leoni

U hap çerdhja e parë publike në Malishevë

Sot në qytetin e Malishevës, ishte një ditë e veçantë, sepse ky qytet nga sot, për herë të parë bëhet me çerdhe publike për fëmijë. Për këtë qëllim, është mbajtur edhe një ceremoni për hapjen zyrtare të çerdhes, ku morën pjesë, strukturat komunale të prira nga kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, pastaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, z.Enver Hoti, znj.Valdete Bajrami dhe znj.Shukrie Bytyçi, si dhe qytetarë e prindër të shumtë.

“Jam shumë i kënaqur, që për herë të parë në Malishevë, po e hapim një çerdhe për fëmijë. Kemi dhënë maksimumin për ndërtimin dhe hapjen e çerdhes dhe kjo është e arritur e jona, në kuadër të arriturave në arsim, dhe për këtë jam krenar. Ne kemi dhënë mundin tonë për ndërtimin e kësaj çerdhe, por tani është përgjegjësi e menaxhmentit dhe edukatoreve, që ta mbajnë këtë”, tha kryetari Begaj, duke i porositur punonjëset e çerdhes, për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve. “Kjo çerdhe është tepër e rëndësishme, në veçanti për nënat të cilat janë të angazhuara në punë dhe obligim i yni është që ta mbajmë këtë institucion parashkollor”, tha Begaj, në ceremoninë e hapjes së çerdhes.

Ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Shukrie Bytyçi, tha se “na ka munguar një institucion i tillë, sidomos për gratë që punojnë”, e cila i uroi të gjithë për hapjen e kësaj çerdhe.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, z.Avdi Morina, duke marrë fjalën, tha se “për herë të parë në qytetin e Malishevës, po  hapet një institucion i këtillë parashkollorë, ku do të hyjnë fëmijët e moshës  nëntë muaj, deri në pesë vjeçar”. Drejtori Morina, tha se “do të jetë i  përkushtuar për punën e çerdhes dhe funksionimin e mirë të saj”.

E përkushtim për çerdhen do të ketë drejtoresha e çerdhes së parë për fëmijë në Malishevë, znj.Valbona Hoti. Ajo tha se “do të bashkëpunoj mirë me prindër dhe do të jetë shumë e përkushtuar me drejtimin e çerdhes”. Drejtoresha Hoti, e falënderoi kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, për përkrahjen e tij, në ndërtimin dhe hapjen e çerdhes së parë në Malishevë.

Kjo çerdhe ka një kapacitet për pranimin e tetëdhjetë fëmijëve dhe është ndërtuar nga buxheti i Komunës së Malishevës, e cila ka kushtuar rreth 14 mijë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka vizituar fshatin piktoresk Lubishtë të Vitisë, aty …