Izet Ibrahimi

Izet Ibrahimi: Ndarja e Trepçës pasojë e ndarjes së Mitrovicës, apo ndarja e Kosovës pasojë e pretendimeve të Serbisë për Trepçën?!

Pas një pauze të gjatë Trepça po rikthehet në temë qendrore të politikës së Kosovës. Madje, Trepça edhe nga Serbia po konsiderohet si çështje e një rëndësie të veçantë strategjike! Në garë për Trepçën e Kosovës shqiptare janë edhe grupe ndërkombëtare të interesit dhe qeveri të vendeve të ndryshme! Por, ajo që më së shumti po më bën përshtypje mua, dhe po i bënë përshtypje gjithë popullit të Kosovës, është tendenca e qeverisë që këtë temë ta mbaj larg nga qarqet me kompetencë dhe qasje profesionale, duke kufizuar gjithë debatin në një retorikë demagogjike të tipit: “Nuk negociojmë për pasuritë tona me askënd” dhe me frazeologji tjera të ngjashme, që nuk vlejnë më shumë se për një konsum ditor! Mirëpo, realiteti është kokëfortë dhe nuk mund të mbulohet dhe as të ndryshohet me frazeologji dhe propagandë politike shterpe. Trepça vazhdon të jetë e ndarë dhe e pushtuar, ashtu siç është i pushtuar i gjithë Veriu i vendit, duke e shndërruar atë në monedhë për kusuritje në të mirë dhe për interesa të elitave të caktuara politiko-ekonomike në rajon e më gjer. Shkalla e lartë e korrupsionit, mungesa e plotë  e gatishmërisë dhe e fuqisë së institucioneve shtetërore për bashkimin e Trepçës i ka shembë shanset zhvillimore të saj, e me këtë edhe ato për një zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës.  Fillet e shembjes së këtij kompleksi gjigant datojnë që nga vitet e 90-ta, ndërsa dinamizimin e kësaj shembjeje e “përuroi” administratori civil, Bernard Kushneri, i cili, aty nga mesi i vitit 2000 dha urdhrin për ndalimin e operimeve në Trepçë, të cila kishin rifilluar në qershor të viti 1999, ku xehtarët dhe metalurgët e Trepçës, të ndihmuar edhe nga KFOR-i, përmbysën tendencat pushtuese të Veriut dhe iu rikthyen gjigantit të tyre, i cili përtej një cope buke, për ta dhe ne, shprehte integritetin territorial dhe unitaritetin e vendit. Pra, këtu e 16 vite më parë, Kushneri, përzgjodhi një kompani franko-daneze, që “zbuloi” materie ndotëse në afërsi të uzinave të kombinatit të cilat do t’i merrte si “shkas” për ta ndaluar punën në Trepçë me euforin fluturuese, vendosi ta shpallte Trepçën “dinosaur”. Dhe si të mos mjaftonte kjo, në rrethana misterioze, në vitin 2000, do të ndodhë djegia e Elektrolizës së Zinkut. Me metalurgjinë e plumbit të mbetur në veri, dhe me elektrolizën e zinkut të djegur në jug, praktikisht, u rrënua baza prodhuese dhe e gjithë industria metal përpunuese në Kosovë

AKM-së, në cilësinë administratorit të Trepçës, përmes menaxhmentit serb në Veri dhe atij shqiptar në Jug, dhe ndikimin politik të Prishtinës dhe Beogradit, po vazhdojnë të mbajnë të ndara jo vetëm operimet  minerare, por edhe ndarjen e tokës së Republikës së Kosovës dhe me te, edhe Trepçën në atë të Jugut dhe në atë të Veriut!!. Besojmë se e ardhmja e afërt do t’i jap përgjigje pyetjes: Nëse është ndarë Kosova për shkak të Trepçës apo është ndarë Trepça, sepse është ndarë Kosova?  Të jemi të sigurt se riaktivizimi dhe rivitalizimi i Trepçës nuk po pengohet për shkak të “ndotjes mjedisore”, të “gjendjes teknike-teknologjike”,  të “mungesës së traditës dhe përvojës në përpunimin e metaleve me ngjyra”, për “mungesë të studimit të fizibilitetit, biznes planeve dhe programit zhvillimor”  ose “për mungesë të kuadrit ligjor e rregullator “, e të një mijë e një sajesave të shpikura, por se problemi rrënjët i ka tek Trepça e ndarë. Përmes Trepçës së ndarë më së miri krimi i organizuar po e defunksionalizon dhe po e mban të ndarë Republikën e Kosovës! Vetëm një çerek shekulli më parë Trepça ishte gjigant me 22 000 të punësuar që prodhonte koncentrate të plumbit e zingut, plumb të rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ari, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra super-fosfate, akumulatorë, bateri nikel-kadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte llamarine, materiale elektro-kontakti, vagoneta, elektro-lokomotiva për xehetari, pajime dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe xehtari e produktet të tjera.

Pra, Trepça e tillë çfarë ishte, për Kosovën paraqiste më tepër se sistem ekonomik, ngase  ajo mund të ishte gjigant ekonomik i përmasave rajonale. Shikojeni se si është katandisur Trepça sot!! Ajo është kthyer në një “gjigant” që vret! I gjithë aktiviteti minerar është i bazuar në prodhimin e koncentrateve sipas modeleve ekploatuese edhe më të degraduara se ato të kohës së pushtimit nazist!  Ka pak shtete në botë, me përjashtim të atyre si Kongo dhe Kosova, të cilat i ka zërë “mallkimi i mineraleve”, për shkak të mënyrës se si i përbuzin ato, duke i shitur si të pa përpunuara.  Kosova e këtyre 17 viteve është kujdesur që përmes vijës hekurudhore serbe dhe asaj detare të Tivarit të realizojë shitjen e miliona tonelatave koncentrate, mbetje metalurgjike dhe gjysmë produkteve tjera minerale! Prej tyre qindra mijëra tonelata të padeklaruara që shkojnë për Kinë, Holandë dhe në tregjet tjera të mineraleve!! Ky aktivitet tepër fitimprurës, rehatia që krijoi vendosja e vijës ndarëse në urën Ibër, që nga qeverisja e z. Kushner dhe papërgjegjshmëria  e elitave qeveritare në mbrojtjen e integriteti territorial ka fuqizuar një rrjet shumë të organizuar dhe unik të kontrabandës dhe krimit të organizuar që kontrollohet nga “bosët” e politikës në Prishtinë e Beograd, të cilët nga njëra anë i kanë mbytur shpresat zhvillimore në Kosovë, ndërsa në anën tjetër i kanë mundësuar Serbisë që ta shtrijë aparatin e vet administrativ dhe të sigurisë në Veri të Kosovës, duke e pasur kështu më lehtë që ta bind  faktorin ndërkombëtar për hisen e “saj” në Kosovë e në Trepçë!

Qeveria Mustafa-Thaçi, e zënë ngushtë nga zotimet e Marrëveshjes së Rashkës, pikërisht atëherë kur dukej dritë në fund të tunelit, u zmbrapsë para presionit dhe shantazhit të Beogradit dhe nuk e shndërroi Trepçën në pasuri publike e në pronësi të Republikës së Kosovës!! Mbetja e Trepçës si ndërmarrje shoqërore dhe e ndarë, sabotimi që iu bë procesit të reformimit e të ristrukturimit të skemave tekniko-teknologjike dhe shantazhi përmes borxheve të pretenduara ishin mjegull e krijuar enkas sipas shembullit: “ujku do mjegull’, që  vështirëson kthimin e Trepçës në normalitet dhe në një shans për zhvillimin dhe përparimin e Kosovës. Pikërisht në këtë mjegull, këtyre ditëve kryeministri kundërkushtetues, Isa Mustafa, deklaroi se “Trepça është çështje e vështirë për t’u zgjidhur”, ndërsa Gjuriçi, në përgjigje të asaj që deklaroi Isa Mustafa, tha se: “Nuk kërkojmë asgjë të huaj, kërkojmë vetëm atë që është e jona. Kur flitet për rastin Trepça flitet për diçka që nuk ka lidhje thelbësore me pasurinë e ndokujt pos të kreditorëve të saj, e që janë firma në pronësi të shtetit të Serbisë”. Pra, është e qartë se “zhurma” që po bënë qeveria e Kosovës dhe premtimet e saj për për një ligj të veçantë për Trepçën më shumë duhet kuptuar si këmbëngulje e koalicionit, PDK-LDK për të mbajtur pushtetin, duke sakrifikuar Trepçën, se sa si vullnet dhe përpjekje serioze për zgjidhjen e çështjes “Trepça”! Paralajmërimet e mediave se nga Komisioni Evropian do të tentohet që çështja “Trepça” të futet në bisedimet me Serbinë dhe faktit se çdo gjë që është paralajmëruar më parë, sa i përket dialogut me Serbinë, në fund të fundit, ka dalë ashtu siç kanë thënë serbët, japin indikacione se Trepça do të jetë pjesë e tryezës ose e shtratit të prokustit në Bruksel! Në tryezën eventuale të bisedimeve, pala që përfaqëson Kosovën do të jetë e shantazhuar nga zotimet e koaliconit qeverisës lidhur me kmpetencat e asociacionit/bashkësisë së komunave serbe, tretmanit të veçantë që do t’i jepet komunave me shumicë serbe gjatë privatizimit si dhe shantazhet me procesin e likuidimit para të cilave  me deklarimet paragjykuese të Isa Mustafa, se: “Trepça ka mbi 1.4 miliardë borxhe” dëshmon se që tani është ai është dorëzuar!

Sikur edhe vetëm këto, besojmë se janë paralajmërime të mjaftueshme që gjithë spektri politik, e veçanërisht opozita, ta vendos në krye të agjendës çështjen “Trepça”.  Sepse, ajo përveç se është çështje ekonomike, ishte dhe mbetet çështje me ndjeshmëri të lartë politike dhe kombëtare për Kosovën. Futja e Trepçës si temë bisedimesh në dialogun e Kosovës me Serbinë përbën tejkalim të limiteve të atyre gjërave që mund të negociohen me Serbinë. Prandaj, detyrë mbi detyra është që të rrisim presionin publik, që edhe minierat e Trepçës të kthehen në pronësi publike, me qëllim që të mundësohet transformimi i tyre, e më pas edhe likuidimi i aseteve të mbetura, ngjashëm siç është vepruar me minierat e linjitit-KEK, Ferronikelit, Sharr-Cemit, Magnezitit, etj., të cilat  me rregulloret e UNMIK-ut apo më vonë me ligjet e Republikës së Kosovës janë privatizuar dhe u është mundësuar që të trajtojnë borxhet dhe kërkesat e kreditorëve pas procesit të privatizimit në kuadër të procesit të likuidimit.

Opinioni publik duhet ta ketë të qartë se bisedimet me Serbinë për Trepçën do të nënkuptonin ndërhyrje të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, ngase Kushtetuta, përkatësisht neni 121, pika 3 dhe 122 e paragrafit 1,2 dhe 3 e konfirmon se të gjitha pasuritë e Kosovës, ligjërisht i takojnë vetëm Republikës së Kosovës. E drejtë kjo ndërkombëtare e garantuar me vet Pakon e Ahtisarit, në nenet 8.3 e 8.4 si dhe në Aneksin 7 të pakos. Deklarata e z. Mustafa se “duhet shikuar çfarë të bëjmë më Trepçën” rrjedhimisht është tendencë për obstruksion të kësaj të drejte kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe nëse lejohet të ndodh, do të thotë dorëzim para rrënuesve të shtetësisë së Kosovës. Shoqëria shqiptare në Kosovë duhet ta mbajë parasysh se pa Trepçën unike dhe në pronësi të Republikës nuk mund të ekzistojë as Kosova unike  dhe stabile, nuk mund të ketë siguri ekonomike dhe as siguri politike.

E kaluara e afërt na mëson se sa herë është aktualizuar çështja “Trepça” pasojat në rrafshin politik kanë qenë me efekte të mëdha shkatërruese dhe, si gjithmonë, duke krijuar pasoja për rajonin e Ballkanit e më gjerë. Trepça është një detyrim i madh i yni, që thërret për bashkim dhe mobilizim. Ajo është AMANETI i brezave  që fle dhe zgjohet me Kosovën!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …