Izraeli kurrë nuk do ta kishte pranuar pavarësinë e Kosovës, po të mos pranonte ta vendoste ambasadën, në Jerusalem

Izraeli kurrë nuk do ta kishte pranuar pavarësinë e Kosovës, po të mos pranonte ta vendoste ambasadën, në Jerusalem

Kanë kaluar 21 vjet pas luftës dhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, dhe Shteti i Izraelit, deri pesë muaj më parë,  ka refuzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, pikërisht sepse shumica shqiptare janë pjesëtarë të besimit islam, edhe pse janë pikërisht shqiptarët, i vetmi komb i Evropës i cili i ka ruajtur hebrenjtë  nga Gjermania hitleriane, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pranimi u bë me një kusht tejet nënçmues  dhe poshtërues për Kosovën dhe jo për përfitimet e saj, por në radhë të parë për përfitimet e ish kryetarit të Amerikës, Donald Trump, ashtu sikur edhe krejt marrëveshja e Shtatorit të vitit 2020, e cila është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit 2020.

Izraeli e konsideron Kosovën shtet mysliman, madje si shtetin e parë mysliman që ka pranuar Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, të cilin nuk e pranon as Vatikani dhe asnjë shtet i Evropës, as BE-ja dhe pothuajse  asnjë shtetet tjetër i botës përveç Amerikës, në kohën e qeverisjes së Donald Trumpit.

Kosova me Kushtetutën e saj është shtet laik, ku feja është e ndarë nga shteti, por përfillë të gjitha besimet fetare të qytetarëve të saj pa dallim. Kjo është në pajtim me moralin dhe edukatën tonë kombëtare të tolerancës fetare, e cila mjerisht nuk konsiderohet si vlerë qytetëruese nga krishterimi zyrtar, por si laramani fetare.

Ishte poshtërues, nënshtrues dhe i paprecedent  akti i pranimit të marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtatori 2020, duke mos e kushtëzuar Serbinë me njohje reciproke, paraprake, derisa Serbia arriti të mos nënshkruajë marrëveshje me Kosovën shtet, por nënshkroi marrëveshje ekonomike, me kryetarin amerikan, Donald Trump.

 

Në mesin e pikave kushtëzuese  të marrëveshjes ishin edhe këto:

 

Të dyja palët do të punojnë me 69 vendet, të cilat homoseksualietin e konsiderojnë si krim, që ta dekriminalizojnë atë.

 

Të dyja palët zotohen ta shpallin Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushin në tërësi masat për të kufizuar operacionet e Hezbollahut dhe aktivitetet financiare nën juridiksionin e tyre.

 

Prishtina, do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Beogradi do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur.

 Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri-tjetrin.

 

Delegacioni i Kosovës, ishte para aktit të kryer dhe nuk pritej që një kryeministër si Avdullah Hoti, apo kushdo qoftë tjetër, të kushtëzonte qoftë edhe një pikë të vetme të marrëveshjes, ndërsa nënshkrimin e marrëveshjes pako, ku parashihej vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, e konsideronte dhe ende e konsideron si një të arritur të madhe.

Duke qenë në pozitë inferiore, nën tutelën e shtetit mik të Kosovës, delegacioni i vendit tonë mbështetej  dhe mbështetet në qëndrimet e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, pavarësisht qëndrimit të tyre.

Shteti i Kosovës, të cilit i duhet njohja e pavarësisë edhe nga shumë shtete të botës, humbi mbështetjen e shteteve islame, të cilat mendoj se nuk do të hakmerren me tërheqjen e njohjeve, sepse e dinë pozitën inferiore të shtetit të ri, i cili llogaritet shtet satelit i Amerikës, duke nënçmuar përpjekjet tona shekullore për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.

Mirëpo, duke qenë se shumica e shqiptarëve në Kosovë edhe sot beson dhe deklaron se Kosovën e ka çliruar Amerika dhe jo gjaku i derdhur i mijëra dëshmorëve e martirëve, jo lufta e heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së cilës pritet t i bëhet gjyq në Gjykatën speciale, inkuizicionale të Evropës në Hagë, në një pozitë të tillë, është vetë shumica shqiptare në Kosovë, e cila pajtohet me çdo qëndrim të Amerikës, jo vetëm në parim, por në çdo segment të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme.

Është e njohur botërisht se çfarë politike ndjek Izraeli në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Është paksa e çuditshme, nëse ky shtet pretendon të përfitojë diçka në planin ndërkombëtar me vendosjen e ambasadës së Kosovës, në Jerusalem, sepse tërë bota e di se kjo nuk është bërë me vullnetin e atyre që specifikohen si myslimanë të Kosovës, por me detyrimin që ka skllavi ndaj padronit. Është për çdo lëvdatë qëndrimi i Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila e lidhur ngushtë me institucionet e vendit, jo vetëm që nuk reagoi, por edhe mori pjesë në ceremoninë e njohjes së Kosovës nga Izraeli. Ky akt, të cilin e injoron shtypi dhe e shpërfillin institucionet  na kthen në kujtesë idealin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kombi mbi të gjitha në vendin e parë pastaj secila fe në vend të vet.

Duhet të kujtojmë me këtë rast se kryeimami i Meshihatit shqiptar, Haxhi Vehbi Dibra në vitin 1923, në Tiranë, pas konsultimit të gjatë me klerin islam kudo në troje, kishte shpallur fetvanë ku thuhej se  “Flamuri kombëtar me stemën e Kastriotëve, pranohet dhe shpallet  flamur edhe i të gjithë shqiptarëve të besimit islam”.

Përpjekjet për shpërfilljen, demonizimin, urrejtjen ndaj islamit të shqiptarëve, bëhen nga një pjesë e gjysmakëve, të atyre që nuk kanë lexuar qoftë edhe një libër historie, bëhen nga  proserbët e progrekët, të cilët për para janë në gjendje ta shpallin Kosovën tokë të pëlleshme të ISIS-it.

Faktet flasin të kundërtën e kësaj shpifjeje notorne.

Izraeli vështirë se  do të nxjerrë ndonjë dobi  nga vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, përderisa krerët e të gjitha institucioneve dhe partive politike në vend nuk pranojnë se Kosova është shtet islam, pavarësisht se ka shumicën e pjesëtarëve  të saj me fe islame.

Po ashtu propaganda izraelite se një shtet mysliman ka pranuar Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, nuk do të mund të josh asnjë shtet islam në botë që do ta ndjek këtë shembull.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nuk do t’ i vë njollë Kosovës sepse është bërë në kushte dhe rrethana të njohura për të gjithë.

Po kështu edhe dy shtetet ku pjesëtarët e besimit islam  janë shumicë,  sikur është Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë pranuar  të vendosin ambasadat e tyre nga tel Avivi, në Jerusalem.

 

Ahmet Qeriqi

10 janar 2021

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …