leoni

Isuf Ismaili: Poezi e shkruar me fjalë zemre

 


Vargje poetike të Lebit Murtishit Letërsia shqipe është pasuruar e po pasurohet vazhdimisht me zëra poetikë, të cilët na kanë dhënë dhe po na japin në mënyrë të vazhdueshme kënaqësinë e të shijuarit të vlerave të shquara letrare e artistike. Pa hezituar fare kanë shfaqur tërë botën e tyre letrare e artistike, duke shpalosuer edhe ndershmërinë e disa edhe përkushtimin e sakrificat e shumta, madje edhe flijimin për Atdheun, për gjuhën, kulturën për përparimin e mbarësinë e zhvillimit të tërsishëm në planin kombëtar e njerëzor përgjithësisht.
Ata shpalosin dhembjet e mëdha që i kanë shkaktuar e po i shkaktojnë plagët e ndarjeve dhe të pushtimeve Atdheut, madje edhe zhvillimet politike e shoqërore qoftë në Kosovë, apo në viset të tjera shqiptare e që janë plagë të Atdheut e të popullit tonë, nuk mund të mos vë re në mënyrë të veçantë syri i poetit dhe shkrimtarit, të cilat po mundohen qoftë ndërkomëtarët qoftë shumë përfaqësuesë të përbërjeve politike në të tëra viset shqiptare t`i fshehin apo mbulojnë. Janë këta poetë e shkrimtarë, njerëz që kanë dalur nga gjiri i popullit që i përkushtohen pahezitim atij dhe Atdheut, siç është poeti, atdhetari e njeriu i mirë Lebit Murtishi, nga Ladorishti i Strugës. Poezia e tij është një burim nga gurra krijmtarisë së mirëfilltë shqiptare. Është një poezi e shkruar me fjalë zemre. Poezia e tij del edhe nga dhembjet për sakatosjën e Atdheut jo vetëm në të kaluarën por edhe tani:

S`mjaftoi Berlini,
as Londra s`qe mjaft,
egërsisht pret trungun,
tash Vjena e lashtë.

Poetë e shkrimtarë të tillë janë duke përçuar zërin e popullit tej për tej trojeve shqiptare, anembanë Shqipërisë, për të lënë kështu faqe të ndritura në historinë e letërsisë shqiptare. Megjithëkëtë, duhet thënë me keqardhje se të tillë shkrimtarë a artistë janë shumë të rrallë në jetën tonë publike e artistike.
Mbarshtrimi i temave të rëndësishme kombëtare dhe jo vetëm kombëtare, por edhe njerëzore në kuptimin e tërësishëm, jo vetëm janë të nevojshme, por mbi të gjitha janë domosdoshmëri e kohës. Në Kosovë, por edhe në viset të tjera shqiptare ka aq shumë tema, ka aq shumë motive për të shkruar, për të vënë në pah edhe ato ngjarje, por edhe për të përshfaqur vlera letrare e artistike përgjithësisht.
Shkrimtarë dhe artistë e regjisorë të shumtë në Evropë a në Amerikë, por edhe në vende të tjera trajtojnë tema të ndryshme, shumë më pak të rëndësishme se ngjarjet reale që i kanë përjetuar shqiptarët. Sikur i gjejnë temat me sforcime të mëdha, mbase disa prej tyre po të rrëfehen qetë e qetë nuk paraqesin rëndësi të mëdhe.
E megjithatë, këta shkrimtarë, artistë a regjisorë arrijnë të japin emocione, të përshfaqin vlera të mëdha letrare e artistike në mënyrë të shkëlqyer, madje edhe duke mbajtur lexuesin a shikuesin në ethe të pritjeve se çdo të ndodhë më tutje. Po pjesa më e madhe shkrimtarëve e artistëve shqiptarë mos vallë nuk kanë aftësitë e nevojshme për t`i shfrytëzuar e paraqitur edhe ngjarjet e fundshekullit të kaluar, luftën e UÇK-ës dhe përpekjet e më hershme, siç janë demostratat e ngjarjet e 68-ës, 81-shit, të viteve 90-ta, veprimtaria ilegale e organizatave dhe grupeve ilegale, puna dhe qëndrimi krenar i tyre edhe në organizime dhe në burgje, heroizmat e tyre e të bijëve e bijave të tjerë me pushkë e penë në dorë për lirinë e plotë dhe ribashkimin e Shqipërisë, përjetimet shumë të dhembshme e rrëqethëse të njerëzve tanë, të cilave natyrisht duhet dhënë formën letrare dhe artistike?

Natyrisht ka shkrimtarë dhe poetë të cilët janë motivuar e kanë shkruar për ngjarje, që kanë të bëjnë me përjetime e vuajtje të mëdha të shqiptarëve të nën pushtimin jugosllav e serb a maqedon dhe malazez, janë lëvruar tema të rëndësishme që kanë karkter thellësisht kombëtar.
Shkrimtari, gjuhëtari, studjuesi i letërsisë, analisti politik, pedagogu i shkëlqyer, veprimtari i palodhur në ilegalitet e në luftë, por edhe pas saj, pra edhe në ditët tona, drejtori i Radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi ka arritur të na dhurojë veprat më të shquara si në kuptimin përbajtësor ashtu edhe në atë artistik, të cilat kanë temën e veprimtarisë atdhetare në ilegalitet dhe në burg, vuajtjet, punën sakrificat, qëndimin dinjitoz për liri, bashkim kombëtar e njerëzor.
Me ketë rast nuk mund të mos përmendet pishtari i letërsisë se sotme shqipe Dritëro Agolli, i cili me poezinë me prozën e gjykimin e tij të mprehtë e të ndershëm jo vetëm se është shumë i dashur për lexuesin e dëgjuesin shqiptar, por për më tepër krijmtaria e tij letrare është himn në letërsinë shqiptare, është krenaria shembullore kulturore e kombëtare.
Ai i ka mëshur fort zërit për ribashkimin e Atdheut, sepse Shqipëria e ndarë, është gjysmë zë, gjysmë trup, si një gjysmë njeri etj siç shprehet i madhi Dritëro. Simbolika e tij është bashkimi i Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi në malet e Kukësit, prandaj quhet aty e andej vetëm Drin. Siç bashkohen drinat dhe shumë degë të tjera ashtu të bashkohet Atdheu dhe populli ynë na thotë Dritëroi.

Ah, t`i bëj dhe këngët të këndojnë
Në një shtrat të vetëm me gjëmim,
Këngë krahë e degë t`i bashkojmë
Mbledhur si dy Drinat në një Drin

Natyrisht poezia e Dritëroit është si një mal gjigant, më i larti në letërsinë e sotme shqiptare dhe padyshim krijmtaria letrare e tij ka ndikuar fuqishëm krijimin e tërësishëm të botës poetike të Lebit Murtishit, prandaj nga vepra, nga kjelltësia e vargut poetik të Driëroit ka marrë ndriçim e forcë të mbarë edhe mendja poetike e Lebit Murtishit, i cili na ka dhënë kënaqësi shpirtërore kombëtare e njerëzore duke botuar një varg veprash poetike me vlera të mëdha ideore e artistike, por edhe me analiza të mprehta kombëtare, politiko- shoqërore e njerëzore.
Ka botuar këto vepra : “Përmes Shqipërisë”, poezi, botuar në Shkup më, 1999; “Te kulla e Adem Jasharit” poezi, Tiranë më, 1999; Harku i lahutës flet” poezi, Tetovë, 2000; “Jam Unë” poezi, Shkup 2005; “Pelegrinë në Janinë” poezi botuar gusht 2006 në Strugë…… “Këtu jam që sot e mot”poezi, Tiranë, 2006 dhe vepra të tjera siç është libri me poezi, i titulluar: ”Mall i gjakut tim”, botuar në gusht 2007 në Strugë, por edhe libri tjetër publicistik, i cili ka një përmbajtje sa atdhetare e njerëzore aq edhe të rëndësisme dhe aktuale i titullaur:”Sfida dhe kurthe”, botuar në Tiranë 2006.
Po kaq mbështetje dhe ndikim të fuqishm për t`u formuar shpierti poetik i Lebitit ka pasur edhe krijmtaria letrare e bilbilit të gjuhës shqipe, pra nga krijmtaria e këtij biri të devotshëm të Shqipërisë, nga Naim Frashëri ynë i madh, i cili shpesh herë quhet edhe Naim Shqipëria, i cili padyshim në Letërsinë e Rilindjës sonë Kombëtare është si një mal tjetër vigan, më i larti dhe i papërsëritshëm, brumoset pashmangshëm mendja e Lebitit, por edhe e të gjithë atdhetatëve të tjerë shqiptarë kudo që ata kanë qenë dhe vazhdon vepra naimjane të jetë po kaq madhështore, po kaq frymëzuese, po kaq e rëndësishme edhe tani për të gjithë mendjet e shëndosha shqiptare.
Është fare e natyrshme që poezia dhe krijmtaria e tërësishme letrare e këtyre dy korifenjve të letërsisë shqiptare është një farë e pavdekshme artistike që rrezaton dhe shkëlqen gjithanshmëisht tek ne, e në mënyrë të veçantë tek ndjeshmëria shpirtërore shqiptare, prandaj natyrshëm edhe tek poeti atdhetar Lebit Murtishi, poezia e të cilit ka dalur në dritë, në radhë të parë e lidhur pandashëm me idealet më të shenjta të popullit shqiptar e Shqipërisë Nënë.
Ja si shprehet Lebiti, pasi i kishte theksuar pjesën më të madhe të qyteteve shqiptare si të vetë shtetit shqiptar ashtu edhe qytetet të tjera të trojeve e tij që ia kishin pushtuar serbo – maqedono – malazezo – grkët:

Shkoni nga të doni
Mes për mes t`i bini
Një dhe një të vetme
Shqipërinë e shihni
Nga libri “Përmes Shqipërisë”, botuar në Shkup 1999.

Tema e atdhedashurisë e luftërave e heronjve e dëshmorëve të kombit, e fateve të vendit e krenarisë kombëtare e dinjitetit si shqiptar dhe si njeri vjen natyrshëm në poezinë e Lebit Murtishit. Ai poezinë e tij e ka të kthjelltë, të kuptueshme, origjinale, pa dorashka e mbështjellime dhe ngatërrime. Fjalën poetike e pasuron me idenë e porosinë kombëtare e njerëzore. Atij nuk i pëlqejnë figura me plot ngatërrime, siç shkruajnë disa poetë, të cilët fjalën e tyre e veshin me përçues kuptimi vetëm për specialistët a studiuesit letrarë, madje disa shkruajnë vetëm sa për dekor, apo sa për të thënë se shkruajnë, por në thelb nuk thonë asgjë. Ndërsa Lebiti idenë e ka burimore e nxjerrë nga thellësia e ëmbësisë gjuhësore të shqipes sonë.
Poezia e tij është si vetë shpieti i pastër popullor, sepse ai i drejtohet popullit, i drejtohet njeriut tonë, merrë aromën më të këndshme të tabinit popullor shqiptar.
Shumë poetë shqiptarë jo vetëm në të kalurën, por edhe më vonë, pra edhe sot, sidomos në viset shqiptare të pushtuara nga ish jugosllavët shkruanin poezinë e letërsinë përgjithësisht si shenjë mendjemadhësie e deliri se gjoja vetëm ata ditkan të bëjnë letërsi e art, duke fshehur shterrpësinë e ideve dhe injoracën, por edhe mosdurimin ndaj heroizmave e madhështive, që i ka bërë vetë populli, bijtë dhe bijat e tij më të mirë që i dolën zot Atdheut.
Lebiti paraqet problemet, hallet, shqetësimet reale popullore shqiptare, heroizmat e madhështitë e figurave emblematike, siç është ajo e Adem Jasharit e heronjve dhe dëshmorëve të tjerë kombëtar, e betejave, përpjekjeve dhe luftës së shenjtë të UÇK-ës për liri e bashkim kombëtar, qoftë në Kosovë, qoftë në trojet të tjera shqiptare nën Maqedoninë, Sebinë apo Malin e Zi.
Poezia e Lebitit e radhitë atë ndër krijuesit letrarë më të mirë kombëtar, prandaj poezia e tij është e ëmbël e afërt e kapshme, shpirtërore shumë e pranueshme tek të gjithë shqiptarët e pastër e të shëndoshë shpirtërisht.
Për poezinë e Lebitit nuk mund të thuhet për asnjë çast se është e tejkaluar, siç shprehen disa pseudostujuesë për tema të tilla të trajtuara në letërsi.
Ata madje shkojnë drejt globalizimeve dhe harrojnë se nuk e kemi zgjidhur çështjen shqiptare, pra atdheun e kemi pjesë – pjesë dhe plagë – plagë. Madje edhe sikur po të kishte qenë çështja shqiptare e zgjidhur natyrisht poezia atdhetare, përgjithësisht letërsia me frymën atdhetare do ishte e domosdosme dhe do të jetë e domosdoshme edhe në të ardhmen. Poezia e Lebitit i shërben në mënyrë besnike frymës dhe jetës atdhetare.
Prandaj kurrë nuk mund të thuhet se poezia e tillë apo edhe krijmtaria letrare në përgjithësi me një karakter të tillë, thellësisht patriotik është e tejkaluar, madje do të thoshim që është fare e natyrshme të krijohet në këtë frymë meqë edhe jemi në një gjendje konfuziteti në planin kombëtar. Ne akoma vuajmë me ndarje kufitare adnimistrative në mes të Atdheut tonë.
Duke paraqitur probleme të letërsisë por edhe të gjendjes politike e të një realiteti të hidhur kombëtar në mes të dy luftërave botërore, studjuesi dhe historiani i nderuar i letërsisë shqiptare profesor : Ali Xhiku në librin: “Letërsia si polifoni”, botuar në Tiranë, më 2004 konstaton: “ Në kushtet kur në fillim të shekullit të shkuar, çështja shqiptare mbetej e hapur dhe vazhdonte të rrezikohej edhe pas vitit 1912, ishte e natyrshme që romantizmi nacional, që në një farë mënyre shenjtëroi binomin komb – atdhe të gjente truall për t`u shfaqur në letrat shqipe; ishte e pritur pra që lirika atdhetare të lëvrohej dendurisht”.

Fatkeqësisht çështja shqiptare akoma nuk është zgjidhur edhe pas gati 100 vitesh, prej kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u shpall për të gjitha trojet shqiptare, pra edhe për shtetin e tanishëm shqiptar edhe për Kosovën e viset të tjera shqiptare që janë nën Maqedoninë, nën Malin e Zi dhe nën Greqinë, madje edhe tani vazhdon të rrezikohet pikërisht çështja shqiptare. Dihet, poashtu pa asnjë dyshim, fakti se për të ardhur deri tek çasti i shpalljës së pavarësisë së Shqipërisë luftuan të tëra trojet shqiptare e gjithë Shqipëria e Natyrshme, e ndër më kryesoret është pjesa e saj : Kosova, pa luftën heroike të së cilës, të bijëve të saj, vështirë se do të mund të shpallej pavarësia e 1912-ës. Kur dihen këto fakte dhe natyrisht kur dihen edhe fakte të tjera, se përpjekjet për krijmin e një shteti të natyrshëm kombëtar, duke i përmbledhur trojet shqiptare në tërësi, kanë vazhduar dhe vazhdojnë parreshtur deri sa të jetësohet edhe në kuptimin politik diplomatik e adnimistrativ Shqipëria e ribashkuar, është fare e natyrshme të lëvrohen poezia dhe krijohn edhe vepra të tjera të gjinive e llojeve letrare siç janë, fjala vjen edhe romanet e Sulejman Krasniqit “ Mic Sokoli”, “Qielli i përflakur”, “Pushka top Bjaram Curri” etj., të cilët janë faqe nderi dhe drite për cilindo shqiptar, kudo në botë, janë jo vetëm letërsi, por edhe shëndritje shpierti, pikërisht në rrugën që duhet ta ndjek shqiptari për jetësimimin e Shqipërisë së natyrshme.
Kjo nuk do të thotë aspak se jemi duke fluturuar në ajër, se jemi jashtë realitetit etj, jo aspak, sepse për këtë idel të shenjtë dhanë jetën shumë dëshmorë edhe në ditët tona, në Luftën e UÇK-ës heroike, siç janë Adem Jashari, Tahir Sinani, Indrit Cara, Ismet Jashari e shumë e shumë të tjerë që flijuan jetën për të mos vdekur kurrë, prandaj janë gjithnjë shëmbëlltyrat më të shquara të Shqipërisë etnike, prandaj natyrshëm shkruhet poezia, dhe krijimet të tjera letrare për këta bij e bija të devotshme të popullit shqiptar. Kështu edhe Lebiti me një përkushtim prej atdhetatri natyrshëm i këndon Shqipërisë e bijëve të saj. Poezia e tij, vargu i dalur nga thellësia e zemrës, nga dashuria për Atdheun është këngë e shpirtit shqiptar që e ndez gjakun dhe qarkullon me kthjelltësinë e shqiptarizmës. Dhe ja si e paraqet burrin e madh atdhetar Bacë Shaban Jasharin në luftën madhështore që po e bënte me djem e nipa, me mbesa e me miq e të tërë familjën.

“Dhe foli kryeplaku i konakut
Të falur i kërkoj Shqipërisë
Se s`pata gjë më tepër, perveç gjakut
Dhe djepit më të fundmit të shtëpisë”
Pjesë nga poema: “Jam unë” të veprës me të njëtin titull.

Vetëm këto vargje poetike me ide të mëdha patriotike, për të cilat u sakrifikuan bijtë më të mirë të kombit, do të ishin të mjaftueshme për të kuptuar atë madhështi heroizmi që u bë në familjen Jashari në Prekaz, me qëllimin e qartë dhe kthjelltësinë e dritës në rrugën drejt lirisë së plotë dhe ribashkimit të Atdheut.
Zëri i poetit vjen me një forcë të madhe të dalur nga shpierti, vjen si një porosi e cila patjetër duhet të ngulitet në kokat e zemrat shqiptare, vjen si një domosdoshmëri e kohës:

“Do të bëhet Shqipëri siç ka qenë
Ndryshe përmbi dhe s`do të ketë shqiptar”
Poeti i ka mëshuar fort zërit për të ngulitur dashurinë atdhetare, zërit për të cilin po bëhej luftë heroike, zërit për të cilin u derdh gjaku i dëshmorëve, për të cilin ra në mënyrën më heroike e madhështore komandanti Adem Jashari. Është e kuptueshme dhe shumë e arsyeshme e natyrshme, se poezia me një karakter të tillë, njëkohësisht edhe emocionale dhe tërësisht njerëzore t`i bëjë jehonë sakrificave, gjakut dhe madhështive që u bënë për lirinë, për Shqipërinë në kuptimin e natyrshëm të tërësisë të saj, ndaj poeti me zërin e artit poetik shprehet se në gjoksin e Komandant Adem Drenicës, Adem Shqipërisë e gjen historinë e Atdheut, se në ballin e tij puth Shqipërinë.

Poezia : Adem Drenica
“Në gjoksin tënd
gjej Historinë
në ballin tënd
puth Shqipërinë”

Këto vargje poetike të kujtojnë këngën “Xhamadani i trimërisë” e cila përshkruan me një simbolikë hapjen e xhamadanit të Mic Sokolit, të cilin e kish veshur edhe Selam Labi (Musai) edhe Vojo Kushi në një variant të ri që këndohet në vitet 2000 – ta, këngëtari popullor na thotë se këtë xhamdan e kish veshur edhe Adem Jashari, prandaj vargjet poetike të Lebitit kur shprehet për Heroin Adem Jashari gjejmë simbolikën e madhështisë dhe historisë, prandaj natyrshëm kujtohet edhe Mic Sokli edhe Selam Labi edhe Vojo Kushi edhe Qemal Stafa edhe Jusuf Gërvalla……
Heroizmi, flijimi, gjaku i derdhur, vepra madhështore e kryetrimit, e Komandantit legjendar Adem Jashari “qëndron si bjeshkë më këmbë”: siç shprehet poeti Lebit Murtishi te vepra: “Mall i gjakut tim”. Poezia : “Ai”, i kushtohet pra Adem Jasharit.
Ai
që plumbat rrebesh
i priti me gjoks
e me dhëmbë,
edhe nën varrin errët
qëndron si bjeshkë
më këmbë…

Duke lexuar poezinë e Lebitit, të bëhet sikur je duke dëgjuar zërin e heronjve dhe dëshmorëve:
Besa- besë patët thënë
Shqipërinë e kemi nënë,
ndaj edhe kur biem ne,
mbesim roje për atdhe.
Elegji ( pranverë e nëntëdhjetetetë )
( Familjës heroike të Shaban Jasharit )
Nga vepra “Te kulla e Adem Jasharit”

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lufta e saj heroike e madhështore, dëshmorët e heronjtë kombëtar edhe nga familja Jashari e të tërë Atdheu përjetësohen fuqishëm në vargjet poetike:

Tokën e djegur, ju e ringjallët,
lotët e gjakut ju i ndërpretë,
pranverat rinore ju i falët,
Kosovë lindët, Shqipëri mbetët.

Vargu poetik me një muzikalitet të ëmbël duke na dhënë kënaqësinë e të shijuarit artistik, ndjehet pashmangshëm edhe te poema përmes Shqipërisë nga e cila na del realiteti i Shqipërisë duke u theksuar qytetet shqiptare Krujë , Lezhë, Janinë, Manastir, Preshevë, Prizren, Shkodër, Ulqin, Vlorë, Shkup etj.
Këto vargje shumë natyrshëm na çojnë tek poema: “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit i cili shprehet kështu:
Dallëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë …
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërije,
Me këto milëra fjalë e me gluhë Perëndije?
A po vjen nga Labëria pra më duke kaqë trime?…
Apo vjen nga fush` e Korçës, nga vënd` i mirë dhe i gjërë,
Me gas të math do t`i vinjam Shqipërisë brenda në gji,
Për me marrë drejt Shkumbinë edh`Elbasan`e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodër, të shof Drinin e Bujanën
Kostur, Përlep, Fllorinë, Dibër, Ipek e Jakovën,
Mat`e Ysqyp e Prështinë dhe Mirditë e Tetovën;
Nga libri Naim Frashëri, vepra letrare 1, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” Tiranë, 1995

Poezia e Lebitit ngjan si një shqiponjë e madhe që i mëson zogjtë e vetë sa në Krujë e Lezhë, sa në Janinë e në Manastir, sa në Shkup, Preshevë, sa në Prizren e Shkodër, në Ulqin e Vlorë e në vende të tjera shqiptare për ta ndihmuar frymëmarrjen e lirë të Nënëmadhes Shqipëri me ribashkimin e bijëve dhe bijave të saj e të tokave të tyre.
Si e lashë Preshevën,
renda në Kosovë
gjithnjë rrugë e njejtë,
Shqipëri i thonë.
Dhe zëri i poetit fuqishëm del nga thellësie e zemrës duke na kujtuar se vdekjen e Shqipërisë e mundën Adem Jasharët duke u shprehur:
Ti munde vdekjen
me Adem Jasharë
çohu Shqipëri
se çasti ka ardhë

Njëkohësisht ai nge zërin për t`u çuar në këmbë e tërë Shqipëria , për t`u çliruar e tëra, për t`u ribashkuar e tëra.
Ishte kohë lufte, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kish dhënë kushtrimin për çlirim e bashkim kombëtar, ndaj edhe poetit i lindën natyrshëm vargjet poetike i frymëzuar nga madhështia, lufta dhe heroizmi i bijëve e bijave shqiptare, nga të gjitha trojet shqiptare që shkuan në Kosovë jo vetëm për ta çliruar Kosovën, por edhe për t`ia me dije botës se jemi të vendosur për t`i jetësuar idealet e shenjta për Shqipërinë e ribashkuar.
Ndaj, pikërisht këto ideale të shenjta, gjaku i derdhur për to, sakrificat e panumërta që janë bërë për to, e kanë frymëzuar poetin nga Ladorishti, që në atë pjesë të Atdheut mori aromën e parë shqiptare të tokës që lëngonte e lëngon nga barra e rëndë pushtimit maqedonas.
Arbëria e vogël, Drenica e Shqipërisë, natyrshëm është përjetësuar në vargje poetike, në vepra të tjera letrare e publicistike, në historinë e Shqipërisë, sepse është gjerdean lufte, heroizmi e burrërie, sepse në jehonën e e vzhdimësisë është gjaku i dëshmorëve dhe themel i fuqishëm i përjetësisë së Atdheut , ndaj shumë të çiltëra janë edhe vargjet poetike të Lebit Murtishit kur shprehet te poezia: “Odë për Drenicën” , marrë nga libri potik: “Te kulla e Adem Jasharit”.
Këndo Drenicë, këndo,
Ti Flamur i Shqipërisë,
Pa kuvend i mblodhe burrat,
Djep i shenjtë i lirisë.
Pëkushtimi ndaj Atdheut, dashuria ndaj tij, natyrshëm na çon edhe tek viset shqiptare që na i ka pushtuar Greqia. Janina çame, Jania e Ali Pashë Tepëlenës është kujtesë malli e dashurie për poetin Lebit Murtishi dhe për të gjithë shqiprarët atdhedashës.
O nder i lashtë Shqipërie
o mall i gjakut tim të lashtë,
o mall
Poezia: “Janinës…”, vepra: “Mall i gjakut.
Kënga popullore, krijmtaria e tërësishme shpirtërore popullore shqiptare ka ndikuar pashmangshëm e natyrshëm në formimin e pasurisë së madhe poetike që ka Lebit Murtishi, duke i ushqyer idetë e shëndosha atdhetare dhe të tjera që ai i ka shfaqur në veprat e tija. Prandaj krijmtaria letrare dhe atdhetare e Lebitit është dhe do të jetë shumë shpirtërore për të gjithë mendjet e shëndosha shqiptare. Kështu duke pasur në thelb realitetin Shqipërisë së natyrshme pashmangshëm e prek ndjeshmërinë e shpirtit shqiptar për një vetëdijësim sa më të shpejtë kombëtar të shoqërisë shqiptare në kuptimin e rolit dhe detyrave që shtrohen para saj.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …