Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me gjendjen e prodhimit të energjisë elektrike në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke e akuzuar atë për mungesë transparence dhe shtrembërim të fakteve. Ymeri ka kundërshtuar pretendimin e Kurtit se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar KEK-u ka operuar me kapacitet maksimal, përkatësisht me pesë njësi gjeneruese funksionale. Sipas saj, kjo deklaratë nuk përputhet me realitetin në terren. Ajo ka theksuar se gjatë kësaj periudhe ka pasur të paktën dy herë rënie të njësisë B1, raste në të cilat, sipas Ymerit, nuk ka pasur fare gjenerim të energjisë elektrike nga këto blloqe. “Albin Kurti nuk po e thotë të vërtetën kur deklaron se ‘KEK-u është duke prodhuar me kapacitet maksimal’. Dy herë ka pasur rënie të B1-shit me zero gjenerim,” ka deklaruar Ymeri, duke vënë në dyshim besueshmërinë e raportimeve qeveritare për sektorin energjetik. Përveç kësaj, kandidatja e LDK-së ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e investimeve të huaja në sektorin e energjisë, si dhe për koston e lartë të bartjes së energjisë elektrike, duke e cilësuar menaxhimin aktual si të dështuar dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
