Jakup Krasniqi: Ta ruajmë fitoren si sytë e ballit

Jakup Krasniqi: Kosova nuk ka nevojë të ngutet për të arritur një marrëveshje me Serbinë, as të bëjë kompromis

Në një bisedë në studion e TV-Diellit, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka folur për disa nga problemet e çështjet kryesore,  me të cilat po ballafaqohet vendi, në radhë të parë për shkak të qëndrimeve të dobëta dhe të mefshta të delegacionit të Kosovës, në bisedime me palën serbe, në Bruksel.

Ai ka saktësuar me këtë rast se pranimi për bisedime me Serbinë, sidomos  pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës,  më 17 shkurt të vitit 2008, dhe pas verdiktit  të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vitin 2011, e cila kishte bërë të ditur se shpallja  e pavarësisë së Kosovës nuk binte ndesh me ligjet e së drejtës ndërkombëtare, ka qenë një gabim i madh, nga i cili ka rrjedhë më vonë krejt ky proces pa krye i bisedimeve, i cili ka stagnuar shumë procese të tjera madje edhe zhvillimore në vend.

 Jakup Krasniqi po ashtu ka arsyetuar vendosjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, meqë sipas tij kjo ishte një kundërpërgjigje në sjelljen arrogante të Beogradit dhe mosgatishmërisë së kërkimit falje për krimet që ajo ka kryer në Kosovë. Taksa nuk e pengon dialogun me Serbinë nëse ajo kërkon një zgjidhje të problemeve për të cilat është e interesuar.

Lidhur me ngecjen ekonomike papunësinë, mungesën e perspektivës për brezin e ri, në Kosovë, Jakup  Krasniqi bën fajtor në radhë të parë Qeverinë, e cila nuk ka programe konkrete në këtë drejtim dhe nuk investon në hapjen e vendeve të punës, por në projekte kapitale.  Ai po ashtu ka thënë se krahu i punës në Kosovë është shumë i lirë, pagat janë minimale ndërsa çmimet e artikujve ushqimorë janë të njëjtë me ato në vendet e Evropës, ku pagat janë dhjetë fish më të larta. Në këtë drejtim po shfrytëzohet klasa e punëtorëve të Kosovës,  e cila është e detyruar të punojë tetë orë në ditë për 200 apo 300 euro në muaj, ndërsa në vendet e Evropës, për një punë të tillë të rëndë fizike, ai merr 200o apo 3000 euro.  Kjo është edhe arsyeja pse të rinjtë i drejtohen tregut të punës në Evropë.

Duke folur për bisedimet me Serbinë dhe paralajmërimit për opsione të ndryshme të medieve  e të qarqeve diplomatike. Ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi,  mendon se Kosova nuk ka nevojë të ngutet për të arritur një marrëveshje me Serbinë, por duhet unifikojë një qëndrim unik kombëtar, i cili duhet të bazohet në radhë të parë në interesin e vendit, Kushtetutën e ligjet e saj. Kosova nuk ka territor për të dhënë sepse mjaft i kanë marrë në të kaluarën, ka saktësuar, Jakup Krasniqi, duke përmendur trojet shqiptare të  mbetura në Serbi.

Kosova nuk mund të bëjë kurrë farë kompromisi tjetër, sepse këtë e keni bërë me Pakon e Ahtisarit, sipas së cilës serbët në vendin tonë gëzojnë të drejta më shumë se çdo pakicë tjetër  kombëtare në shtetet e Evropës, apo të botës. Kompromisi me Serbinë ka marrë fund për gjithmonë, ka thënë mes tjerash kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, në bisedën e tij në TV-Dielli.

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …