të shqiptarëve.

Kemi për çka të flasim, kemi kulturë, kemi historinë…Unë jam kosovare por e dua muzikën çame. Pse çamët kanë muzikë aq të bukur? – e shtron pyetjen e radhës Arbresha, duke qenë sërish e drejtpërdrejtë, duke shprehur krenarinë e saj të ligjshme e të qenunit kosovare, si dhe dashurinë dhe adhurimin e saj për muzikën e simotrës së saj.

Hajde pyesim grekun që thotë është e jona! – ia kthen Fatjona…Çamët kanë muzikë të bukur sepse janë shqiptarë dhe shqiptarët janë shumë të talentuar…Muzika shqiptare buron nga zemra, nga shpirti. Janë këngë dhe valle, janë gjëra që kanë dalë natyrshëm dhe kur diçka është e thjeshtë dhe vjen natyrshëm, del edhe bukur. Kënga çame ka polifoninë, e cila është shumë e pasur, e jashtëzakonshme, por edhe vallet që janë të jashtëzakonshme…Një balancë ndërmjet qiellit, tokës dhe ajrit…Një dashuri për vendin, për tokën. Janë shumë heroike. Jemi popull simfonik…

Një konstatim domethënës, me të cilin Fatjona shprehu lumturinë për intervistën e saj të parë në Kosovë, kurse Arbresha kënaqësinë për mundësinë e ofruar simotrës së saj çame:

Veçori individuale artistike çelin gjithmonë dritare të rëndësishme të karrierës. Ne sot patëm një histori interesante të një pianisteje me origjinë, që e do Kosovën por edhe shqiptarinë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …