Isuf Ismaili: Krijimtaria letrare e Lebit Murtishit iu flet zemrave shqiptare e njerëzore

Poeti, prozatori dhe dramaturgu Lebit Murtishi është nga ata krijues që vargun poetik, fjalën artistike e shoqëron me nota të një harmonie muzikore me ndjeshmërinë shpirtërore, në një përmbledhje ndërthurjesh ideore, nga edhe më fuqishëm se me ndonjë motiv tjetër shquhet motivi i dashurisë për atdheun dhe përkushtimi ndaj dëshmorëve dhe heronjve, të cilët u flijuan për lirinë e njëmendtë dhe bashkimin e Atdheut. E tërë vepra e tij  jetësore e krijuese është një përkushtim i theksuar ndaj arsimit, kulturës, letërsisë dhe ribashkimit të trojeve të Shqipërisë.

Mësuesi patriot, Lebit Murtishi e mbrojti  shkollën shqipe në Ladorishtë, me forcat shpirtërore atdhetare të shumëfishuara, përballë policisë e pushtetit shovinist e barbar sllavo- maqedonas. Ai ishte i gatshëm të flijojë madje edhe jetën për shkollën e arsimin shqip, për shkollën e cila u bë vatra jo vetëm e mësimit nga lëndët e shumta shkencore e shoqërore, por u bë edhe shkolla e edukimit njerëzor e atdhetarizmit shqiptar.

Momentet sa krenare aq edhe madhështore për hapjen e shkollës shqipe me forcat fizike e shpirtërore, morale e atdhetare në radhë të parë të prijatarëve a nismëtarëve si Lebit Murtishi Kadri Labënishti, kryeplaku i fshatit, Qemal Lena dhe mësuesit e atdhetarët të tjerë qofshin nga Ladorishta a të vendeve të tjera, kanë gjetur trajtimin artistik tek  romani: “Udhët e yjeve” . Ky roman i Lebitit është një përshkrim jo vetëm kësaj ngjarje, por shtrihet në kohë të ndryshme e në vatra të ndryshme shqiptare, ku mbizotëron një harmoni rrëfimtare e meditative e gërshetuar në mënyrë të shkëlqyer si nga ana ideore ashtu edhe nga ana artistike.

Një pjesë e madhe e mësimdhënësve, e në mesin e tyre edhe mësuesi, vëllai e shoku ynë i dashur Lebit Murtishi, u bënë flamurtarët, zëdhënësit dhe edukatorët më të mëdhenj të atdhetarizmit dhe bashkimit të trojeve të Shqipërisë.

Në këto shkolla shqiptare këta mësimdhënës dolën në radhët e para të demonstratave dhe aksioneve, në ballë të manifestimeve, grumbullimeve e veprimtarive jo vetëm për çeljen e shkollave shqipe, por edhe për çlirimin e bashkimin kombëtar, prandaj pushtuesit serbë, maqedonas e malazezë i burgosën i torturuan për vdekje e megjithëkëtë  një pjesë e madhe prej tyre mbijetuan. Mbijetoi edhe Lebiti, të cilin kriminelët policë, barbarë sllavo-maqedonas e liruan nga burgu, ngase e kishin torturuar për vdekje, e liruan që të vdiste në shtëpi, por ai e mundi vdekjen me forcat e pashterura njerëzore e atdhetare dhe kështu së bashku jo vetëm punën e tij praktike e veprën konkrete të aksionit, por edhe  me krijimtarinë e tij letrare është pjesë e dritës dhe rrezatimit artistik, është pjesë e pandarë në kurorën e atdhetarizmit shqiptar.

Lebit Murtishi u lind në Ladorishtë, më 1955  në një fshat shqiptar a katund siç i thonë arbërisht, afër Strugës, i cili ngrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Është në kufi me fshatin Frëngovë dhe afërsisht 2 km., deri në Qafë Thanë, ku padrejtësisht është vënë kufiri në mes trojeve shqiptare, por që në kuptimin shpirtëror për të gjithë atdhetarët e liridashësit shqiptarë ai kufi as ka ekzistuar dhe as nuk ekziston. Shqipërisë i kemi thënë e i themi Atdheu ynë, aty ku shqiptari gjallëron në trojet e tija brez pas brezi edhe pse armiqtë serbë, sllavo – maqedonas, malazezë e grekë na i pushtuan më shumë se gjysmën trevave shqiptare.

Dhe ja ç`na thotë Lebeti duke evokuar historinë i flet edhe të tanishmes i flet brezave dhe i jep peshën e porosisë atdhetare në artin poetik:

Ah për pak harrova!/Ku mbeti Prizreni?/ S`ka më pashallëqe,/Vendosi Kuvendi

Shkoni nga të doni,/ Mes për mes t`i bini,/ Një dhe një të vetme,/ Shqipërinë e shihni.

Te libri: “Poezi dhe dy monodrama” 2013, poezia: “Shqipërisë”

Kështu i flet shpirti, kështu i shkruan dora, kështu krijoji vepra që lexuesit shqiptarë të komunikojnë përherë e në kohë të ndryshme me të dhe këta  të pasurohen e të begatohen me ide të mëdha e me shije artistike, të marrin frymëzime për të ecur e gjallëruar në botën e lavdisë e krenarisë shqiptare.

Në poezinë  e krijimtarinë e tërësishme letrare sado që e hasim motivin lirik, atij më për zemër i shkon motivi epik, heroik, madhështor dhe krijimtaria e tij pikërisht kulmon me përkushtim letrar ndaj heronjve e dëshmorëve të atdheut dhe porosive për jetësimin e synimeve dhe idealeve shqiptare.

Prandaj edhe natyrshëm i derdh vargjet poetike e fjalitë prozaike e dramatike në vepra për heronjtë e Shqipërisë, të cilët u flijuan në luftën heroike të UÇK- ës si Adem Jashari, Fehmi Lladroci, Tahir Sinani etj.

Tri monodramat për këta tre heronj paraqesin ndërthurjen logjike e harmonike, gjuhësore e letrare në lidhshmëri të pandashme me heroizmin dhe porosinë për jetësimin e ribashkimit të Shqipërisë dhe mbarëvajtjes së saj.

Përmbyllja që i bënë monodramës “Ky dhe ka zot” kushtuar Komandantit Legjendar të UÇK- ës Adem Jashari, janë fjalitë më kuptimplota të ndërlidhura me atë që u tha më sipër.

“Ky dhe ka emër, ky dhe ka Zot

Unë jam Shqipëria që nuk di për mort “

Përveç stilizimit gjuhësor e letrar këtu kemi dhe simbolikën e identifikimit të heroit me Nënë Shqipërinë, së cilës i dha jetë nga jeta e tij dhe pikërisht nga ky heroizëm e flijim dhe heroizma të tjerë rron Shqipëria me heronjtë e saj, që nuk dinë se ç`është morti.

Po kështu edhe tek monodrama “Kosova nuk di të vdesë” kushtuar heroit Fehmi Lladroci shquhet pikërisht përkushtimi atdhetar që shkon aq ndjeshëm në kuptimin e jetësimit të idealeve shqiptare.

Tjetra monodramë: “Këngë prej dheu”, kushtuar heroit të kombit Tahir Sinani, i cili mori pjesë në tri luftërat e UÇK- ës, në mënyrë shumë të natyrshme e gjejmë fillim dhe kulmin artistik  në vargjet.

Dhe trup e tërthor/ e tërthor e trup/ gjithandej rrugët më çojnë, / përmes Shqipërisë.

Gjuha e veprës letrare të Lebit Murtishit është shumë mirë e latuar, nëpërmjet së cilës ndërthuret e harmonizohet së bashku edhe figurshmëria e simbolika, ritmi, rima dhe përgjithësisht vlera artistike e ideore.

Ai fjalën e nxjerr ëmbëlsisht nga gurra e gjuhës shqipe dhe i drejtohet popullit.

Dritëro Agolli në një artikull ka theksuar: “Poezia si çdo art tjetër, duhet t`u flasë zemrave dhe të bëhet e nevojshme si ajri, uji dhe buka”

Pikërisht edhe Lebit Murtishi padyshim e themi se përveç dellit poetik që e ka, përveç muzikalitetit të ëmbël që shfaq në veprën e tij letrare, ai i flet zemrave njerëzore, lexuesve shqiptarë dhe sidomos poezia e tij ndjehet si ajri i freskët malor.

24.11.2013.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …