Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë, radio e nderit dhe lavdisë shqiptare

Isuf Ismaili: 7 MARSI – DITA E MËSUESIT, DITA E SHKOLLËS SHQIPE E DRITËS DHE DITURISË

Pas gjithë veprimtarisë së shquar atdhetare e kulturore, lidhjeve të natyrshme që kishin krijuar rilindësit tanë, pas përpjekjeve e sakrificave të mëdha, u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë më, 7 mars 1887.

Gëzuar 7 Marsin, të dashur mësimdhënës, profesorë e profesore, mësues e nxënës, punonjës në vatrat arsimore dhe të gjithë ju që përpiqeni e veproni për mbarëvajtjen arsimin e shkollën shqipe!

Sot është një ditë e shënuar në historinë e popullit shqiptar, një ditë e arsimit dhe kulturës shqiptare e cila rrezatoi që nga viti 1887 e deri më ditët e sotme. Ajo do të vazhdojë të jetë edhe në ardhmen dritëhedhëse për brezat e rinj shqiptarë dhe do të kujtohet si drita e shkëlqimi i diturisë, mësimeve dhe mbarvajtjes së natyrshme atdhetare, që lidhen përjetësisht me shqiptarësinë tonë, me rrugën e vështirë e të mundimshme, por edhe krenare të mësimdhënësve shqiptarë që jo vetëm i mësuan nxënësit, se si ata t’i hedhin hapat e sigurt në drejtim të dijes së përgjithshme e shkencës, shoqërisë, por një pjesë prej këtyre mësimdhënësve u bënë edhe udhërrëfyes frymëzimesh atdhetare në shkollat shqipe, duke i ushqyer nxënësit e tyre me idealet më të shëndosha të lirisë, të pavarësisë e të bashkimit të tërësishëm shqiptar.

Rilindësit tanë e kishin kuptuar shumë qartë, se shqiptarët për t’u çliruar e për t’u mbrojtur sa më mirë u duhej jo vetëm pushka e zjarri, por edhe lapsi, libri, shkolla dhe dija, si armët më të fuqishme për të ditur se si duhet jetësuar synimet atdhetare shqiptare, si duhet të vëmë në jetë pasurinë kulturore, si të emancipohemi e përparojmë  sa më shumë.

Para disa kohësh në një nga intervistat shumë të rëndësishme që i ka dhënë profesori ynë i nderuar, gjuhëtari i shquar, akademik Emil Lafe, ndër të tjera ka theksuar: “Popujt  e pushtuar që e kanë ruajtur gjuhën e tyre, kanë ruajtur edhe çelësin për të dalë nga robëria.”

Në këtë kuptim edhe rilindësit tanë të shquar edhe pse në rrethana shumë të vështira të padijes, mjerimit, errësirës, pushtimit të popullit shqiptar nga Perandoria Osmane, gjetën në mes të popullit shpirtin liridashës e dashurinë për tokën arbërore, për gjuhën e të parëve, gjetën shkëlqimin e rrjedhën e natyrshme të gjuhës shqipe me të cilën ushqeheshin shpirtërisht damarët e njerëzve tanë, në të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, por edhe në trevat e ngulimeve arbëreshe në Itali.

Rëndësia e mësimit e ushtrimit, e mbajtjes gjallë të gjuhës mëmë, gjuhës amtare dhe rrjedhimisht edhe e zanafillës së natyrshme është qartë, kur kemi shembullin më konkret me vëllezërit tanë arbëreshë, të cilët paraqitën një përbashkësi, të lidhur mirë me njëri – tjetrin, duke ushqyer shpirtin e tyre, ndërgjegjen e tyre me gjuhën e të parëve, me gjuhën arbëreshe, me folklorin e besimin e tyre.

Kjo gjuhë, ky shpirt i pasurisë arbëreshe, vjen e shprehet natyrshëm edhe në ditët tona, kur ata na falin edhe dashuri vëllazërore, por edhe krenari të zanafillës sonë të njëjtë e të qenësisë sonë si popull me histori, me gjuhë e kulturë të përbashkët.

Kur jemi këtu te arbëreshët, natyrshëm theksojmë, se ata edhe pse në ngulimet e tyre në Itali, edhe dyert e dritaret e shtëpive, kishave e objekteve të tjera, i kanë kthyer e i kanë bërë nga drejtimi i Arbërisë. Po kështu edhe poeti, folkloristi dhe mësuesi atdhedashës, rilindësi ynë i madh, arbëreshi ynë shquar Jeronim de Rada, ulej në ballkonin e shtëpisë së tij në Maqi, nga drejtimi i Arbërisë, merrte ajrin e pastër dhe mendonte se vjen nga Arbëria. Ky mall, kjo dashuri, ky shpirt i pastër u ruajt e u kultivua, në radhë të parë, nga gjuha e zemrës, nga gjuha arbëreshe. Ja sa e rëndësishme është gjuha e sidomos kur ajo mësohet në shkolla. Prandaj edhe Jeronim de Rada edhe rilindësit tanë të tjerë, si Naim e Sami Frashëri e shumë e shumë të tjerë vepruan e punuan pareshtur dhe i hapën shkollat në gjuhën shqipe.

Veprimtaria e Jeronim de Radës, shkolla që kishte hapur në Shën Adrian, janë ndihmesë shumë e madhe dhe pazëvendësueshme për Rilindjen Shqiptare.

Gjuhëtari ynë i shquar, profesor Jup Kastrati në librin “Jeronim de Rada” në shkrimin “Krijimtaria e Jeronim de Radës” shkruan: “Shqipëria – siç kanë shkruar studiues arbëreshë – përpara se të jetë një etnitet politik i pavarur, qe një realitet poetik në veprën e Jeronim de Radës” ( Vepra letrare 1, Tiranë 1997)

Pas gjithë veprimtarisë së shquar atdhetare e kulturore, lidhjeve të natyrshme që kishin krijuar rilindësit tanë, pas përpjekjeve e sakrificave të mëdha, u hap Shkolla e Parë Shqipe në Korçë më, 7 mars 1887.

Kjo është Shkolla e Parë Shqipe që u hap në trevat shqiptare, sipas të dhënave që i kemi, edhe pse mësimi i gjuhës sonë është bërë edhe më përpara, në shtëpitë private, apo në kishat e xhamitë, kur ka pasur priftërinj e hoxhallarë atdhedashës. Ata, fshehurazi, ua kanë mësuar njerëzve gjuhën shqipe, pastaj në ngulimet arbëreshe janë hapur shkolla të rëndësishme edhe më parë, siç është ajo në Horën Arbëreshe në Sicili e cila u hap më 1587 nga Lekë Matrënga, ose ajo në Shën Adrian, më 1732, por sidoqoftë në trungun e Shqipërisë (Arbërisë) vetëm më 7 mars 1887 u hap Shkolla e Parë Shqipe, në Korçë, prandaj sa herë vjen përvjetori i kësaj shkolle, festohet në trevat shqiptare.

Kështu kjo datë, gjithmonë, është festuar në Republikën e Shqipërisë, por në trevat të tjera të Shqipërisë së natyrshme që qenë të pushtuara nga Jugosllavia, nuk festohej publikisht, por njerëzit atdhedashës e me kulturë e dije e festonin kudo që ndodheshin.

Pas luftës së lavdishme, madhështore e çlirimtare të UÇK – së heroike, pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, por edhe në diasporë festohet kjo ditë e shënuar e arsimit e kulturës e gjuhës dhe shkollës shqipe.

Shprehja e profesor Emilit është jo vetëm e saktë, por edhe ndriçon kuptimin e asaj periudhe, ku një pjesë e popullit shqiptar edhe pse e pushtuar e ruajti gjuhën e kulturën, i ruajti damarët e shëndoshë e gjakun e pastër shqiptar, por edhe aktiviteti e veprimtaria atdhetare e çlirimtare është ndërlidhur me ato që i theksova më sipër. Prandaj në Kosovë dhe në trevat të tjera shqiptare që qenë nën Jugosllavinë e dikurshme, krahas arsimit, krahas mësimit të gjuhës shqipe, mësuesit atdhedashës i përgatitën edhe djemtë e vajzat, trimat e trimëreshat shqiptare për ta gjetur edhe “çelësin e çlirimit”, siç ka theksuar profesor Emili.

Kur jemi te ngulimet arbëreshe, te mërgata e përgjithshme shqiptare, duhet të themi se ka rëndësi të madhe dhe të pazëvendësueshme hapja e shkollave shqipe, mësimi i gjuhës shqipe, i kulturës shqiptare, si vlera të domosdoshme për ta ruajtur zanafillën – shqiptarësinë tonë, por edhe për ta kultivuar motivin atdhetar, për të vepruar e punuar për çështjen tonë të përbashkët arbëreshe – shqiptare.

Ne e themi, shpesh me krenari se një pjesë e bashkatdhetarëve tanë, të prirë nga mësimdhënës atdhedashës në mërgim, kanë hapur shumë shkolla shqipe, bëjnë edhe manifestime  kulturore etj, por realiteti është i dhembshëm, se këto shkolla, këta njerëz që punojnë e veprojnë, që digjen si qiri, janë fare të paktë, në krahasim me numrin kaq të madh të shqiptarëve në mërgim. Rrjedhimisht, ata që nuk e mësojnë gjuhën shqipe, fare lehtë e në mënyrë të pandjeshme treten e shkrihen në dhe të huaj e nga ndikimi i madh i kulturave dhe gjuhëve vendëse.

Ne po përpiqemi ta shpëtojmë atë që është e mundur, por kjo është pak në krahasim me numrin kaq të madh të shqiptarëve të mërguar, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të popullit shqiptar. Institucionet e dy shteteve tona, duhet të gjejnë mundësi e duhet të gjejnë mjete për ta organizuar edhe mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë, por edhe zhvillimin e veprimtarive kulturore që ta mbajmë të gjallë shqiptarisht këtë pjesë të popullit tonë. Duhet të gjejnë, madje edhe mekanizma detyrues që prindërit shqiptarë në mërgatë t’i çojnë fëmijët në shkollat shqipe.

Ne me dhembje të madhe e shqetësime pakufi e shikojmë se një pjesë e diasporës shqipfolëse po vdes, po tretet, siç janë tretur e janë shkrirë shqiptarët në shekuj, herë në romakë e latinë, herë në bizantinë e herë në osmanë, në grekë, serbë e bullgarë dhe në kultura e identitete të tjera. Këto nuk mund të mos jenë dhembje e shqetësime të shqiptarëve atdhedashës e si njerëz të mirë.

Por, kurdoherë themi me bindje se mësimi i gjuhës shqipe është jetik për të ruajtur rrënjët e gjakun arbëresh – shqiptar.

Mund të mbahen, manifestime, mund të mësohen këngë, mund të paraqitemi me kostume e shenja shqiptare, por këto janë të pakta në qoftë se nuk e mësojmë gjuhën shqipe. Gjuha jonë jo vetëm na krijon mundësitë e komunikimit të rrjedhshëm, por na mëson edhe kush kemi qenë, si kemi qenë, ku jemi e si jemi, por edhe ku do të shkojmë, si të veprojmë e si të punojmë edhe për brezat e ardhshëm, që të mbeten shqiptarë të mirë e të ndjeshëm, që edhe ata të punojnë e veprojnë me pastërtinë e pasurinë shpirtërore shqiptare.

Ne mësimdhënësit shqiptarë, realisht, jemi fanarët e ndriçimit të udhës shqiptare e shpirtërore të fëmijëve shqiptarë, këtu në mërgatë. Ne  e kemi me vete, vazhdimisht një pjesë Shqipërie, kudo që shkojmë dhe po përpiqemi ta mbjellim farën e Shqipërisë e të gjuhës shqipe në mendjet e zemrat e këtyre fëmijëve. Natyrisht, kur të mbjellësh me kaq përkushtim do të dalë patjetër diçka e mirë.

Dua të theksoj se faktin se njeriu, gjithmonë, ka nevojë të madhe për t’ i shpjeguar mirë, qartë e rrjedhshëm, natyrshëm e bukur mendimet e tij, dijet e tij, mësimet e përjetimet e tij dhe përvojën e tij jetësore. Por, për të pasur suksese e për të arritur nivele të larta e të kënaqshme shkencore e shoqërore, njeriu duhet ta zotërojë sa më mirë gjuhën e tij, gjuhën standarde, sepse ajo është e pasur me shprehje e me mundësi të mëdha e të pashtershme komunikimi edhe për arsye se, gjithmonë, gjuhët standarde janë të lëvruara mirë, prandaj edhe pasurohen njerëzit e i bashkojnë synimet e përvojat tyre sidomos brenda bashkësisë së një populli.

Gjuha shqipe është ngritur në nivelin e shkallës më të lartë letrare, a standarde dhe në kuptimin e mirëfilltë, na bashkon e do të na bashkojë edhe më shumë e më mirë edhe në të ardhmen.

Gëzuar 7 Marsin, të dashur mësimdhënës, profesorë e profesore, mësues e nxënës, punonjës në vatrat arsimore dhe të gjithë ju që përpiqeni e veproni për arsimin e shkollën shqipe!

Me këtë rast dua të shpreh nderimin e përuljen time para veprës e para punës të atdhedashësve, veprimtarëve,  mësimdhënësve e studiuesve:  Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Naim e Sami Frashëri , Konstadin Kristoforidhi, Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Sevastie Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Migjeni, Aleksandër Xhuvani, Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Rexhep Qosja, Rexhep Mejdani, Dhimitër Shuteriqi, Agim Vinca, Francesco Altimari, Matteo Mandala, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Ali Xhiku, Jup Kastrati, Jani Thomai  e qindra e mijëra profesorë, mësues atdhetarë e të përkushtuar në të gjitha trojet shqiptare, në të tërë Shqipërinë.

Një pjesë e këtyre mësuesve janë edhe dëshmorë dhe heronj të Shqipërisë si Fazli Graiqefci, Xhemaili Berisha, Rexhep Mala etj. Lavdi të përjetshme! Po kështu me këtë rast duhet t`i kujtojmë dhe nderojmë pafundësisht edhe bashkëveprimtarët e tyre, mësimdhënësit atdhetarë si: Ahmet Qeriqi, Nezir Murtaj, Xhevdet Syla, Kadri Rexha, Lebit Murtishi, Ajet Duli, Martin  Çuni, Muhamet Tërnava,  Jakup Krasniqi, Shaqir Zeneli, Shaqir Shaqiri, Sherif Krasniqi,  Ramadan Pllana e shumë e shumë të tjerë,  të cilët vuajtën edhe në burgjet e ferrit jugosllav dhe të gjithë ata që janë gjallë edhe sot e kësaj dite japin ndihmesën e tyre e i përkushtohen në veprimtarisë së shquar atdhetare, arsimore e shoqërore.

Në këtë festë të madhe të mësuesit, të shkollës shqipe ka rastisur edhe përkujtimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroizmit të Komandantit legjendar të UÇK – së Adem Jashari e të Jasharëve të tjerë, të dëshmorëve e heronjve që dhanë jetën e tyre për lirinë, çlirimin e Kosovës e jetësinë e gjithë Shqipërisë.

Lavdi të përjetshme Heroit Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e heronjve shqiptarë!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …