Shaban Shala

Jakup Krasniqi: SHABAN SHALA- HERO E FLAMURTAR I LIRISË – (1933 – 1963)

(Fjala e Jakup Krasniqit në Akademinë kushtuar heroit të kombit, Shaban Shala)

Familjar të dashur të Shaban Shalës,

Zonja e zotërinj,

Të nderuar Llapjanë!

 

Bashkëkombës e bashkëluftëtarë të nderuar, fjalën time për ju sot e përgatita duke pasur për bazë një fragment të shkurtër të Heroit e Flamurtarit tonë – Shaban Shala. Në fillim po e citoj fragmentin:

“Robëria për mua është shumë më e rëndë se sa vdekja. Kam vendosur që edhe jetën ta jap për atdhe, gjuhën shqipe dhe për flamurin kombëtar. Një popull që nënshtrohet vdes. Nuk jam as i pari as i mbarmi  në radhën e qindra veprimtarëve që rezistojnë për lirinë e popullit shqiptar. Është burrëri të qëndrosh dhe rezistosh deri ta arrish lirinë. Vetëm njeriu i lirë është me plotë kuptimin njeri”.

 Kjo që u tha, është dëshmi që tregon se mësuesi ynë ishte i vetëdijshëm për rrugën që kishte nisur dhe atë e vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës së tij, pa u hamendësuar as edhe një herë. Kjo do thotë, se vetëm në kohë robërie njeriu tregon integritetin e tij dhe ngritët si yll vezullues në qiellin e lirisë!  Heroi, mësuesi dhe atdhetari Shaban Shala si i gjithë brezi i tij prej atdhetaresh ishin të bindur se popullit shqiptar, i pjesës se mbetur të kombit jashtë kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) dhe aneksimi i Kosovës në korrik të vitit 1945 nga Serbia e Jugosllavie, ishte një padrejtësi e madhe. Ishin padrejtësi se më shumë se gjysma e kombit shqiptar jetonte në robëri dhe i shkëputur nga Shqipëria Nënë.    Ajo gjendje e rëndë e kombit, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, i kishte bindur anëtarët e LNDSH, në mesin e tyre dhe mësuesin e ri i cili ishte plotë zell e dashuri për nxënësit, për kombin, atdheun e gjuhën shqipe. Kjo dashuri e kishte bërë të thoshte: “Robëria për mua është shumë më e rëndë sesa vdekja”. Dhe vërtetë, jeta nën robëri të huaj është vdekje për se gjalli. Nuk ka asnjë dyshim, kështu si Shaban Shala, mendonte i gjithë populli shqiptar, por goxha të pakët ishin ata shqiptarë, që dispononin integritetin njerëzor për t’u organizuar e luftuar me armikun e kohës siç ishte Jugosllavia e Titos dhe e Rankoviqit. Por, një gjë dihet,  njerëzit me integritet, integritetin e tyre e shfaqin furishëm në kohë të vështira, se në kohë lirie, si sot, ata bëhen shumë. Shaban Shala, atdhedashurinë e tij e shfaqi dhe e tregoi furishëm në vitet më të rënda për shqiptarët në Federatën Jugosllave. Kur shqiptarët çdo gjë e kishin me pakicë. Mësuesi flamurtar e Heroi i kombit – Shaban Shala këtë e konfirmon me guxim e vendosmëri. Ai thotë: “Kam vendosur edhe jetën ta jap për atdhe, gjuhën shqipe dhe për flamurin kombëtar”. Dhe kështu ai u bë, flamurtar i atdheut, flamurtar i gjuhës shqipe dhe flamurtar i flamurit kombëtar. Njerëzit e tillë, si Adem Demaçi, Shaban Shala e Fazli Greiçevci – janë shqiponjat e gjalla të Flamurit! Nga flamurtarë të tillë u mbajt i ndezur flakadani i lirisë, frymëzuesit e motivuesit e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më mundin, gjakun e jetët e tyre, çliruan Kosovën, na sollën lirinë e pavarësinë që po i gëzojmë sot të gjithë ne. “Një popull që nënshtrohet vdes. Nuk jam as i pari as i mbarmi në radhën e qindra veprimtarëve që rezistojnë për lirinë e popullit shqiptar”- thoshte mësuesi flamurtar i lirisë dhe populli ynë jetoi e fitoi, pse nuk iu nënshtrua robërisë së egër serbe e Jugosllave, pse kishin njerëzit ku të frymëzoheshin e motivoheshin, nga të cilët merrnin forcë e energji për lirinë, për çlirimin e bashkimin kombëtar.

Flamurtari ynë i lirisë, ishte i bindur se në atë rrugë nuk ishte i vetëm, kishte e do të kishte edhe shumë djem e vajza që do të bëheshin flakadan e flamurtar të lirisë, se “është burrëri e njerëzi të rezistosh deri sa ta arrish lirinë” – thoshte mësuesi flakadan e flamurtar i lirisë, që ne jo rastësisht po e kujtojmë e nderojmë sot, pas shumë dekadash. Dhe vërtetë, Flakadani e Flamurtari – Shaban Shala edhe pse nuk e jetoi Lirinë, ishte njeri në kuptimin më të mirë të fjalës dhe veprës njerëzore.      “Vetëm njeriu i lirë është me plotë kuptimin njeri”, – thoshte mësuesi ynë – Shaban Shala. Për brezin e mësuesit Flamurtar që jetonin në robëri ishte kështu dhe topi se luan! Por sot, kur e kemi lirinë, njeriut tonë për të qenë njeri i duhen edhe vlera shtesë! E vlerat shtesë mund t’i ofrojnë vetëm njerëzit e virtytshëm, për të cilët na fliste Skënderbeu ynë, edhe kur ndodhej në shtratin e vdekjes. Nuk ka dyshim, në ato vite robërie, flamurtarët si: Adem Demaçi, Shaban Shala e Fazli Greiqevci ishin të edukuar dhe i edukonin të tjerët me virtytet skënderbegiane.

Mësuesi hero, Flakadani e Flamurtar ynë i jetoi vetëm Tridhjetë vite dhe këto pak vite rinore e bënë yll të pavdekshëm të Lirisë!     Nderimi qoftë i përjetshëm edhe për prindërit e tij që kombit në jetë ia sollën një njeri, në kuptimin më të mirë e më plotë të fjalës! Nderimi shkon edhe për trashëgimtarët e tij që vijnë nga një trung plotë vlera njerëzore!

Lavdi heroit, flakadanit e flamurtarit të lirisë, mësuesit – Shaban Shala! Lavdi gjithë  flakadanëve e flamurtarëve të Lirisë!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …