Në Volketswill të kantonit Cyrih – Zvicër më, 18 maj 2025, në këtë ditë shumë të bukur e mbresëlënëse u mblodhën nxënësit shqiptarë të shkollave shqipe në Zvicër dhe zhvilluan lojëra futbolli, ku u bë një turne dhe disa aktivitete të tjera kulturore, ku fryma e përkushtimi atdhetar për shqiptarësinë tonë e për tërësinë e Shqipërisë u shfaq me gjithë shpirt, nga të vegjlit e shkollave shqipe, nga nxënësit e përkushtuar e të zellshëm, të cilët me flamuj shqiptarë e veshje ngjyrash kuq e zi, karakteristika këto që shfaqin tërë bukurinë e harmonisë e krenarisë sonë, i përfunduan me sukses të shkëlqyer aktivitetet kulturore e sportive.
Që në orët e hershme të mëngjesit profesor Vaxhidi, mësueset Qefser Sejdiu, Anita Duriçi, Minire Azemi, Teuta Myrtaj, Lumnije Klinaku, Nuraj Ilazi, Mersime Muja e disa mësimdhënës të tjerë kishin shkuar për t’i pritur nxënësit e prindërit e tyre.
Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu për javë të tëra u mor me organizimin e këtij turneu, i cili jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si organizator e veprimtar i shfaq me këmbëngulje e përkushtim të pashoq të gjitha vlerat e veprimtarive, siç qe edhe kjo sotmja. Ai me gjithë dashamirësinë e shkëlqyer edhe ndaj prindërve edhe ndaj kolegëve e strukturave organizative shoqërore i fton të gjithë për bashkëpunim e për organizimin e veprimtarive e aktiviteteve, sa arsimore, sportive po aq edhe kulturore, por barrën kryesore e merr dhe realizon vetë. Por, natyrisht edhe mësimdhënëset e cekura më sipër dhe disa mësues e veprimtarë të tjerë dhanë ndihmësen e tyre për mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore e sportive. Megjithëkëtë, profesor Vaxhidi interesohet edhe për detajet më të vogla, të cilat shumica e madhe e njerëzve as që i vënë re.
Ai e ka takuar në Tiranë futbollistin më të mirë të kombëtares shqiptare Lorik Cana, i cili i kishte premtuar se në aktivitetet e lojërave të futbollit që do të bëhen prej nxënësve shqiptarë, do të vinte, ndaj sot ai u gjend pranë nxënësve e mësimdhënësve.
Fëmijët, prindërit, e të gjithë pjesëmarrësit shfaqnin gjithë admirimin e respektin për futbollistin e mirënjohur Lorik Cana, ata kërkonin të bënin fotografi dhe të merrnin autograf nga ai. Fëmijët gjithë entuziazëm, mblidheshin rreth tij dhe ai u kënaq shumë duke e shprehur mirënjohjen e thellë e dashurinë të madhe për fëmijët.
Natyrisht që edhe turneu përfundoi me lojërat të cilat i zhvilluan skuadrat e shumta të nxënësve, në një atmosferë tepër emocionuese dhe mbresëlënëse.
18 maj 2025