leoni

Isuf Ismaili: Veprimtari kulturore shqiptare dhe panairi i librit në Uster të Zvicrës
Autori së bashku me koordinatorin e “Shkollës shqipe” në Zvicër Dr. Vaxhid Sejdiun dhe shkrimtarin Mustafë Krasniqi nga Gjermania

Isuf Ismaili: Veprimtari kulturore shqiptare dhe panairi i librit në Uster të Zvicrës

Në vazhdën e aktiviteteve dhe veprimtarive sa shoqërore e kulturore aq edhe atdhetare, pak kohë më parë, u organizuan veprimtari të shumta në Uster të Zvicrës dhe në qytezat për rreth. Aty u mbajt një panair i librit, i dyti me radhë, i organizuar nga shoqata “Bashkimi” në Uster,  në të cilin u paraqitën disa prej autorëve dhe krijuesve që veprojnë dhe punojnë në mërgatë. Pjesën programore të panairit e zbukuruan valltarët e kësaj shoqate, të cilët shfrytëzuan me mjeshtri pushimet në pjesën e programit të panairit.

Që në orët e hershme të mëngjesit pranë shtëpisë së kulturës kishin ardhur botues të shumtë të shtëpive botuese nga Tirana e Prishtina, por edhe nga diaspora, ndërsa në një kënd, aty te balli i sallës shkëlqeu edhe një numër i madh librash të paraqitura nga vatra arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër, po aty qenë edhe disa vepra të profesor Agim Vincës, vepra këto të shquara historiko – letrare e shkencore dhe vepra të tjera të tij poetike.

Dashamirët e librit patën rastin të takojnë disa prej krijuesve që veprojnë dhe punojnë në diasporë si dhe në trojet shqiptare si në Republikën e Shqipërisë, në atë të Kosovës dhe në Maqedoninë e Veriut, të cilët prezantuan veprat e tyre. Vlen të theksohet se pjesë  e panairit ishin edhe shtëpitë botuese “Albas” nga Tirana dhe “Litera Academy” nga Shkupi.

Pjesëmarrësit i pritën me interes të veçantë fjalën e shkrimtarëve, veprimtarëve dhe të studiuesve të cilët prezantuan veprat e tyre

Në mesin e shumë prezantuesve do t’i veçoj disa, prej të cilave më kanë lënë përshtypje të veçantë, siç është profesori i nderuar dr. Agim Vinca,  i cili kishte ardhur nga Prishtina dhe prezantoi krijimtarinë tij letrare, i cili sivjet feston 50 – vjetorin e krijimtarisë letrare. Organizatori, shoqata “Bashkimi” kishte arritur që në këtë panair t`i bëjë shkrimtarit një befasi të këndshme, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga pjesëmarrësit.

Ndër të tjera fjalën e mori edhe profesor Agim Vinca, duke paraqitur nderimin e mirënjohjen e tij për mërgatën shqiptare, natyrshëm përshëndeti të gjithë të pranishmit. Ai duke pasur kujdesin më të madh ndaj gjuhës shqipe e ndaj pastërtisë gjuhësore, foli me një rrjedhshmëri të natyrshme dhe i lexoi disa poezi, të motivuara nga idealet e shëndosha kombëtare e njerëzore, foli e dhe i motivoi bashkatdhetarët për bashkimin e atdheut dhe për përkushtimin e bashkatdhetarëve shqiptarë që t’i japin gjallërinë vatrave të gjuhës shqipe, pra edhe shkollave, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare etj.

Më pas fjalën e mori profesor Vaxhid Sejdiu , i cili para të pranishmëve paraqiti sukseset e nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë në Zvicër, përkushtimin e dashurinë e madhe për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare dhe për  veprimtarinë e shkëlqyer arsimore të vatrës sonë “Shkolla Shqipe” në Zvicër, për ndihmesën që na e kanë dhënë edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë edhe Ambasada e Republikës së Kosovës, por edhe disa institucione shqiptare, në Tiranë e Prishtinë, gjithashtu  foli edhe për shtëpinë botuese “Albas” nga Tirana e pikërisht për zonjën Rita Petro, e cila ka bërë shumë për librat shkollorë e në veçanti për librat e përshtatur për nxënësit shqiptarë në diasporë.

Profesor Vaxhidi, duke paraqitur me durim e përkushtim të madh, si dhe me saktësi të madhe edhe veprimtarinë edhe suksesin, por edhe rëndësinë e arsimit të fëmijëve shqiptarë, tha ndër të tjera, se ai është shumë i përfolur nga disa gojëprishur, të cilët janë të prirë nga inate e interesa të tyre personale për të nëpërkëmbur veprimtarinë dhe arsimin shqiptarë në Zvicër. Por, ndër të tjera, ai tha, se vetë suksesi dhe hapja e kaq e madhe e shkollave në gjuhën shqipe, mbarëvajtja e tyre, flasin për vërtetësinë, përkushtimin e pastërtinë tonë kombëtare e njerëzore në rrjedhën e natyrshme të shkollës sonë, të gjuhës shqipe e të  kulturës së përgjithshme. Me një saktësi komunikimi e me gjuhën e figurshme letrare, ai tha ndër të tjera, se i vetmi  “faj” i imi është, se kam hapur shkolla shqipe, e kam përhapur fjalën shqipe e pastërtinë e saj, kam përhapur kulturën shqiptare e të përgjithshme  me përkushtim, se fjalët: Shqipëri, atdhe, gjuhë e kulturë shqiptare i kemi e ndriçuar e rrënjosur në mendjet e shpirtin e nxënësve.

Ai në fund tha, se jemi shumë krenarë e do të jemi shumë të përkushtuar që edhe më tej të veprojmë sa më shumë në këtë drejtim, siç u theksua më sipër. Prezantimi i tij u prit me duartrokitje dhe me fjalë të zgjedhura nga të pranishmit.

Më pas fjalën e mori zonja Rita Petro, e cila ndër të tjera e theksoi, se ishte shumë e  kënaqur nga entuziazmi dhe  përkushtimi i madh i profesor Vaxhidit, për punën, për aktivitetin dhe vetë përhapjen e shkollave shqipe dhe mësimdhënien në gjuhën shqipe nga mësimdhënës shqiptarë, të cilët i përdorin librat që shtëpia botuese “Albas” i ka botuar për nxënësit shqiptarë përgjithësisht, por edhe për librat e veçantë, të përshtatur që i ka botuar kjo shtëpi për nxënësit shqiptarë në diasporë. Ajo me një përkushtim e me një dashamirësi shqiptare, uroi që të mbahen sa më shumë aktivitete të tilla dhe të çelen sa më shumë shkollat shqipe në diasporë.

Aty pati edhe botime të shumta nga autorë të shumtë, siç janë librat e gazetarit e veprimtarit Rexhep Rifati, të shkrimtarit e veprimtarit  Muharrem Blakajt, të vatrës shkollore shqipe në Bavari, të prirë nga poeti e veprimtari e mësimdhënësi i shquar Mustafë Krasniqi, të shkrimtarëve e studiuesve të tjerë nga Tirana e vende të tjera, si në diasporë etj.

Kontrolloni gjithashtu

Beqir Elshani: Simbolika në përrallat e Grimit

Sipas përrallave të vëllezërve Grim tregohet se mbretëresha në dimër ishte duke qëndisur pranë dritares …