Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Korrupsioni endemik nuk mund të fshihet pas gazit lotsjellës

Opinioni ynë më 13 prill u njoftua me përmbajtjen e Raportit të DASH-it, i cili paska konstatuar: Raporti i DASH-it për të Drejtat e Njeriut, për Kosovën në vitin 2015 konstaton: “Korrupsioni endemik qeveritar dhe i sektorit privat, dhe mungesa e ndëshkimit të akteve korruptive mbetet një problem i rëndësishëm i të drejtave të njeriut ”. Madje nuk është as hera e parë e as e fundit që një raport ndërkombëtar ka konstatuar nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë. Pra kemi një përkeqësim në ketë rrafsh. Kohë më parë edhe raportuesi i KE-së, thoshte se: ” Sigurimi i sundimit të ligjit do të duhej të jetë prioritet për autoritetet e Kosovës. Korrupsioni i përhapur endemik ka impakt negativ në jetët e qytetarëve të Kosovës dhe pengon zhvillimin ekonomik “. Madje ketë po e thonë, dy institucione kredibile të vendeve më demokratike të botës dhe pushtetarët tanë mundohen fajin t’ia gjuajnë opozitës?!!! Kjo nuk është aspak serioze.

Ja si i priten pushtetarët tanë këto raporte

Njeriu i parë i shtetit, i cili pa dyshim është përgjegjësi kryesor që korrupsioni ka mestastazuar çdo pore të shoqërisë sonë (qeveri, komuna, arsim, investimet e zhvillimin), e paska “zbuluar Amerikën” duke konstatuar “dhunën” e opozitës, si problemin kryesor të Kosovës?! Po, ky e paska gjetur një fajtor kujdestar, opozitën dhe bombolat e gazit lotsjellës. Ani pse historia e gazit lotsjellës vjen vetëm nga tetori i vitit 2015, ketë e ka edhe në raportin e DASH-it. Por për gazin lotsjellës duhet të merren përdoruesit, ne ketë rast opozita. Nëse bëjmë një krahasim, mes gazit lotsjellës dhe korrupsionit, dallimi është si i ditës me natën. Mbase edhe më i thellë.

Pse?

Gazi lotsjellës i përdorur nga opozita (ndonëse mjet jo adekuat, shkaku, tirania e numrave të koalicionit qeveritar), kishte për qëllim që t’i tregonte opinionit (të brendshëm e të jashtëm) se qeveritaret e vendit në bisedimet e Brukselit nuk e kishin mbrojtur interesin e vendit, se në shënimin e kufirit me Malin e Zi, Atdheut ia kishin humbur mbi 8000 hektar tokë, se  marrëveshja e 25 gushtit ishte e dëmshme dhe po e bënte hisedarë në sovranitetin e vendit, Serbinë. Vendimi i 23 dhjetorit 2015, i Gjykatës Kushtetuese, opozitës i ka dhënë të drejtë dhe më ketë i ka dhënë të drejtë edhe përdorimit të gazit lotsjellës, i cili e ndali trendin e marrëveshjeve të këqija. Ndërsa, endemia e korrupsionit e filluar fill pas luftës çlirimtare, është problemi kryesor i shoqërisë sonë. Ajo fillon që në Fondin e 3% dhe Fondin “Vendlindja Thërret”, para, gjatë e pas luftës. Por, e tërë çështja është: sa mund ta ndryshojnë gjendjen, shkaktarët kryesor të kësaj gjendje, Mustafa & Thaçi? Duhet të jesh më shumë se miop që të besosh se me ketë duet të pa natyrshëm (për shkak të kakofonisë se njohur në mes këtyre njerëzve), do të ndryshohet gjendja në Republikën tonë.

Është e qartë, “sundimtarët autoritarë”, edhe kjo e thënë nga një raport tjetër ndërkombëtar, që edhe pozitat që i kanë, i kanë të korruptuara. Prandaj këta, pa korrupsion endemik nuk mund të mbijetojnë! Po, a mund të mbijetoj vendi me ketë korrupsion endemik? Vështirë kjo e besueshme!

Përgjigje të përafërta, opinionit i dha edhe i pari i qeverisë, i cili në tri raste paska thënë: “korrupsioni është perceptim”, një herë tjetër, “nuk kemi afera korruptimi”, derisa edhe “duhet raportet e DASH-it dhe mbase edhe të KE-së, t’ia tregojnë emrat e të korruptuarve“ etj. Ani pse ai do të duhej që emrat t’i kërkonte nga institucionet e pavarura, përgjegjëse që të vihen në veprim për të zbuluar ketë endemi, institucione që për atë qëllim paguhen nga paraja publike. Ani pse Kryeministri e dinë se ish Ambasadorja e SHBA-ve në një rast ia kishte përkujtuar 70 lëndët e Prokurorisë, të kohës kur ai ishte kryetar i Prishtinës! Pas kësaj ishte formuar koalicioni që tani qeveris me vendin?!!! Por ishin edhe disa afera te Kryeministrisë që lidheshin me familjaret e tij.

Krerët e koalicionit, Mustafa & Thaçi duhet ta kuptojnë, se njerëzit nuk janë duke ngrenë bar, i gjithë procesi i zgjedhjes se Kryetarit (Presidentit), është përcjellë nga një valë jo e vogël e korrupsionit?!!! Shpenzime të pa planifikuara janë bërë edhe në ceremoninë e mbajtur në Sheshin Skënderbeu. Hi syve nuk mund t’i qitni opinionit, ndonëse opinioni ynë është lehtë i manipulueshëm!

Ajo që duhet ta dinë të parët e institucioneve tona është se, ata nuk mund ta mbulojnë korrupsionin në qeveri dhe institucione tjera të shtetit, me metodat e “dhunshme” që opozita e bashkuar i përdori në Kuvend apo edhe jashtë tij. Ata nuk mund ta fshehin kapjen e institucioneve të pavarura të shtetit, tërë Sistemin e Drejtësisë përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese me “dhunën” e përdorur nga partitë opozitare. Është për të ardhur keq, pse raporti i DASH-it dhe i KE-së, nuk është marrë fare me marrëveshjet tepër të këqija, mbase edhe të papranueshme që i ka bërë ekzekutivi ynë?! Marrëveshje që e kanë sjellë “dhunën” në Kuvend dhe jashtë tij.

Shkurt e shqip, korrupsioni endemik, për të cilin flitet në raportin e DASH-it, dhe atë të KE-së në asnjë mënyrë nuk mund të mbulohen me “dhunën” e shkaktuar nga bombolat e gazit lotsjellës të përdorura në Kuvendin e Kosovës në pesë muajt e fundit (tetor  2015– shkurt 2016). Madje problemet në Kosovë janë edhe më të thella sesa përshkruhen në raportet në fjalë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …